Viti "Amoris Laetita", logo Viti "Amoris Laetita", logo

Një uebinar do të hapë kremtimet për 5-vjetorin e “Amoris Laetitia”

Takimi në internet do të zhvillohet më 19 mars, ditë në të cilën do të fillojë një vit kushtuar familjes. Don Giovanni Cesare Pagazzi, profesor në Institutin Teologjik Papnor Gjon Pali II: “Nxitja apostolike e Papës është farë, që kërkon vëmendje dhe kujdes”.

R.SH. - Vatikan

Një takim në internet do të hapë zyrtarisht kremtimet për 5-vjetorin e botimit të Nxitjes apostolike “Amoris Laetitia” të Papës Françesku. Uebinari do të mbahet më 19 mars, ditën e solemnitetit të Shën Jozefit, në të cilën do të fillojë Viti “Familja Amoris Laetitia”, që do të përfundojë më 26 qershor 2022, me rastin e Takimit X Botëror të Familjeve.

Pritet një mesazh i Papës

Uebinari me titull “Dashuria jonë e përditshme” - organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, nga dioqeza e Romës dhe nga Instituti Teologjik Papnor Gjon Pali II për Martesën dhe Familjen - do të ndahet në dy takime të hapura për të gjithë: njëri më festiv, ku do të marrin pjesë, ndër të tjerë, edhe kardinali Kevin Joseph Farrel, prefekt i Dikastrit për Laikët, Familjen dhe Jetën e kardinali Angelo De Donatis, vikar i dioqezës së Romës; tjetri, më teologjik, me ekspertë dhe profesorë. Pritet një mesazh nga Papa Françesku.

Amoris Laetitia, farë e mbjellë në brazdën e Kishës

“Amoris Laetitia - shpjegon për Radio Vatikanin don Giovanni Cesare Pagazzi, profesor i eklesiologjisë dhe i bashkësisë familjare në Institutin Teologjik Papnor Gjon Pali II, një nga relatorët e uebinarit - është dokument i gjallë dhe i ndërlikuar, mbjellë në brazdën e historisë së Kishës dhe, si të gjitha farat, ka nevojë për kujdes e vëmendje. Viti kushtuar kësaj Nxitjeje apostolike u shpall nga Papa për të verifikuar efektin e këtij dokumenti në marrëdhëniet familjare”.

Osmozë ndërmjet teologjisë dhe baritorisë

Sipas don Pagazzi-t, organizimi i uebinarit është “përgjigje e denjë edhe ndaj një ftese, që ka bërë Papa në një dokument tjetër, ‘Veritatis Gaudium’, kushtetutë apostolike për universitetet dhe fakultetet kishtare, ku Ati i Shenjtë uron të krijohet një osmozë ndërmjet punës teologjike dhe asaj baritore. E ky takim është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet tri organizatave tejet të ndryshme, por të bashkuara për të njëjtin qëllim”.

16 mars 2021, 08:16