Mesha në Edikolën e Varrit Shenjt, në Jeruzalem Mesha në Edikolën e Varrit Shenjt, në Jeruzalem 

Toka Shenjte: Patton “në lutje për vendet, që vuajnë nga pandemia”

Dje, rojtari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Patton, kremtoi një Meshë për gjithë bamirësit e Tokës Shenjte, brenda Edikolës së Varrit Shenjt të Krishtit, në Jeruzalem.

R. SH. - Vatikan

Dje, rojtari i Tokës Shenjte, Francesco Patton, kremtoi një Meshë për gjithë bamirësit e Tokës Shenjte, brenda Edikolës të Varrit Shenjt të Krishtit, në Jeruzalem. Njoftimin e jep Christian Media Center e Rojtarisë së Tokës Shenjte, që citon edhe fjalët e Rojtarit: “Ia kushtuam këtë kremtim lutjes për bamirësit, pa ndihmën e të cilëve do të ishte e pamundur ta çonim përpara misionin në dobi të bashkësisë vendase e edhe të shtegtarëve, kur të  kthehen. Sepse do të kthehen, pa dyshim. Jemi në borxh me bamirësit. Borxh mirënjohjeje me të gjithë ata, që na ndihmojnë të vijojmë misionin tonë  aspak të lehtë, edhe në kohë më të lehta”

Lutja e Rojtarit dhe e të gjithë vëllezërve françeskanë  iu lartua Zotit edhe për ato vende, që vuajnë më shumë nga shkaku i pandemisë. “Në një farë mënyre këtu, në Jeruzalem, jemi në një fazë që flet për rifillim, për ringjallje, për dalje nga kjo gjëmë, që quhet pandemi” - kujtoi me optimizmin e françeskanit, Rojtari i Tokës së Shenjtë.  “Por ndërkaq, e dimë mirë se ka vende, që vijojnë të vuajnë, e shumë, si Brazili e India, e kështu edhe të tjera,  ku më shumë e ku më pak, në gjithë botën”.

“Të lutesh për të sëmurët në këto vise të Ringjalljes ka vlerë të posaçme, sepse ua ndriçon edhe me forcën e fesë e me virtytin e shpresës, udhën e mundimeve, që po  vijojnë”.

21 prill 2021, 13:14