Cristo Pantocratore Cristo Pantocratore 

Jezusi na thotë: “Unë jam drita e botës”

Jezusi na thotë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek, nuk ecën kurrë nëpër terr. Kush beson në mua, mund t’i bëjë ballë tundimit, që e shtyn të mendojë se jeta është e kotë, pa farë kuptimi.

R.SH. - Vatikan

Në Ungjillin e Gjonit (Gjn 12,44-50), Jezusi pohon: “Kush më beson, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi; kush më shikon, shikon atë që më dërgoi. Unë erdha në botë si dritë, që kushdo beson në mua, të mos mbetet në mes të errësirës. Nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia e nuk i zbaton, unë nuk e dënoj, sepse nuk erdha për ta dënuar botën, por për ta shpëtuar. Atë që nuk më pranon e nuk do t’i dëgjojë fjalët e mia, ka kush e dënon: fjala që thashë do ta dënojë në ditën e mbrame”.

Ky fragment i Ungjillit, na bën të shohim qartë afërsinë që kishte Jezusi me Atin. Krishti bënte çka i thoshte Ati. Ndaj pohon: “Unë erdha në botë si dritë, që kush beson në mua, të mos mbetet në errësirë”. Paraqitet si dritë, sepse misioni i Jezusit është të ndriçojë. Prandaj, duke folur për veten, thotë: “Unë jam drita e botës!”.

Izaia Profet e pati profetizuar këtë dritë: “Populli, që ecte në terrina, pa një dritë të madhe!”. Është premtimi i dritës, që do ta ndriçojë popullin. Edhe misioni i apostujve është të sjellin dritën në botë. E Pali na kujton se ishte zgjedhur për të shndritur, “për ta sjellë pikërisht këtë dritë”. Që nuk ishte e tija, por e një tjetri. Është misioni i Krishtit dhe i apostujve të Tij: “të ndriçojnë, sepse bota është e zhytur në errësirë”.

“Drama e dritës së Krishtit është se nuk u pranua”, siç na e kujton Gjoni në fillim të Ungjillit: “Erdhi tek të tijtë, e të tijtë nuk e pranuan. Donin më shumë errësirën, sesa dritën”. Ishin mësuar me terrin, me jetën në terr. E kjo do të jetë lufta e Jezusit. E vazhdueshme: të ndriçojë, të sjellë dritën, që të bën t’i shikosh gjërat ashtu si janë, të bën të shikosh lirinë, të bën të prekësh të vërtetën, me dritën e Krishtit.

Jezusi na thotë: “Unë jam drita e botës”; kush më ndjek, nuk ecën kurrë nëpër terr. Kush beson në mua, mund t’i bëjë ballë tundimit, që e shtyn të mendojë se jeta është e kotë, pa farë kuptimi. E nuk do t’i shkojë as nëpër mend se do të ishte më mirë të vriste veten, sesa të jetonte një jetë të kotë, të mundimshme, plot me mungesa e nëpërkëmbje me një fund të tmerrshëm:

…Se kush duron përbuzjen dhe kamçikn’ e botës,
Zullumn’ e shtypësit, përdhunën e krenarit,
Lëngimn’ e dashuris’ së papërfillur,
Vonimn’ e ligj’s, goj’-çthurrjen e zyrtarit,
Dhe shkelmet, që çdo vlerë zemërgjërë
Nga të pavlershmit merr, kur munt ta lajë
Hesapin fare me një copë thikë?
Kush vallë barra mban e kush dërsin,
Rënkon nënë një jetë të mërzitur,
Po vetëm tmer’ i asaj diçka pas vdekjes –
Vendit të pazbuluar, nga s’ na kthehet
Kurr’ udhëtari – na trullos vullnetin,
Dhe vuajmë të ligat që po kemi
Se sa të hidhemi n’ato që s’ dimë…

… fjalë, këto, që Shekspiri i vë në gojën e Hamletit…

Po Jezusi na kujton çdo çast: “Kush më beson, nuk ecën në errësirë”. E di fare mirë prej nga vjen, ku shkon e ç’duhet të bëjë ndërmjet dy caqeve kryesore të  jetës: lindjes e vdekjes! Mbi të gjitha e ndjen se dikush e do! Se ky dikush dhuroi edhe jetën për t’ia dëshmuar këtë dashuri! E më pas edhe u ngjall prej të vdekurve, për ta siguruar se vdekja nuk e thotë kurrë fjalën e fundit!

 Mendohej se me zhvillimin e teknikës, besimi në Krishtin do të perëndonte një herë e përgjithmonë. Se njeriu do ta harronte kuptimin e jetës, i pushtuar nga ethet për ta jetuar me fund çdo çast, para se të shndërrohet në pluhur! Për t’i realizuar edhe ëndrrat më të parealizueshme. Duke ecur në të gjitha shtigjet e mundshme. Edhe në ato, që të çojnë drejt greminës. Po kur këto synime zbehen, kur zhduket rinia, shëndeti, fama, shumëkush nis ta ndjejë frikën e vdekjes. Shumëkush! Po jo besimtari.

Sepse Jezusi na thotë edhe: “Unë jam ringjallja e jeta: kush beson në mua, edhe pse vdes, do të jetojë”. Do të ketë jetën e pasosur. Sepse Krishti është “Zot i vërtetë. Eshtë jeta e vërtetë e jep jetën e vërtetë”. E sidomos, atyre që besojnë në Të, u jep sigurinë, që i bën ballë çdo ankthi!

Krishti është Zot i vërtetë i jetës së pasosur dhe dhuron jetën e pasosur. Kjo, sigurisht, nuk e shpëton njeriun nga frika e fundit, por e siguron se jeta nuk mbaron me vdekjen. E se jeta duhet vënë pikërisht në shërbim të jetës. Asaj që nuk zbret nën dhe, por ngjitet në qiell!  

Tekst i frymëzuar nga Predikimi III i Kreshmëve i kardinalit Cantalamessa në Vatikan

13 mars 2021, 17:20