Viti Injacian - Logo Viti Injacian - Logo

Edhe Shqipëria në Vitin Injacian, që fillon nesër

Në Pamplona të Spanjës, ku 500 vjet më parë Shën Injaci i Lojolës u plagos në këmbë gjatë betejës dhe filloi udhën e kthimit në fe, Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit do të përurojë Vitin jubilar injacian. Në program, edhe një kamp veror në veri të Shqipërisë.

R.SH. - Vatikan

Më 20 maj, pra, nesër, në Pamplonë të Spanjës, Eprori i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, atë Arturo Sosa, do të hapë zyrtarisht Vitin Injacian, me një kremtim solemn, pasdite, në orën 18. Viti përkujton 500-vjetorin e plagosjes së Shën Injacit në këmbë, çast, që shënon kthimin e tij në shtegtar, në kërkim të Zotit. Gjithçka mund të ndiqet në faqet e internetit të Kuries së Përegjithshme të jezuitëve “jesuits.global/it” dhe “ignatius500.org”. Po nesër, Instituti i Përshpirtërisë në Universitetin Papnor Gregorian organizon konferencën on line me temë “T’i shohim të reja të gjitha gjërat në Krishtin”. Ajo do të pasohet nga një mbrëmje lutjeje në Kishën e Jezusit në Romë. Më 23 maj, në orën 20.00 (në tre zona të ndryshme kohore: Manila, Romë, Nju Jork) propozohet lutja ndërkombëtare “Shtegtarët me shën Injacin”.

Programi i Vitit Injacian kalon nga Shqipëria

“Nga Pamplona në Romë, në gjurmët e Shën Injacit”: kështu quhet, ndërkaq, itinerari për të rinjtë, i planifikuar për 30 maj, në Romë. Një mundësi për të eksperimentuar udhën e kthimit të shën Injacit në fe. Ndër nismat e tjera, lutja e 29 qershorit për t’ia besuar Zotit udhën e Provincës Euro-Mesdhetare të Shoqërisë së Jezusit, në përvjetorin e ditës kur shën Injaci fillon të shërohet dhe i largohet rreziku i vdekjes nga plaga. Pastaj, nga 20 deri më 30 korrik, kampi veror itinerant për të rinjtë, në malet e veriut të Shqipërisë. Më 12 mars 2022, në përvjetorin e kanonizimit të Shën Injacit dhe të Shën Françesk Saverit, është planifikuar një shtegtim në zonën “La Storta” të Romës, ku ndodhet kapela, në të cilën Krishti iu duk Shën Injacit, duke e ftuar t’i shërbejë. Viti Injacian do të mbyllet më 31 korrik 2022, me një meshë në kishën e Jezusit në Romë, në solemnitetin e Shën Injacit.

Jezuitët ndër shqiptarë

Interesante, përfshirja e Shqipërisë në programin e Vitit Injacian. Aktualisht, në vend, shërbejnë 9 jezuitë, në kishën e Zemrës së Krishtit në Tiranë, në Qendrën e Mikpritjes “Anton Luli” në Vaqarr dhe në seminarin ndërdioqezan e në gjimnazin “Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër. Kanë edhe librarinë “Genizah” dhe shtëpinë botuese “Ylber” në Tiranë. Ndërsa në Kosovë, vepron për formimin e brezave të rinj, gjimnazi “Loyola” në periferi të Prizrenit, i cili u themelua nga jezuitёt, po aktualisht nuk drejtohet mё prej nga ata. Ndër shqiptarë, urdhri i jezuitëve është i pranishëm që nga gjysma e shekullit XIX.

Më 1877, etërit jezuitë themeluan Kolegjin Saverian, ku kanë studiuar aradhe nxënësish, që dhanë një kontribut të shquar në ndërtimin e Shqipërisë moderne. Jezuitët janë të njohur për misionet shëtitëse në veri për pajtimin e gjaqeve, për kontributin në fushën kulturore dhe artistike, me grupet muzikore dhe teatrale, revistat e shtypshkronjën “Zoja e Papërlyer”.

Puna e tyre, ashtu si ajo e bashkësive të tjera rregulltare, shënoi një kthesë të rëndësishme në jetën fetare, kulturore e arsimore ndër shqiptarë, derisa u ndërpre nga komunizimi, për të rifilluar sërish pas rënies së tij. Ndër 38 të Lumët e parë të martirizuar nga komunistët, bëjnë pjesë edhe tre jezuitë: atë Daniel Dajani, atë Gjovani Fausti dhe vëlla Gjon Pantalia. Gjatë verës, jezuitët kanë organizuar gjithnjë kampe verore në zona të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim edukimin e të rinjve, por edhe realizimin e së paku një projekti, që ndihmon banorët vendas dhe zgjidh ndonjë problem të territorit. Edhe gjatë Vitit Injacian, të rinjtë do të vijnë sërish në kampet verore në Shqipëri, të cilat u ndalën, për shkak të pandemisë.

Viti Injacian nëpër botë

Në gjithë botën, projektet e Vitit Injacian janë të shumta. E pamundur, të përmenden të gjitha, por mund të japim disa shembuj. Në Gjermani, do të paraqitet një dokumentar shumëgjuhësh për shën Injacin dhe përshpirtërinë e tij, me titull “Injaci, ai që kërkoi Zotin”. Në Amerikën e Veriut, do të mbahet një nismë me tregime të shkurtra injaciane, titulluar “Kompania e Shtegtarëve”. Në Marsejë të Francës, po organizohet një takim i madh i familjes injaciane për nëntorin e vitit 2021. Në Hungari, po përgatitet një lojë tryeze në shumë gjuhë, për të mësuar historinë e jezuitëve, duke u argëtuar. Në Amerikën Latine, janë në përfundim e sipër një seri prej 31 udhëzuesish për lutje, që përmbajnë kapsula audio-vizive për t’u përhapur në mediat shoqërore. Çdo dy muaj, do të ketë një lutje të përbashkët në internet për gjithë Amerikën Latine. Konferenca Afrikane do të nisë një konkurs fotografik për jezuitët e rinj, me synimin për të vënë në pah aspektet e ndryshme të misionit të Shoqërisë së Jezusit në Afrikë dhe në Madagaskar. Familja CVX-CLC, lëvizja laike injaciane, po organizon një takim botëror të të rinjve në korrik 2021, me temën e Vitit Injacian.

Ku mund të gjendet informacioni

Lajmet dhe projektet kryesore për Vitin Injacian mund të gjenden në faqen botërore të internetit “ignatius500.global”. Mund të konsultohet edhe libri i Eprorit të përgjithshëm të jezuitëve “Në udhë me shën Injacin”, i shkruar fillimisht në spanjisht dhe i përkthyer në anglisht, portugalisht, frëngjisht, italisht, polonisht, holandisht, tamil, në gjuhën vietnameze dhe arabe; Projekti Cannonball, një seri videosh ku njerëzit tregojnë për kthimin e tyre në fe; video të veçanta për shkollat e mesme mbi jetën dhe ndikimin e Shën Injacit, në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht; një aplikacion smartphone për të vizituar vendet injaciane, që do të paraqitet në vitin 2022.

19 maj 2021, 12:47