Kremtimi i Mundimeve te Krishtit Kremtimi i Mundimeve te Krishtit 

Cantalamessa: Kisha të jetë e bashkuar përmes vëllazërimit

Në vitin e dytë radhazi, për shkak të pandemisë, Papa Françesku e kryeson kremtimin e Mundimeve të Krishtit, në altarin e katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, me rreth 200 besimtarë. “I Parëlinduri ndërmjet shumë vëllezërve”- kështu titullohej predikimi i së Premtes së Madhe, mbajtur nga predikatari i Shtëpisë Papnore, kardinali Raniero Cantalamessa, i cili foli për vëllazërimin dhe ndarjet në Kishë, duke kërkuar kultivimin e bashkimit.

“I Parëlinduri ndërmjet shumë vëllezërve”- kështu titullohej predikimi i së Premtes së Madhe, mbajtur nga predikatari i Shtëpisë Papnore, kardinali Raniero Cantalamessa, në Kremtimin e Mundimeve të Zotit, në Vatikan, kryesuar nga Papa Françesku. Kushtuar Atij, që vdiq mbi Kryq “për t’i bërë bashkë bijtë e Zotit, shpërndarë në të katër anët, duke i lartuar sot, “me zemër të penduar e shpirt të përvuajtur” lutjen që Kisha ia drejton në çdo meshë”.

Kremtimi i Mundimeve te Krishtit ne Vatikan

Misteri, që po kremtojmë, na prin nga Kalvari, në kohët tona

Duhet të mësojmë nga Ungjilli e nga shembulli i Krishtit. Kjo është themelore për kohët tona, siç ishte edhe për kohët kur ndodhën ngjarjet tragjike, që i përkujtojmë sot, të Premten e Madhe të Kryqëzimit. Duke i rijetuar. E po kjo, edhe porosia kryesore e homelisë së kësaj së Premteje të Zezë, kur shoqërojmë Krishtin, me kryq mbi shpinë, drejt Golgotës së Jeruzalemit e golgotave të kohëve tona. Kujtoi predikatari:

“Rreth Krishtit ekzistonte një polarizim i fuqishëm politik. Si në kohët tona! Rreth tij kacafyteshin katër parti; Farizejtë, Saduçejtë, Erodianët e Zelotët.  Po Jezusi nuk u bë anëtar i asnjërës prej tyre! Diti t’u bëjë  ballë energjikisht joshjeve për të kaluar nga njëra palë a nga tjetra”.

E edhe bashkësia e parë e krishterë e ndoqi besnikërisht në këtë rrugë - vijoi predikatari papnor - duke realizuar, kështu, një paralelizëm me të gjitha kohët, deri tek koha jonë:

“Ky është shembulli për t’u ndjekur nga barinjtë, që duan të jenë barinj të të gjithë grigjës, jo vetëm të një pjese të saj. Janë ata, prandaj, që duhet ta shqyrtojnë thellësisht ndërgjegjen e t’i bëjnë vetes pyetjen: për ku po i prijnë grigjës; nga ana e vet, apo e Krishtit”.

Kjo pyetja, tejet aktuale, pasuar nga përgjigja:

“Koncili II i Vatikanit ua beson posaçërisht laikëve detyrën t’i vënë jetë porositë shoqërore, ekonomike e politike të Ungjillit, duke zgjedhur edhe rrugë të ndryshme, por gjithnjë paqësore e  plot respekt  për të tjerët”.

Këtë nënvizoi Predikatari kardinal e kapuçin, për ta aktualizuar, në përfundim, homelinë, duke kujtuar shtegtimin e fundit të Atit të Shenjtë në Irak, ku i bëri të gjithë ta prekin me dorë ç’do të thotë, për kë është i shtypur a i ikur nga lufta e nga persekutimi, ta ndjejë veten pjesë të pandarë me trupin universal, me ndokënd, që  mund ta bëjë britmën tënde të dëgjohet nga mbarë bota e të rilindë, kështu, shpresa:

“Edhe një herë u realizua porosia, që Krishti ia pati dhënë Shën Pjetrit: ‘Forcoji vëllezërit e tu!”.

Predikatari papnor e përfundoi homelinë me lutjen, që Kisha ia drejton Zotit të vet në çdo Meshë, para Kungimit:

“O Zot, Jezu Krisht, që u the Apostujve të tu: ‘Po ju lë paqen, po ju jap paqen time’, mos i shiko mëkatet tona, por fenë e Kishës sate e  jepi bashkim  e paqe. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve”. Amen.

02 prill 2021, 12:34