Logo i Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar në Budapest të Hungarisë, shtyrë në vitin 2021, për shkak të pandemisë Logo i Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar në Budapest të Hungarisë, shtyrë në vitin 2021, për shkak të pandemisë

Kardinali Erdö: në Hungari ka uri për Eukaristinë, Papa do të jetë dëshmitar i shpresës

Kryeipeshkvi i Esztergom-Budapestit komenton njoftimin e Papës Françesku për praninë e tij në meshën, që mbyll Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar, i cili do të mbahet nga 5 deri më 12 shtator në kryeqytetin hungarez. “Të gjithë, jo vetëm katolikët, janë entuziastë”, do të jetë dritë “pas muajsh errësire dhe pandemie”

R.SH. - Vatikan

“Megjithëse në këtë kohë në Budapest, meshët në praninë e besimtarëve janë pezulluar, për shkak të pandemisë, kishat nuk janë të mbyllura dhe ka njerëz, që vijnë të luten para të Shenjtnueshmit Sakrament. Është prekëse të shohësh sa etje e sa uri kanë njerëzit për Eukaristinë”. Kardinali Peter Erdö, kryeipeshkëv metropolit i Esztergom-Budapestit dhe Primat i Hungarisë, pret me optimizëm Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar, i cili do të mbahet në kryeqytetin hungarez nga 5 deri më 12 shtator të këtij viti e, komenton me gëzim të madh fjalët e Papës Françesku, i cili në avionin që e kthente nga Iraku në Romë, njoftoi se do të jetë i pranishëm në meshën për mbylljen e tij.

Kryqi i Misionit, simbol i Kongresit

 “Kongresi do të zhvillohet pa dyshim - siguron kardinali Erdö, pas shtyrjes nga viti 2020 në vitin 2021, për shkak të Covid-19. - Jemi të përgatitur për skenarë të ndryshëm të zhvillimit të pandemisë”. Programi parashikon që Papa Françesku të kryesojë meshën e mbylljes dhe Statio Orbis në Sheshin e Heronjve, ku do të kumtojë edhe vendin, që do të mirëpresë Kongresin e 53-të Eukaristik. Pranë altarit të meshës përfundimtare të Kongresit të Budapestit, pasditen e 12 shtatorit, do të vendoset Kryqi i Misionit, simbol i ngjarjes, realizuar më 2007 me rastin e Misionit Qytetar nga argjendari Csaba Ozsvári, që ndërroi jetë në vitin 2009. Një vepër prej 3 metrash e 20 centimetrash, në dru lisi, e mbuluar me një fletë bronzi, ku janë vendosur një relike e Shenjtes Krygjë dhe reliket e shenjtorëve hungarezë, nga Shën Adalberti te Shën Shtjefni mbret, nga Shën Tomas Beketi te Papa i lum Inoçenci XI dhe e lumja Anna Kolesár.

Përtëritja shpirtërore e hungarezëve

Papa Françesku e bekoi Kryqin, që tani po shtegton nëpër gjithë Hungarinë, por që zakonisht gjendet në Bazilikën e Esztergomit, më 20 nëntor 2017, në fillim të vizitës “ad limina apostolorum” të ipeshkvijve hungarezë në Romë, duke shpresuar që ai të bëhet simbol i përtëritjes së vërtetë shpirtërore të popullit hungarez.

Erdö: entuziast për Papën, një dritë në pandemi

E pyetëm kardinalin Erdö si i priti Kisha në Hungari fjalët e Papës gjatë konferencës për shtyp, në udhën e kthimit nga Iraku.

E pritëm lajmin me shumë gëzim, jo ​​vetëm ne katolikët, por e gjithë shoqëria hungareze. Edhe kanalet e ndryshme televizive e transmetuan menjëherë e, bashkësitë e tjera fetare, grupet e tjera të shoqërisë janë shumë entuziastë. E presim Atin e Shenjtë si dëshmitar të shpresës, sepse prania e tij mund të japë shpresë pas kaq muajsh errësire dhe pandemie. Të rinisim jetën, të përtërihemi falë Shpirtit Shenjt, ky është qëllimi i takimit: shpresojmë që ta takojmë Krishtin në Budapest, në një mënyrë tejet solemne, në muajin shtator.

Si po shkon përgatitja, duke pasur parasysh vitin e shtyrjes, kufizimet për shkak të pandemisë e pasigurinë për zhvillimin e Kongresit?

Është e vërtetë që ka vështirësi të papritura, por projektet e mëdha vijojnë. Për shembull, është gati mesha në dialektin cigan “Iovari”, kemi gati disa meshë zyrtare, kemi himnin e Kongresit Eukaristik, i cili është shumë i bukur e kemi edhe shumë programe kulturore në mass media, me përmbajtje të krishterë. Pra, po përgatitemi për këtë ngjarje të madhe. Sido që të jetë puna, Kongresi do të mbahet, pa dyshim, e po përgatitemi për skenarët e ndryshëm të zhvillimit të pandemisë. Kemi edhe programe baritore, por sidomos një rrjet njerëzish, që luten dhe marrin pjesë në adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament. Megjithëse në këtë kohë, në Budapest për shembull, meshët publike janë pezulluar, për shkak të pandemisë, kishat nuk janë të mbyllura dhe ka njerëz që vijnë të luten para të Shenjtnueshmit Sakrament. Është prekëse të shohësh sa të etur dhe sa të uritur janë njerëzit për Eukaristinë.

“Të gjitha burimet e mia janë në ty”: kjo është tema e Kongresit, që do të mbahet në zemër të Evropës. “Të rizbulohet forca e ripërtëritjes në Zotin” ishte ndërkaq, këshilla e Papës në dhjetor 2019 për këtë takim. Pra, ta vendosim sërish Jezusin-Eukaristi në qendër të jetës, apo jo?

Sigurisht, u kemi dhënë besimtarëve këshilla për t’u thelluar, për të njohur më mirë mësimet e Papës Françesku mbi Eukaristinë, si mundësi përgatitjeje për Kongresin.

11 mars 2021, 13:31