Kardinali De Donatis  duke pagëzuar Kardinali De Donatis duke pagëzuar 

Historia e Panajotit, shqiptarit që do të pagëzohet sonte në Katedralen e Romës

Gjatë kremtimit të Natës së Pashkëve, në katedralen e Romës, kardinali mëkëmbës do të pagëzojë gjashtë katekumenë. Ndërmjet tyre është edhe Panajoti, shqiptar, që na tregon historinë e jetës tij: “E kritikoja përherë Kishën, pohon, me gjithë meshtarët e murgeshat e saj, pastaj brenda meje diçka ndryshoi, e sot jam njeri krejt tjetër!

R. SH. - Vatikan

Para se të flasim për Panajotin, duhet të flasim për Pagëzimin, duke nisur nga kuptimi i kësaj fjale, e cila duket qartë se rrjedh nga vetë kremtimi i këtij Sakramenti, që mbetet për t’u rizbuluar gjatë gjithë jetës. Na e kujton spërkatja me ujë të bekuar, ashtu edhe përsëritja e premtimeve të Pagëzimit gjatë kremtimit të Natës së Pashkëve. E pikërisht sonte, në Katedralen e Romës, kardinali mëkëmbës, Angelo de Donatis, do të pagëzojë gjashtë katekumenë, tri gra e tre burra. Ndërmjet tyre, Panajoti, shqiptar i formuar në Qendrën e Thirrjeve të dioqezës, nga dom Fabio Rosini. I prekur thellë nga ky shndërrim, pas dy muajsh të jashtëzakonshëm, që përfundojnë sonte me pagëzimin, e tregon historinë e tij në Vatikan News.

Një birrë, mesha e loti, që më pikoi drejt e në shpirt

“Isha ateist, i bindur. Sulmoja gjithçka kishte të bënte me Kishën, meshtarët, murgeshat e njerëzit, që e frekuentonin. Pastaj, një ditë, së bashku me një vajzë të njohur gjatë një stërvitjeje, mora një birrë, e zbulova se ajo studionte teologji. Mjaftoi fjala teologji, për të shprehur gjithë  mllefin tim kundër fesë. E ajo më shikoi drejt në sy, por pa më gjykuar. Durimi i saj më çuditi”.

Nis kështu, rrëfimi i Panajotit, shqiptar, 37 vjeç. Ngjarja, që tregon, ndodhi dy vjet më parë. Pak më vonë Panajoti shkoi të shihte Meshë në Bazilikën e Shën Gjonit, në Lateran. “Ishte hera e parë, absolutisht - kujton - Mesha e parë, e homelia e parë. Pikërisht në çastin kur po mbahej homelia, ndjeva diçka në shpirtin tim. Isha krejt mirë, kur papritmas, gjatë homelisë, e ndjeva veten të tronditur thellë - kujton - e nuk po e kuptoja çfarë ma shkaktonte gjithë atë trazirë. Këtë emocion ia fsheha edhe mikes sime që studionte teologji. Më vinte të qaja, e lotët më rridhnin brenda vetes”.

Bashkë, kurrë më vetëm

Që nga ky çast, ishte e pamundur të fshihesha. E fillova katekizimin nga Dhjetë Urdhërimet, me don Fabio Rosinin, meshtarin që pati kremtuar Meshën e parë për mua. E kuptova se jeta ime po ndryshonte përgjithmonë. Një udhë e gjatë, që më bëri të kuptoj se së bashku mund të ndërtosh, se me të tjerët mund ta njohësh mëshirën, faljen, dashurinë e vërtetë. E kuptova gjithë këtë, e edhe në këtë vit, të sunduar nga pandemia, ndjeva nevojën për të tjerët, nisa të mendoj për ta, unë, që deri dje mendoja vetëm për vete. E kjo, sepse fjalës “unë” ia zuri vendin fjala “ne”.

E Shtuna e Madhe

E sonte, Pagëzimi. Në Bazilikën e Shën Gjonit, në Lateran, aty ky ndjeu thirrjen e parë. Si e përfytyron këtë çast? - e pyesin. “Nuk e di - gjegjet -Mijëra ndjenja më vlojnë  në shpirt. Vendosa t’ia besoj të gjitha Shpirtit Shenjt. Atij iu luta ta bëjë të mrekullueshme këtë ditë. E ndjej në shpirt se kam arritur një fitore të rëndësishme. Jam njeri i ri. Ndryshe. Më i mirë. Jeta ime ndryshoi përgjithnjë. E dua malin, ngjitem shpesh në të e, sa herë arrij në majë, i lartoj krahët drejt qiellit. Sot po bëj të njëjtën gjë, duke ia besuar gjithë vetveten Zotit!”.

Po, pas këtij rrëfimi prekës personal, të kujtojmë Ritin e Pagëzimit.

Emri tregon identitetin e njeriut

Para së gjithash, gjatë ritit, kërkohet emri i kandidatit, sepse emri tregon  identitetin e njeriut. Thuhet pra, menjëherë emri, duke dalë kështu nga anonimati. Pa emër mbetesh i panjohur, pa të drejta e pa detyra. Zoti na thërret secilin me emër, duke na dashur konkretisht, në historinë tonë.

E Pagëzimi ndez në shpirt  thirrjen personale, që nuk mund të merret hua e as të përdoret me metodën “kopjo e përvetëso”. Jeta e krishterë  është një sërë thirrjesh e përgjigjesh: Zoti vijon ta shqiptojë emrin tonë në rrjedhë vitesh, duke e bërë të jehojë në njëmijë mënyra thirrjen e Tij për t’i ngjarë të Birit, Jezus. Ka shumë rëndësi emri! Prandaj prindërit mendojnë që para lindjes si do ta quajnë foshnjën, në pritje. Edhe kjo bën pjesë në atmosferën gazmore të ardhjes së krijesës së re, e cila, me një emër të përveçëm, do të ketë identitetin e origjinalitetin e vet edhe për jetën e krishterë, të lidhur me Zotin.

Të bëhesh i krishterë, është dhuratë e ardhur nga lart   

Të bëhesh i krishterë, është dhuratë e ardhur nga lart (krh Gjn 3,3-8). Feja nuk mund të blihet. Por mund të kërkohet e të merret si dhuratë. Siç po bën Panajoti. Sepse Pagëzimi është sakrament i asaj feje, me të cilën njerëzit, të shndritur nga hiri i Shpirtit Shenjt, i përgjigjen Ungjillit të Krishtit.

Shenja e kryqit, vulë e Krishtit mbi ballin e të pagëzuarit

Katekumenët e rritur ia kërkojnë vetë Kishës dhuratën e Pagëzimit. E shenja e kryqit, që e shënon kremtuesi, është vula e Krishtit mbi ballin e tij. Vulë që ka kuptimin e hirit të ringjalljes, të cilin Krishti na e fitoi përmes Kryqit të Tij.

Kryqi, distinktiv, që tregon kush jemi

E Kryqi është distinktiv, që tregon se kush jemi: fjala jonë, mendimi, shikimi, veprimi, të gjitha janë nën shenjën e Kryqit, të dashurisë së Krishtit, deri në fund të fundit. Fëmijët shënohen në ballë, ndërsa Katekumenët e rritur shënohen edhe mbi shqiset, me këto fjalë: “Merreni shenjën e kryqit mbi veshë, për të dëgjuar zërin e Zotit”; “Mbi sy, për të parë shkëlqimin e fytyrës së Zotit”; “mbi gojë, për t’iu gjegjur Fjalës së Zotit”; “mbi kraharor, që Krishti, përmes fesë, të banojë në zemrat tuaja”; “Mbi shpatulla, për ta mbartur zgjedhën e ëmbël të Krishtit”.

 

03 prill 2021, 15:15