Vatican News

Charta Oecumenica mbush njëzet vjet: shans për udhën e pajtimit

Charta Oecumenica: imzot Aldo Giordano “ka pjekurinë dhe rininë për të nxitur një valë të re studimesh, takimesh, aksionesh konkrete”.

R.SH. - Vatikan

E nënshkruar në Strasburg, më 22 prill 2001, ishte dokumenti i parë në historinë e Kishave të Evropës, i përgatitur nga tri traditat e mëdha (katolike, ortodokse, të reformuara protestante), që përmbante  angazhimet për të bashkëpunuar e për të dhënë së bashku dëshminë e Ungjillit, duke ecur drejt pajtimit e duke dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin e shtëpisë evropiane.

E nënshkruar nga i ndjeri kardinali Miloslav Vlk, i cili asokohe kryesonte  Këshillin e Konferencave Evropiane (Ccee) dhe nga kryetari i Konferencës së Kishave Evropiane (Kek), mitropoliti Jérémie, sot në Ankara, dokumenti iu besua Kishave të Kontinentit me qëllim që angazhimet e tij të viheshin në jetë.

Pas 20 vjetësh Charta Oecumenica ka njëkohësisht pjekurinë e edhe rininë për t’u jetuar e për të shkaktuar një valë të re studimesh, dialogesh, takimesh, aksionesh konkrete e projektesh me vlerë - shkroi kohët e fundit Aldo Giordano, sot nunc Apostolik në Venezuelë, ndërsa në kohën e nënshkrimit, sekretar i përgjithshëm i Ccee.

Teksti, i përkthyer në të gjitha gjuhët e kontinentit, tanimë ka bërë shumë rrugë, gjë që nuk e pengon aspak të japë ndihmesën e vet lidhur me temën  e ndërtimit evropian e me atë të thirrjes historike për planetin tokë, duke i përballuar së bashku temat e rënda e vendimtare për ardhmërinë e njerëzimit. Imzot Giordano uron që “të bëhet gjithnjë më shumë rast për laboratore ekumenike në çdo nivel, në shërbim të atij ekumenizmi popullor e të asaj përshpirtërie ekumenike, që duken si shans për udhën e pajtimit  në ditët tona”.

19 prill 2021, 13:58