Egjipt. Del nga rëra manastiri më i lashtë kristian

Vjen deri në kohët tona nga shekulli IV e është manastiri më i lashtë i krishterë, që njihet në Egjipt. Zbulimi i bujshëm, botuar marsin e kaluar, është rezultat i misionit arkeologjik franko-norvegjez, udhëhequr nga Instituti francez i arkeologjisë lindore në zonën e Tal Ganoub Qasr-al Agouz, në oazën Bahariya. Intervista në Vatican News e kreut të misionit, Victor Ghica.

R.SH. - Vatikan

Vjen nga shekulli IV, e prej këndej, sot është manastiri më i lashtë i krishterë në Egjipt. Doli përsëri në dritë muajt e kaluar, pas një pune të kujdesshme, që zgjati me vjet e u pengua nga një sërë faktorësh: politikë, burokratikë e shëndetësorë. “Është një kompleks monastik idioritmik, jo cenobitik”- shpjegon në Vatican-News kreu i misionit, Victor Gjica, i Shkollës norvegjeze të Teologjisë, Fesë e Shoqërisë, specialist i arkeologjisë  së lashtësisë së vonë, kryesisht i krishterimit të shekullit IV e papirologjisë kopte. “Nuk ndodhemi, prandaj, përballë një bashkësie të vetme, siç  mësojmë nga arkeologjia murgare” – kujton.

Gjashtë strehë murgare të ndara

Janë gjashtë strehë murgare të ndara, që funksiononin së bashku, por në mënyrë të pavarur. Secila formonte një manastir të vogël, por murgjërit e bashkësive të ndryshme takoheshin me njëri-tjetrin. Në njerën nga këto strehë gjetëm 19 dhoma.

Manastiri i Egjiptit, i sapozbuluar
Manastiri i Egjiptit, i sapozbuluar

Ruajtje e jashtëzakonshme

Mahnitëse, kushtet e ruajtjes së këtyre ndërtesave prej bazalti, ose të zgavërruara në  shkëmb a të bëra me tulla  balte. Mbi muret shihen grafite, shkrime në greqisht e piktura lidhur me kulturën kopte. “Këto fjetore  ruhen deri në çati e të duket krejt e pabesueshme kur mendon se u bënë ballë 15 shekujve, ose ndosha edhe më shumë. Arritën deri tek ne të pacënuara, falë rërës së shkretëtirës dhe mungesës së lagështirës të vendeve ku ishin ndërtuar. Çka të çudit më shumë, është prania e Teksteve dhe e enëve prej balte, që tani janë objekt i studimit, gjë që ka të bëjë edhe me qeramikat.

Një shikim i shpejtë mbi jetën murgare të shekullit IV

Brendia duket sikur tregon si jetonin murgjërit, në fazën e fundit të jetës në këto mjedise, që na flasin me gjuhën e shekullit IV. “Gjetëm pjata kuzhine, në vend të murgjërve, që tanimë janë bërë hi e pluhur” - tregon Viktor Ghica. Edhe objektet u ruajtën falë rërës. Shkretëtira krijon kushte të jashtëzakonshme për ruajtje, sepse nuk bie kurrë shi e si pasojë, nuk ka lagështirë, që shkatërron gjithçka gjen përpara. S’është çudi që edhe murgjërit të ruhen diku, poshtë rërës, që mbulon gjithçka.

Skuadra që punoi në manastirin e Egjiptit, të sapozbuluar
Skuadra që punoi në manastirin e Egjiptit, të sapozbuluar

Zbulim i vështirë

“Oaza e Bahariya - vijon Ghica - ndodhet në mjedis të shkretëtirës, në një distancë prej rreth 370 kilometrash larg nga Kairo. Misioni ynë filloi në vitin 2009, me një ndërprerje në vitin 2013, kur u detyruam të largoheshim nga frika e ngjarjeve politike dhe terrorizmit. Gjatë këtyre shtatë viteve ishim ekipi i fundmë, që mori lejën për të gërmuar në këto vise. Patëm shumë vështirësi administrative, e edhe organizative, që u bënë edhe më të ndërlikuara gjatë pandemisë.

Shtegtim në zanafillë të krishterimit

Datimi në shekullin IV u bë i mundur falë  provës së radiokarbonit dhe të elementeve të tjera, dalë nga nëndheu, si monedhat, mbishkrimet, qeramikat. Deri tani manastiret më të lashta të Egjiptit i përkisnin shekullit VII. Prandaj zbulimi ka rëndësi të veçantë për studimin e krishterimit nga zanafilla e edhe të monakizmit në Egjipt, vend ku një pjesë e mirë e historisë së lashtë fle akoma poshtë rërës, që mbulon gjithë hapësirën përreth. Sidoqoftë rëra nisi të bëlbëzojë. Pastaj besojmë se edhe do të flasë….E atëhere historia do të dalë nga rëra  e shekullit IV – në dritën e shekullit të XXI, për të treguar jetën e moçme të murgjërve…

07 maj 2021, 15:46