E Diela e Larit në Jeruzalem E Diela e Larit në Jeruzalem 

E Diela e Larit në Jeruzalem

Në Jeruzalem Java e Madhe u hap me procesionin e Palmave, kryesuar nga patriarku latin, imzot Pierbattista Pizzaballa.

R. SH. - Vatikan

Portat  e Bazilikës së Varrit të Shenjtë, të hapura në dy kanatat, i pritën meshtarët dhe besimtarët për kremtimin e së Dielës së Palmave. Kështu u hap në Jeruzalem, Java e Madhe, ndryshe nga viti i kaluar, kur vendi ndodhej ende në fillim të emergjencës shëndetësore e liturgjia e parashikuar u kremtua me porta të mbyllura. Ndonëse hyrja e shtegtarëve në Tokën Shenjte vijon të jetë e ndaluar. Fushata masive e vaksinimeve po ndikon fuqimisht për hapjen graduale të veprimtarive e, prej këndej, besimtarët vendas do të kenë mundësi të marrin pjesë masivisht në kremtime.

Pjesëmarrje plot besim në misteret e Pashkëve

Kështu dje, në praninë e asamblesë së vogël në festë, patriarku latin imzot Pierbattista Pizzaballa,  kryesoi liturgjinë e së Dielës së Palmave, të Ullinjve e të Larit, përballë Varrit të Krishtit.

“U mblodhëm sot këtu, ku Krishti vdiq e u ngjall. Ky kremtim është prelud i Pashkëve të Zotit i cili, për të vënë në jetë misterin e Mundimeve, të vdekjes e të ngjalljes, hyri në Jeruzalem, qyteti i Tij. Ndaj me fe e devocion të madh, duke kujtuar këtë hyrje shpërblyese, ta ndjekim Zotin e, për hir të Kryqit, të bëhemi shokë udhe të Krishtit e pjesëtarë të Ngjalljes e të jetës së Zotit”. Me këtë lutje Patriarku latin i nxiti besimtarët ta përkujtojnë, me një procesion të vogël brenda Bazilikës së Varrit të Shenjtë , udhën që bëri Jezusi duke hyrë në Jeruzalem.

Procesioni në Bazilikën e Varrit të Shenjtë

Besimtarët gjithë gëzim e duke tundur degët e palmave e të ullinjve të sapo bekuara, u sollën, sipas traditës, tri herë rresht rreth Varrit Shenjt. Më pas nisi Mesha, gjatë së cilës u këndua me tre zëra, në latinisht, faqja ungjillore e Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krishtit. Imzot Pizzaballa pas shpalljes së Ungjillit, kërkoi një minut heshtje. E në atë minut besimtarët medituan çastet kulmore të  fesë së tyre: hyrjen ngadhënjimtare në Jeruzalem, të Dielën e Larit e, vetëm një javë më pas, kryqëzimin, për t’u ngjallur në të tretën ditë!

Pastaj, mbi Malin e Ullinjve

Përveç kremtimeve të paradites në Bazilikën e Varrit Shenjt, një nga çastet më të pritura në Jeruzalem ishte procesioni i pasdites mbi Malin e Ullinjve. Pas ndalimit të vitit të kaluar, për shkak të emergjencës shëndetësore,  procesioni i sivjetëm ishte një nga manifestimet më të mëdha publike në Tokën Shenjte. Simbol i ringjalljes! I kthimit në normalitet e, sidomos, i besimit se na presin ditë më të mira, ditë ringjalljeje!

Nga Kisha e Betfages, shenjtore mbi Malin e Ullinjve, që ngrihet pikërisht në vendin ku turma e brohoriti Jezusin nësa po hynte në Jeruzalem, procesioni zbriti drejt qytetit. Patriarku latin bëri një ndalesë në Shenjtëoren Dominus Flevit, traditë që nisi vjet e u përsërit edhe sivjet “sipas kërkesës së banorëve vendas e të famullisë së Jeruzalemit” – siç pohoi Patriarku. Nga vendi prej ku Jezusi shikoi Jeruzalemin e qau mbi të (“Dominus Flevit”, do të thotë pikërisht “Zoti qau”), imzot Pizzaballa  i dha bekimin Qytetit Shenjt, atje poshtë. Procesioni nuk u mbyll, si zakonisht, në Kishën e Shën Anës, por, pas hyrjes në qytet, përfundoi në prag të qytetit të vjetër, te Porta e Luanëve.

Pashkë të qeta, pavarësisht nga pandemia

“Do të kremtojmë një Javë të Madhe  më të qetë në krahasim me vitin e kaluar, edhe pse me  pak njerëz - kujtoi Patriarku latin - Pa harruar se një pjesë  e mirë e dioqezës  vijon të jetojë në një situatë dramatike për shkak të koronavirusit, ashtu si Palestina e Jordania, por  duhet të gëzohemi se në Jeruzalem mund të kremtohet normalisht! E të mos harrojmë se mbi Qytetin Shenjt këto ditë drejtohen sytë dhe zemrat e mbarë krishterimit”.

29 mars 2021, 10:51