Çelësi i fjalëve të Kishës. Zbulesa

Ciklit tonë mbi Biblën po i vjen fundi. Libri me të cilin mbyllet si ai, ashtu edhe vetë Bibla, është Zbulesa. Është fjala për një finale kaq të rëndësishme, sa duhet pa dyshim, përgatitur me kujdes. Si zakonisht, ndjekim vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Kush nuk e njeh Librin e Zbulesës? Të paktën e di se ekziston, pavarësisht se mund të mos e ketë lexuar. E sot, a mund të kuptohet një Libër i tillë? Kemi nevojë për një imagjinatë pa fund për t’iu afruar sadopak fjalëve të tij, që ngjajnë me hieroglife. E jo vetëm për të deshifruar simbolet, që përmban Libri: për të ditur cilët janë të 144 mijët, çfarë është Babilonia, kush është Egërsira, që përshkruhet në të, ç’do të thotë 666…etj., etj.. Zbulesa apo Apokalipsi është e kundërta e asaj, për të cilën është bërë i famshëm. Nuk është libri i fatkeqësive e as ai i sekreteve për t’u deshifruar, nuk përmban parashikime të errta e as enigma për t’u zgjidhur. Për to mjafton t’i drejtohemi Nostradamusit, që ka shkruar për gjithçka, ose personazhit imagjinar Adam Kadmon, që mendon se ka kuptuar gjithçka.

Në të vërtetë, për ta kuptuar librin duhet të nisemi nga autori i tij e të çlirojmë frerët e imagjinatës. Por, nevojitet një imagjinatë empatike, që ndjen me intuitë ç’i ka ndodhur autorit kur flet për engjëj, egërsira, trumbeta, kalorës, gjak e ar. Për të ditur çfarë simbolizojnë të gjitha këto figura ka rrezik të ndalemi më shumë në notat e fundit të faqes sesa në vetë librin. Teksti është tejet i gjatë me më se 500 citime, aluzione e pjesë nga Besëlidhja e Vjetër. Është një kolosal teologjik në 3D! Pikërisht për këtë arsye, Zbulesa duhet jetuar si përmbytje, që ndryshon çdo gjë. Është tekst i jashtëzakonshëm, përvojë e tepruar, shtjellë ngjyrash, tërmet tingujsh, shkëlqim lëbyrës imazhesh, një pyll me kuptime të llojllojshme, një shkretëtirë e thatë për nga arsyeja. Zbulesa nuk mund të kuptohet, duhet të jetohet.

Zbulesa është teksti i tragjedisë së krishterë. Vepër dramaturgjike shkruar gjatë stuhisë së persekutimeve perandorake, me gjak në duar e duke menduar për ata, të cilët, si qengjat, thereshin për fenë. Kalë e kalorës, luan e dragonj, karkaleca e akrepa, plagë e shfarosje, shkatërrim e vdekje, pushtet e hakmarrje, egërsira, demonë, idhuj, vrasje, magji, shthurje e vjedhje, engjëj, bubullima, trumbeta, det, tokë, qiell, një qengj, një libër i vocërr, vula, tinguj, sekrete e misteri i Zotit. Popuj, kombe e mbretër. Numra, komanda, kohë e luftra. Dëshmitarë, profetë e frone. Ullinj, qirinj, zjarr, armiq, gjykim, Babilonia, Sodoma, lavire e frone…

Zbulesa është llavë e zjarrtë, e cila shpërthen nga goja e autorit vizionar të librit, që tradita ia atribuon shën Gjonit ungjilltar, por është edhe vetë autori, që na jep sytë e tij për të parë këtë botë me një vorbull imazhesh, që vallëzojnë me ritëm të çmendur, botë me ankth, zemërim e dhunë, të cilat na transmetohen – mund të themi – “fizikisht” nga çdo fjalë e Librit. Tekst për ndërgjegjen dhe për vetëdijen më të thellë. Bombardim pa rregulla, pa paralajmërim e pa mbrojtje, që synon të shkaktojë një valë goditëse kaq të fuqishme sa të na e shkundë mirë jetën, ëndrrat, mendimet. Vërtet, nuk i flet mendjes, as zemrës, por stomakut, si të ishte një thikë, që e zhyt millin deri në fund të fundit, për të grisur velin e arsyes e të fesë racionale, për të shkuar përtej logjikës.

Zbulesa nuk është libër për t’u lexuar, është libër për t’u dëgjuar. Deri javën e ardhshme, kur do të hyjmë më thellë në fjalët e tij, këshilla jonë është të gjeni një version audio të këtij Libri e ta dëgjoni, duke i lejuar fjalët e tij pa kontroll t’ju godasin veshët pa ju pyetur e tingulli, që andej, të zbresë pa pengesa deri në bark, i zhurmshëm, i stuhishëm, muzikor, si një rrufe që të befason e të transmeton përvojën e autorit të rrëmbyer nga Shpirti Shenjt, ose siç thuhet për shenjtorët, në ekstazë! Pa u përpjekur të deshifroni “gjërat, që duhet të ndodhin”! Ato janë për agnostikun, për ateistin ose, ndoshta, për psikologun. Ndërsa Bibla meriton respekt e është libër humanist. Zbulesa është e tillë në mënyrë superlative. Është përfundimi i denjë i udhëtimit biblik, shkalla e fundit, më e lodhshmja për ta lartuar njeriun drejt ardhjes përfundimtare të Hyjnorit.

18 shkurt 2021, 08:35