Kalorësit e Apokalipsit (1887), Victor Vasnetsov Kalorësit e Apokalipsit (1887), Victor Vasnetsov

Çelësi i fjalëve të Kishës. Zbulesa, vulat e hapura nga Qengji

Vijojmë komentin e Librit të Zbulesës. Sot do të shohim pjesën, ku flitet për vulat, të cilat mund t’i thyejë vetëm Qengji i flijuar. Kapitujt nga 5 deri tek 8-a janë njëkohësisht, nxitje për të bërë pyetje mbi çastin e mbramë të njeriut, duke kërkuar pa reshtur përgjigje, siç kanë bërë shkrimtarë, poetë e artistë në të gjitha kohrat. Ndjekim, si gjithnjë, vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Nëse një e treta e 33 herëve, në të cilat përdoret në Bibël fjala “Qengji” ndodhet në Librin e Zbulesës, kjo do të thotë se fytyra historike e këtij të Gjithpushtetshmi, që gjykon gjithë botën, është ajo e Qengjit të flijuar, “të prerë”, por që qëndron drejt në këmbë. Jemi në kapitullin e pestë, ku përshkruhet ky vizion:

“Atëherë vura re: në midis të fronit dhe të katër Gjallorëve, në midis të udhëheqësve, qëndronte - si i prerë – Qengji” (Zb 5,6).

Ky vizion paraprihet nga vaji. Lotët e atij, që sheh një libër e nuk arrin të gjejë personin, i cili mund t’i thyejë vulat e ta hapë. Vaj i dëshpëruar, që shën Gjoni e dëgjon e përpiqet t’i japë përgjigje. Pastaj, një lojë befasuese fjalësh: ai, që fiton është “Luani nga fisi i Judës”, i vetmi që mund të thyejë vulat e ta hapë librin. Por Luani është Qengji e, ai që fitoi është edhe ai që u flijua, i cili qëndron drejt mbi fron! Pamje e fjalë përzihen e pështjellohen, duke na bërë të hyjmë në një dramë të vrullshme, e cila është vetëm në fillimin e saj.

E ja, kthehet vaji, që bëhet britmë me zë të lartë, duke sqaruar edhe psenë e këtij Libri:

“Kur Qengji hapi vulën e pestë, pashë nën lter shpirtrat e vrarë për shkak të fjalës së Hyjit dhe për shkak të dëshmisë që kishin bërë. Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: ‘Deri kur, o Zotërues i shenjtë e i drejtë, do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë mbi banuesit e tokës?’ Atëherë secilit prej tyre i qe dhënë nga një petk i bardhë dhe u qe thënë të durojnë edhe pak kohë deri të plotësohet numri i shokëve të tyre të shërbesës dhe i vëllezërve që do të vriten sikurse ata” (Zb 5,9-11).

Hakmarrja! Një fjalë, që ishte zhdukur nga fjalori i Besëlidhjes së Re, për t’u dukur në fund të saj. E si mund t’i bëjë llogaritë sot feja e krishterë me këtë përvojë kaq njerëzore e kaq pështjelluese: me atë të një Zoti hakmarrës? Le ta lejojmë Zbulesën dhe britmën e të pafajshmëve të na detyrojnë të mendojmë se në gojën e një të pafajshmi të dhunuar nuk mund të ketë gjithnjë e vetëm kërkesë për falje, por edhe vaj në atë agoni, që e ndien fundin e tmerrshëm, si edhe britmë lartuar Zotit, i cili është shpresa e tij e fundit për shpagim.

Po, po! Ky Zot është hakmarrës! I pafajshmi i torturuar ka nevojë ta dijë këtë, duhet ta shpresojë, e ka për detyrë të kërkojë që të mbërrijë dita e zemërimit hyjnor, para të cilit askush s’mund të rezistojë!

Vulat thyhen deri sa mbërrijmë tek e fundit, e shtata e, gjithçka hesht. Bëhet një heshtim i madh! Një mrekulli e trishtë, që regjizori i famshëm Ingrid Bergman diti ta bëjë të pavdekshme në filmin e tij “Vula e shtatë”, në të cilin kalorësi Antonius, protagonist i lojës së shahut me vdekjen, e interpreton kështu misterin e asaj heshtjeje, pa përgjigje:

“Pse nuk është e mundur të ndihet Zoti përmes shqisave? Për ç’arsye fshihet mes mijëra e mijëra premtimeve e lutjeve të pëshpëritura e mrekullive të pakuptueshme? Pse duhet të kem besim në fenë e të tjerëve? Ç’do të bëhet me ata që as janë të aftë, as nuk duan të kenë fe? Pse s’mund ta vras Zotin brenda vetes? Pse vazhdon të jetojë në mua, megjithëse në mënyrë të turpshme e poshtëruese, pavarësisht se unë e mallkoj dhe dua ta shkul nga zemra? E pse, përtej gjithçkaje, ai vazhdon të jetë thirrje, që më prek shpirtin e që s’mund ta heq qafe?”

Heshtimi pas britmave, thirrjeve, vajit. Heshtja mbretëron para se të ndihet shpresa për përgjigje. Por ja trumbetat dhe përgjigjja me një zë tmerrues:

“Vaj, vaj, vaj për banuesit e tokës, për shkak të plagëve të trumbetave të tre engjëjve, që do të trumbetojnë!” (Zb 8,13)

Por për trumbetat, do t’ju flasim të enjten e ardhshme. Deri atëherë, lexojeni Librin e Zbulesës.

04 mars 2021, 08:15