Rruzarja Rruzarja 

Atë Cecchin: “Rruzarja botërore e majit, dëshmi dashurie”.

Kryetari i Akademisë Papnore Mariane Ndërkombëtare e quan nismën e dëshiruar nga Papa e drejtuar nga tridhjetë shenjtërore botërore, gjest i atij që e do nënën, gjithmonë gati për të dëgjuar e për të ndërmjetësuar. Ashtu si Zoti erdhi në botë përmes Marisë, ashtu edhe vijon t’i flasë botës përmes Virgjërës Amë. Rruzarja Shenjte është armë e fuqishme për të zbutur zemrën e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Lutja drejtuar Marisë gjatë gjithë majit të ardhshëm, me rruzaren e përditshme, kryesuar nga tridhjetë shenjtërore ndërkombëtare, do të transmetohet në të gjitha kanalet e internetit të Selisë së Shenjtë. Njoftimin e jep atë Stefano Cecchin, kryetar i Akademisë Papnore Mariane Ndërkombëtare (Pami), i cili nënvizon se kjo nismë, e dëshiruar fuqimisht nga Papa Françesku, me titull “Nga Kisha mbarë i naltohej pareshtur lutja Zotit”, i kushtohet Zojës për të kërkuar fundin e pandemisë, me ndërmjetësimin e Asaj, të cilën Zoti na e dhuroi që të mos ndjehemi kurrë të vetëm. Maria është Ajo, që në dasmën e Kanës  ndërhyu menjëherë, kur u mbarua vera, e Ajo, që nuk do të ngurrojë të ndërhyjë edhe për ne, sidomos në çaste të vështira, shton Atë Cecchin: “E, në këtë kohë thellësisht të trazuar, kur hapen varre të reja e vdekja shëtit lirisht në të katër anët rruzullit, kujt mund t’i drejtohemi për ndihmë, më mirë se Asaj, Nënës sonë?”.

Por, të dëgjojmë intervistën e Atë Cecchin:

Kjo nismë, që do të hapet më 1 maj e do të mbyllet më 31 të muajit  nga Papa Françesku, a mund të konsiderohet vërtet si gjest i një të dashuruari?

“Sigurisht. Lidhja e Zotit me popullin e tij është si lidhja ndërmjet dhëndrrit me nusen. Kur Engjëlli iu duk Marisë, i tha: ‘Gëzohu, Mari, galdo, kecharitomene, që në greqisht do të thotë: e dashura e Zotit’. Engjëlli zbulon në këtë çast një realitet themelor: Maria është e dashur;  ashtu si gjatë pagëzimit në Jordan Zoti na tregon kush është në të vërtet Jezusi: i dashuri. Prej këndej për fenë është themlore të zbulosh  dashurinë e Zotit. E kjo dashuri e Zotit të ngjall gjithnjë dëshirën të rrish me të dashurën”.

Pse Rruzarja vlerësohet si lutja më e fuqishme?

“Rruzarja nuk është liturgji, por i ngjet shumë. Në të kaluarën liturgjia  i besohej krejtësiht klerit, ndërsa populli i Zotit kishte këto lutje. Rruzarja është lutje biblike,  që ka në qendër Jezusin. Ndërsa në tërësinë e saj  meditohet vazhdimisht jeta  e Jezusit dhe e Marisë. Ndaj nuk duhet thënë si të ishte ritual magjik, por  si ndjet për të ndenjur me Marinë e për ta dashur Jezusin. Shpirti i Zotit zbret sidomos në çenakull, ku është Maria, dëshmitarja e jetës së Krishtit. Kështu ne, me rruzaren, meditojmë e rijetojmë dashurinë e Marisë për Jezusin".

Po Zoja, thua na dëgjon gjithnjë? E pse?

“Jezusi nga kryqi shikon nënën dhe dishepullin e dashur e nënës i thotë: ja yt bir. Jeruzalemi i ri, që i mbledh të gjithë bijtë e shkapërhapur andej-këndej e që hebrenjtë besonin se qe Jeruzalemi prej guri, është Maria. E Virgjëra, e ngjitur në qiell me shpirt e me korp, vijon rolin e saj të ndërmjetësueses, siç e pohon edhe Koncili II i Vatikanit: sigurisht  mrekullitë nuk i bën Maria, por ajo vijon rolin e saj ndërmjetësues, duke i kërkuar Zotit të na ndihmojë, siç bën çdo nënë e mirë për bijtë e vet.  Ky është shkaku i dukjeve mariane në mbarë botën, e shenjtëroret dëshmojnë  se Zoti është i pranishëm në botë, përmes Marisë".

Nuk duhet harruar se kjo nismë do të zhvillohet në maj, muaj që Kisha ia kushton Zojës…

“Është muaji i luleve. E maji i Zojës dhe i gjithë atyre, që e duan Marinë, Nënën tonë e që i luten për ndërmejtësim. Prej këndej lindi Rruzarja: për t’i shpehur Marisë  nderimin tonë, me trëndafilat e lutjet tona”.

26 prill 2021, 12:02