Kuçedra dhe egërsira e Librit të Zbulesës Kuçedra dhe egërsira e Librit të Zbulesës

Çelësi i fjalëve të Kishës. Zbulesa, shtatë trumbetat

Pas shtatë vulave, vijnë shtatë trumbetat. Kjo pjesë e Librit të Zbulesës, të cilin vijojmë ta komentojmë sot, nuk mund të shpjegohet a të deshifrohet, është përsiatje e pastër mbi hakmarrjen e Zotit. Gjithçka zhytet në dhimbje, së cilës i shtohet vetëm dhimbje tjetër. Fjalët dëgjohen në heshtje të frikshme. Ndjekim, si gjithnjë, vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian don Federico Tartaglia

R.SH. - Vatikan

Nëse më parë ishin shtatë vulat, tani janë shtatë trumbetat, që paralajmërojnë betejën e madhe, në qendër të veprës, e cila shpallet me pohe e bujë:

“Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shpërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, tërmet dhe breshër i madh!” (Zb 11,19).

Erdhi çasti i ndeshjes, madje, i luftës në qiell, ku duken një grua e veshur me diell dhe një kuçedër e kuqe e, si në një përrallë, kuçedra (apo dragoi, siç thuhet në përkthimin shqip të Librit) përpiqet ta gllabërojë fëmijën, që po lindte gruaja. Por ja ku duket shën Mëhilli kryeengjëll e ushtria e tij hyjnore i shpall luftë kuçedrës. Ajo bie poshtë mbi tokë, ku fillon luftën kundër pasardhësve të gruas.

Kush prej nesh nuk do të donte t’i kuptonte simbolet e këtij “filmi” apokaliptik? Kush është ajo grua? Eva, Izraeli, Njerëzimi, Maria, Kisha… Gjithkush le të përgjigjet si mundet, por më parë, të bëjë pyetjen pse flitet për një luftë në qiell, e cila zhvendoset zhurmshëm mbi tokë. Ndeshja kozmike e qiellore duket se zhvillohet para të gjitha kohrave, por flitet për një orë, kur akuzuesi mundet e përplaset nga lart në tokë, ku s’bën tjetër, veçse të pështjellojë ata, që ruajnë e mbrojnë dëshminë e Jezu Krishtit.

Duket sikur kohët e shëlbimit mbivendosen e së fundi, takohen: rënia e engjëjve të përzënë nga shën Mëhilli, shpëtimi i kryqit të Krishtit, persekutimi djallëzor i besimtarëve, martirizimi i pasardhësve të gruas… Kohë, që nuk është përfundimtare, por e hapur e ciklike. Kuçedra bie, por, menjëherë, fillon një luftë e re mbi tokë, gjatë së cilës ajo mundet nga dëshmia e atyre, që i ka vrarë. E ende nuk është fundi, sepse i jepet kohë tjetër për të shfryrë furinë e vet. Ky lloj “filmi” përfundon me kuçedrën e ndalur në bregun e detit. Pa ndonjë arsye.

Por këtë arsye e zbulojmë shpejt, në kapitullin 13, kur krah kuçedrës duket egërsira, bisha. Të dëgjosh Librin e Zbulesës do të thotë edhe të imagjinosh e ta ndiesh gjithë pushtetin demoniak të kësaj ane të errët të forcës. Nëse kuçedra të bën përshtypje për forcën, egërsira që del nga deti të bën përshtypje me joshjen e saj. Vërtet, e gjithë toka e admiron e banorët e saj e adhurojnë.

Edhe në këtë rast, të kuptosh domethënien e kësaj figure, që ndoshta përfaqësonte Romën dhe perandorin e saj, duket sikur është e vetmja gjë interesante, por nuk është edhe më e rëndësishmja, sepse historia na paraqet vazhdimisht turma e popuj, që admirojnë e mashtrohen nga të pushtetshmit e radhës. Ajo, që të lë pa gojë, është përgjigjja, që dëgjohet nga Qielli. Para triumfit të egërsirës, para idhujtarisë së botës, Qielli lë të dëgjohet një ftesë për pak vetë, për ata, që kanë veshë për të dëgjuar Shpirtin e Hyjit: janë shenjtorët, të cilët me fe e qëndresë, mund të fitojnë mbi egërsirën.

“Kush ka veshë, le të dëgjojë! ‘Kush të jetë për robëri do të bjerë në robëri; kush të jetë për t’u prerë me shpatë, me shpatë do të pritet!’ Në këtë përmbahet qëndresa dhe feja e shenjtërve!” (Zb 13,9-10).

Libri i Zbulesës na bën këtu ta shohim në sy vdekjen, edhe atë më tragjike, kur e keqja duket sikur fiton kudo. Ky Libër, i lindur në stuhi, na thotë të bërtasim, të lutemi, të kemi besim, por, kur të vijë koha, të jemi gati për të vuajtur, gati për të vdekur.

E për ta esorçizuar vdekjen, fantazmën më të errët e më të uritur të ëndrrave tona më të këqija, autori i Librit të Zbulesës na bën që, së bashku me të, ta fiksojmë vështrimin mbi egërsirën, madje, nxjerr edhe një tjetër egërsirë nga toka, duke shpallur veprat dhe numrin e saj, 666, ndoshta, çasti më i famshëm i krejt tekstit.

Studiuesi i numerologjisë dhe i djallëzive të tjera nuk mund të ketë paqe kurrë me këtë Libër, por më shumë se të dimë nëse është fjala për perandorin romak Neronin, do të ishte interesante të dëgjonim ç’thuhet nga egërsira. Joshja nga e keqja është gjëja më e tmerrshme, që njeh njeriu e, sado zjarre të ketë vënë Neroni gjatë historisë, aradhja e bishave është pak si tepër e gjatë për ta fiksuar vetëm në një person të vetëm.

Autori përpiqet të na tregojë ligështinë e këtij pushteti, që vërtet është i dhunshëm, por edhe i destinuar të bjerë:

“Ra, ra Babilonia e madhe, që i dehu mbarë kombet me verën e zemërimit dhe të lavirësisë së vet!” (Zb 14,8)

Gramatika e këtij Libri nuk njeh ngjyrime. Egërsira lartohet, por pastaj, bie. E, ata që adhurojnë egërsirën do të ndjekin fatin e saj: “do të pijnë verën e zemërimit të Hyjit të pazbutur, të dikuar në gotën e zemërimit të tij dhe do të qiten në mundime në zjarr dhe në sulfur ndër sy të engjëjve të shenjtë dhe të Qengjit” (Zb 14,10)

11 mars 2021, 08:35