Nandçja e Shën Jozefit

O Rojtar plot pastri i Zojës së Bekueme, Shën Jozef, ashtu siç ishte i madh trishtimti yt - e dhimbja e zemrës sate - kur nise me dyshue e deshte me e lanë të kulluemen, Zojën e Bekueme - ashtu i pashembullt qe edhe gëzimi yt kur Engjëlli të dha lajmin e madh mbi themelin e hyjnueshëm të mishnimit të të Naltit Zot. Pash dhimben - e gëzimin tand - po të lutemi ta ngushëllosh shpirtin tonë me një jete të mirë e, në fill të mordes - me gëzimin e një deke shenjte, që t’i përngjajë sates, ndër duer të Jezu Krishtit e Zojës së Bekueme!”.

R.SH. - Vatikan

Dita e parë:

O Rojtar plot pastri i Zojës së Bekueme, Shën Jozef, ashtu siç ishte i madh trishtimti yt - e dhimbja e zemrës sate - kur nise me dyshue e deshte me e lanë të kulluemen, Zojën e Bekueme - ashtu i pashembullt qe edhe gëzimi yt kur Engjëlli të dha lajmin e madh mbi themelin e hyjnueshëm të mishnimit të të Naltit Zot. Pash dhimben - e gëzimin tand - po të lutemi  ta ngushëllosh shpirtin tonë me një jete të mirë e, në fill të mordes - me gëzimin e një deke shenjte, që t’i përngjajë sates, ndër duer të Jezu Krishtit e Zojës së Bekueme!”.

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

Dita e dytë

O Fatlumi Patriak, Shën Jozef,  që u zgjodhe për të zanë vendin e babës të Birit të Tënzot: ajo dhimbje që provove nësa e shihje tue lindë aq vorfnisht Jezu Krishtin - t’u shndërrue vrullshëm në gëzim të pashoq, kur ndigjove  kangët e Engjujve e sodite lumninë e asaj nate të madhe, plot me dritë e himne qiellore…

Pash atë dhimbë - e atë gëzim, që ndjeu zemra jote, por të lutemi me na e nxjerrë hirin që, mbas kësaj jete, të vijmë edhe na me ndigjue lavdet e Engjujve e me gëzue të mirat e lumnisë së pasosun!

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

 Dita e tretë

O i lumnueshmi Shën Jozef, ti që iu binde gjithnjë ligjit të Tënzot, sa  fort u trishtove kur Shëlbuesi ynë, ende fëmijë, derdhi për herë të parë gjakun e vet. Sa ta theri zemrën, ai gjak! Por prap se prap, emni i Jezu Krishtit të ngushëlloi e t’i teri lotët.

Për atë vaj e për këtë gaz - po të lutemi të na nxjerrësh hirin që, tue ndejë larg veseve të këqija në këtë jetë, të vdesim në paqë e qetësi, me emnin e Jezu Krishtit në gojë e në zemër.

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

Dita e katërt

O Shenjt fort besnik, pjesëtar në themelet e shëlbimit tonë, sa fort ta preku zemrën profecia e Simon plakut, kur foli për mundimet, që do të hiqte Krishti e Zoja e Bekueme! Por edhe ma fort  të mbushi me gëzim, kur të tregoi se nga ato mundime do të shëlboheshin shumë shpirtën, në rrjedhë shekujsh.

Pash dhimbjet e gazmendin tand, po të lutemi të na nxjerrësh hirin që edhe na të jemi ndërmjet atyne fatbardhëve të cilët, përmes meritimeve të Krishtit e lutjeve të Zojës së Bekueme, do të ngjallen një ditë të lumnuem!

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

Dita e pestë

O Rojtari ma i kujdesshëm e ma i dashun i të Birit të Tënzot, i lumi Shën Jozef, aq sa u mundove tue e rritë të Birin e të naltit Zot e tue e ndihmue, sidomos kur t’u desht me ikë në Egjipt - aq edhe u gëzove tue e pasë përherë me vedi Jezu Krishtin e lum e, tue pá  si rrëxoheshin idhujt e egjiptianëve.

Pash këtë dhimbë - e këtë gëzim - po të lutemi me na nxjerrë hirin që, tue mbajtë larg nesh armikun e shpirtit tonë e rastet që na shtyjnë me ra në mëkat, të shkulet me rrajë prej zemrës sonë dashunija e këtij shekulli gënjeshtar e, tue u kapë për dore me Jezu Krishtin e me Zojen e Bekueme,  të jetojmë vetëm për Ta -  e për Ta e me Ta edhe të vdesim!

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

Dita e gjashtë

O Engjulli i shekullit, i lumi Shenjti Sh’Jozef, ti që e pate nën pushtet tand Mbretin e Qiellës! Kah ktheheshe prej Egjipti zemra t’u trazue keqas prej frikës së Mbretit të Judenjve! Po prap se prap t’u ngushëllue, kur more vesht prej Engjëllit lajmin se Herodi nuk jetonte ma.

Atëherë zemra jote ra prap në fashë e, me Zojen e Krishtin  Fëmijë zutë vend në Nazaret.

Pash këtë dhimbë – e këtë gëzim të zemrës sate atnore, po të lutemi  të na nxjerrësh hirin që zemra jonë të shkarkohet prej çdo frike- e çdo tmerri, të cilët nuk mungojnë kurrë mbi këtë dhe - e të gëzojmë qetësinë e shpirtit, tue e shkue jetën në paqe me Jezu Krishtin e Zojen e Bekueme: e ndër duer të tyne të japim edhe shpirtin një ditë.

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

Dita e shtatë

O pasqyra e të gjitha virtyteve, i lumi Shejti Sh’Jozef, kur Jezu Krishti,  vetëm 12 vjeç, humbi - jo për faj tand - ti e kërkove tri ditë me dhimbë të madhe në zemër. Dhe e gjete, me gëzim edhe ma të madh - në Tempull të Jeruzalemit, në mes dijetarëve.

Pash këtë dhimbë - e këtë gëzim - po të lutemi me gjithë zemër t’i kërkosh për ne të madhit Zot hirin, që të mos e humbim kurrë me mëkat mortar Jezu Krishtin - e nëse e bjerrim, për fat të zi, ban që ta kërkojmë me dhimbje në zemër, derisa ta gjejmë rishtas: të butë e të mëshirshëm, si gjithnjë, sidomos në fill të mordes, që të mund të shkojmë me gëzue në Parriz, e atje, bashkë me ty, ta levdojnë e ta nderojmë përgjithmonë e jetës.

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

Dita e tetë

O i lumi Shenjti Sh’Jozef, Rojtari ma i zgjedhun e ma besnik i të pastërve! Ty i madhi Zot të la në dorë sundimin mbi Zojën e mbi Birin e vet, Jezu Krishtin, për ta mbajtë, për ta rritë e për ta pështue ndër rreziqe të jetës. Ty ta pështeti nanën e këtij Fëmije të hyjnueshëm, të Lumen Zojën e Bekueme, për t’ia ruejtë nderën e pastrinë e për t’ia lehtësue mundimet e skamin e rrënesës.

Qe se edhe vetë po të porositem, o Shenjt i madh. Due me ndejë krejt e përgjithmonë në dorë tande. Më ruej të pastër e të urtë, me njatë kujdes që ruejte Krishtin e vogël. Bân që t’i kaloj ditët e jetës seme përherë mirë me Zotin: mos më lësho, sidomos, në fill të mordes, që të mund të më dalë shpirti si ty, ndër duert e të Lumit Jezu Krisht e të Zojës së Bekueme. Ashtu kjoftë.

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

Dita e nandtë

O  i lumnueshmi Shejti Sh’Jozef, po lëshohemi sot me përvujtni në kambët tua e po të kushtohemi ty, tue e dijtë sa të mëdha ishin virtytet tua, sa e naltë lumnia e sa e fuqishme mbrojtja jote, që e ban besimtarin me të nderue e me t’u lutë ma shumë se gjithë shenjtënve të qiellës.

Tue pasë pranë Jezu Krishtin, që  deshti të ishe ati i tij  i kujtuem mbi tokë e të Shenjtnueshmen Mari,  që të mori e të pat fat tepër të pastër, na sot po të zgjedhim si mbrojtës  të posaçëm, si prijës në rrugën e jetës sonë.

Këshilltar në lëkundjet tona, Atë fort i dashun, po e lëshojmë gjithçka në duert tua: ditën tonë, të ardhmen tonë, krejt jetën tonë e, sidomos shëlbimin e shpirtit tonë e të të gjithë të dashunve.

Pranoje, o Shën Jozef, këtë përkushti tonën, na merr të gjithë nën mbrojtjen tande të posaçme. Na del Zot kurdoherë në jetë, e sidomos në fill të mordes sonë. Rri pranë nesh me Jezu Krishtin  e Zojën e Bekueme në rektimin tonë të fundit. Na ndihmo, na mbro, na ngushëllo në çastin e grahmës sonë të mbrame, që  të bashkohemi me ty në qiell. Ashtu kjoftë.

Lutu për ne, o Shejti Sh’Jozef

Që të bahemi të dejë për premtimet e Jezu Krishtit!

Atynë, Falemi Mrí, Qoftë lumni Atit.

 

Lutjet e u morën nga Visari Shpirtnuer, Bot.IV, Witerberg – Çekosllovaki – Shpí Botuese Kat. J. Steinbrener, 1936, fq.317- 323- e u kthyen në gegnishten, që vijon të flitet edhe sot në viset veriore e të përdoret fort sidomos ndër lutje.

11 mars 2021, 13:07