Ekonomia pa trafikun e njerëzve: Dita e lutjes kundër trafikut, 2021 Ekonomia pa trafikun e njerëzve: Dita e lutjes kundër trafikut, 2021 

Videomesazh i Papës për Ditën e lutjes kundër trafikut

Edhe Françesku do të marrë pjesë, të hënën, më 8 shkurt, në Maratonën botërore online të lutjes kundër trafikut, a shitjes së njeriut në tregjet e botës moderne. Nisma koordinohet nga rrjeti i jetës rregulltare Talitha Kum.

R. SH. - Vatikan

Trafiku është plagë e hapur “në trupin e njerëzimit bashkëkohor”. Papa Françesku e pati përkufizuar kështu, më 2015-tën, fenomenin e trishtuar, duke themeluar, për kujtim të Shën Bakhitës, murgeshës sudaneze, shitur skllave në moshën 9 vjeçare e liruar më pas, Ditën botërore të lutjes kundër trafikut të njerëzve, që kremtohet çdo vit më 8 shkurt. Dita e shtatë e Maratonës së lutjes, që sivjet bie në kulmin e pandemisë, do të kremtohet online, nga ora 10 - deri në orën 17, drejtpërdrejt në streaming në kanalin YouTube të Ditës Botëore (www.youtube.com/c/preghieracontrotrata). E përkthyer në pesë gjuhë, do të shtegtojë në vise të ndryshme të Planetit, duke ndezur reflektorët mbi fenomenin, për të sensibilizuar opinionin publik lidhur me njërin nga dy shkaqet kryesore të shitjes së njerëzve në pazaret e botës moderne: modelin ekonomik sundues. E kjo, edhe pse tema  e këtij edicioni është: “Ekonomi, pa trafikun e njerëzve”.

Udhët e mundshme, larg pazareve njerëzore!

Pritet në orën 13.40 të së hënes së ardhshme, Videomesazhi i Papës që,   me “Economy of Francesco”, tërhoqi vëmendjen e Kishës - shpjegon Gabriella Bottani, koordinatore e Talita Kum, rrjet i jetës rregulltare, që koordinon Ditën - mbi ekonominë e sotme, duke kërkuar të gjinden rrugë alternative. Jemi në sintoni të plotë me këtë kërkim, mbasi trafiku i njerëzve - nënvizon - është pjesë përbërëse e ekonomisë së përjashtimit, ku rregullat e tregut po i shkatërrojnë vlerat e bashkëjetesës njerëzore, bazuar mbi respektin dhe dinjitetin, por edhe mbi mbrojtjen e ambientit. Angazhimi i rrjetit është të hapë së bashku “rrugën e reflektimit për një ekonomi, që mbron jetën e krijon punë dinjitoze për të gjithë”.

Talitha Kum

Komiteti ndërkombëtar i Ditës botërore, i koordinuar nga Thalita Kum, rrjet i jetës rregulltare kundër trafikut të njerëzve i Bashkimit  Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme (UISG), punon në lidhje të ngushtë me Seksionin Migrantët dhe Dikasterin për Zhvillimin e Gjithanshëm të Njeriut, Caritas Internationalis, Bashkimin Botëror të Organizatave Femërore Katolike, Lëvizjen e Fokolarëve e shumë e shumë organizata të tjera femërore, të angazhuara në nivel vendor. Nga ora 10.00, në të katër anët e botës do të ushtojë lutja, duke nisur nga Oqeania, për të vijuar në Azi e në Lindjen e Mesme e për të arritur, pastaj, në Afrikë e në Evropë. Pas fjalëve të Papës Françesku, është radha e Amerikës Latine e, së fundi, e Amerikës veriore, që do të thotë edhe lutjen përfundimtare. Kjo ditë kaq prekëse, që ka në zemër lutjen drejtuar Zotit për ta çliruar njeriun-skllav të kohëve tona, të vetëquajtura moderne, mund të mbështetet edhe përmes hashtagut zyrtar#PrayAgainstTrafficking.

05 shkurt 2021, 15:24