Kryeipeshkvi  Kaigama i Abujës, Nigeri Kryeipeshkvi Kaigama i Abujës, Nigeri 

Nigeria. Kaigama: t’u japësh të hanë të uriturve, është formë lutjeje

Kryeipeshkvi i Abujës, imzot Ignatius Kaigama bën thirrje për solidaritet konkret në vendin, të cilin Covid-19 edhe varfëria e rrënuan edhe më shumë se ishte. Më se 80 milionë njerëz vuajnë për bukën e gojës. E kush ka uri, duhet dashur me fakte, jo me fjalë të thata, kujton prelati nigerian!

R. SH. - Vatikan

Duhet vënë në jetë e para nga shtatë veprat e mëshirës trupore: “T’u japësh të hanë të uriturve! Është urdhër etik, por edhe formë e lutjes”. Këtë theksoi kryeipeshkvi i Abujës, në Nigeri, imzot Ignatius Kaigama, duke kremtuar këto ditë Meshën në famullinë dioqezane të “Shën Mateut”. Në homelinë e rastit prelati vuri në dukje situatën e rëndë, plot pasiguri, papunësi e pandemi, me pasojë mungesën e ushqimit në këtë vend afrikan, ku 80 milionë njerëz vuajnë nga uria. Duke kujtuar enciklikën “Caritas in veritatis”, shkruar më 2019 nga Papa, tani i nderit, Benedikti XVI, kryeipeshkvi nigerian pohoi: “E drejta për ushqim, ashtu si e drejta për ujë, zë një nga vendet më të rëndësishme, ndërmjet të drejtave të tjera”. “Të varfërit - theksoi me forcë - duhen dashur me fakte, jo me fjalë”.

Nigeria, kryeqytet botëror i varfërisë

Imzot Kaigama shprehu kështu shqetësimin e tij të thellë për faktin se Nigeria po fiton titullin aspak të këndshëm “kryeqytet botëror i varfërisë”, edhe si pasojë e bashkëjtesës së disa faktorëve, si konfliktet dhe papunësia, që po bëhen shkak i thellimit të varfërisë deri në atë pikë, sa në vend të mbretërojë uria. “Trojet tona janë pjellore - vuri akoma në dukje kryeipeshkvi i Abujës - ndaj varfëria e plotë dhe pasiguria ushqimore, nga e cila vuajnë nigerianët, janë pasojë e mungesës së vullnetit politik e të largpamësisë ekonomike në të gjitha nivelet”.

Pamje të trishta, jo vetëm nigeriane

Prelati kujtoi, më pas, edhe të shpërngulurit e brendshëm, lypësit, që shtrijnë dorën në skajet e skutat e rrugëve, të rinjtë e papunë, që ëndërrojnë vetëm ikjen nga ky vend, i cili nuk të jep të hash; pensionistët e braktisur në vetmi e mjerim; por edhe sulmet e kryera nga njerëz të armatosur kundër bujqve, të cilëve kohët e fundit u janë rrëmbyer tokat e shtëpitë.

Prej këndej kryeiepshkvi theksoi se mungojnë përpjeket e sinqerta  “për t’u siguruar bukën e gojës të uriturve”. Në këtë situatë, kryedioqeza e Abujës nuk mjaftohet vetëm me fjalë, por kalon në vepra: shpall “Fushatën e Kreshmëve” duke u shpërndarë të varfërve pako me sendet më të nevojshme e duke organizuar mbledhjen e lëmoshëve për t’i ndihmuar konkretisht. Por edhe duke kërkuar nga qeveria të marrë masa konkrete për zhvillimin bujqësisë, e duke theksuar se duhet luftuar kultura e hedhurinës, duke mos lejuar që prodhimet bujqësore të kalben e të flaken, për shkak të mungesës së strukturave të grumbullimit e të tregut. Kërkoi edhe të përballohet me frymë krijuese ky problem, që popullsisë të mund t’i krijohen ambientet e favorshme për zhvillimin e ekonomisë bujqësore në fshatrat, prej nga vjen “drithi” për të uriturit e sotëm, që janë të ngopur me fjalë, por jo me bukë!

13 mars 2021, 12:25