2021.02.11 Gesù guarisce un lebbroso, Cattedrale di Monreale, mosaico 2021.02.11 Gesù guarisce un lebbroso, Cattedrale di Monreale, mosaico

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Në të dielën e sotme, e gjashta e vitit liturgjik B, Ungjilli sipas Markut, në kreun e parë, na paraqet shërimin e një të gërbuluri nga Jezu Krishti. Pyetja, që shtrohet edhe në ditët e sotme, karakterizuar nga pandemia e koronavirusit, është: Jezusi, a mos erdhi vallë për të shëruar sëmundjet me mrekulli? Natyrisht, Jezusi jep shpesh prova se ka mëshirë para vuajtjes së njeriut, por gjithnjë, vepron për ta liruar të sëmurin jo aq nga sëmundja sa nga një skllavëri më e thellë, nga një gërbulë, që kthehet në kronike, ndërhyn për ta liruar nga mëkati. Në të gjitha fushat, ku është në lojë dhimbja e njeriut, ku dinjiteti i tij si bir i Zotit është në rrezik, ku ka mënjanim e braktisje, Jezu Krishti ndërhyn, duke i dhënë shembullin Kishës së Tij. Që ajo të jetë e besueshme, pikërisht në këto vende duhet të çojë gjithnjë shëlbimin e Krishtit. Të ndjekim Ungjillin…

R.SH. - Vatikan

40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut: “Nëse do, mund të më pastrosh!” 41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!” 42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. 43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht: 44 “Shih - i tha - mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka u ka urdhëruar Moisiu - atyre për dëshmi”. 45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.

Të lutemi së bashku:

Çdo sëmundje, o Jezus, nuk prek vetëm trupin,

por edhe thellësitë e shpirtit

e është kohë sprove:

njeriu hyn në hapësirat e errta

të dyshimit e të dëshpërimit,

të vetmisë e të rebelimit,

të trishtimit e të rraskapitjes,

sa e sa herë tundohemi të dorëzohemi

t’i ngremë duart përpjetë e ta lëshojmë veten.

 

Në kohën tënde, për shumë arsye, gërbula ishte

një fatkeqësi, që ngjallte

frikë e madje, terror:

ndërsa trupi shpërfytyrohej pashmangshëm,

të largonin nga fshati, nga familja,

pikërisht në çastin e nevojës më të madhe

të mungonte mbështetja e domosdoshme.

 

Sa dhembshuri, sa mëshirë o Jezus,

në gjestin delikat, por të rrezikshëm,

me të cilin shëron atë njeri

të sëmurë nga gërbula!

 

Sa gëzim,

sa mirënjohje

nga ana e atij, që iu kthye

shëndeti e mundi t’i prekë të vetët,

iu kthye jeta!

 

Na liro edhe ne, o Zot,

nga çdo gërbulë, që e shpërfytyron

dhe e shëmton zemrën,

nga çdo sëmundje ngjitëse, që na e shkatërron jetën!

13 shkurt 2021, 13:21