Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra III e Gjonit, bashkëpunëtorët e së vërtetës

Përfundojmë sot ciklin e Letrave të shën Gjonit, duke komentuar Letrën e tretë të tij. Si zakonisht, ndjekim librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Letra III e Gjonit mund të shkruhet në pëllëmbë të dorës e aq do të mjaftonte, pasi përbëhet vetëm nga një kapitull i shkurtër. Mbetet dyshimi për autorin e saj e sërish, në krye shihet fjala “udhëheqësi” (apo presbiteri), por në ndryshim nga dy Letrat e para përmban disa emra e situata të përcaktuara mirë në kuadrin kishtar. Nuk është fjala për ndonjë tekst themelor, pavarësisht se ka disa surpriza të vogla.

Pikë së pari, emrat, që përbëjnë një trekëndësh.

Kemi Gajin “e dashur, të cilin e dua në të Vërtetën”, shkruhet në versetin e parë. Atij i drejtohet Letra, ku quhet “bashkëpunëtor i së Vërtetës”. Kjo shprehje u zgjodh si moto nga ipeshkvi Joseph Ratzinger, i cili, kur u bë Papa Benedikti XVI, nuk vendosi asnjë moto mbi stemën e tij papnore, duke ruajtur heshturazi atë që kishte. Ja ç’pohon vetë Benediktit XVI: “Këto fjalë të lashta, që i kam zgjedhur si moto, përcaktojnë aspekte të funksionit të meshtarit e të teologut, i cili duhet të përpiqet të bëhet bashkëpunëtor i së Vërtetës, me shumë përvujtëri, me vetëdije të plotë se nuk është i pagabueshëm”.

Papa i nderit është i fundit nga “bashkëpunëtorët e së Vërtetës”, rritur në dritën e mendimit të shën Gjonit. Problematikat me të cilat u ndesh në Vatikan dëshmojnë për konfliktin e pashmangshëm ndërmjet Kishës pjetrine e Kishës gjonease. Ndërmjet një Kishe, që shqetësohet për strukturat e veta e, një Kishe, që banon në të vërtetën. “Shpëtimi i vërtetë i njeriut – shkruan Joseph Ratzinger – nuk duhet kërkuar në strukturat shoqërore, por në shpirtin e tij. Rënia morale e shumë të krishterëve, madje, vetë kriza e Kishës, e kanë një shkak. E ky shkak është, për ta thënë qartë, dobësimi i fesë. Është e pamundur të jetohet morali katolik, nëse nuk jemi të bindur – e, deri në fund – se Jezu Krishti është biri i Hyjit e se në Ungjill përmbahet plani hyjnor për njeriun”.

Pastaj flitet për një farë Diotrefi, i cili pretendon të shndritet drejtpërdrejt prej Zotit e nuk i dëgjon të tjerët. Është tejet i ngjashëm me ndonjë fodull të sotëm në krye të besimtarëve të krishterë, që siç thotë Letra:

“…do të jetë i pari ndër ta, nuk na pranon. Prandaj, kur të vij, do t’ia them ndër sy veprat që bën duke folur keq kundër nesh. Veçse atij as aq nuk i duket mjaft, por nuk dëgjon t’i pranojë vëllezërit dhe, atyre që do të donin, u kërcënohet dhe i përjashton prej Kishës” (3 Gjn 1,9-10).

Së fundi, kemi Demetrin, njeri i thjeshtë e i përvuajtur, për të cilin “dëshmojnë mirë të gjithë, madje edhe vetë e Vërteta” (3 Gjn 1,12). Sa e bukur kjo shprehje e fundit: jo vetëm është njeri që e dëshmon të Vërtetën, por vetë e Vërteta dëshmon për të!

Ja pra, trekëndëshi!

Gjithmonë, do të ekzistojë një Diotref, që do të përpiqet të bëjë gjithçka në kokë të vet e nuk do ta pranojë të Vërtetën, sepse do të ndihet si të ishte Zot mbi këtë tokë. E megjithatë, Kisha është gjallë falë bashkëpunëtorëve të përkushtuar të së Vërtetës, si Gaji e Demetri, që nuk pretendojnë asgjë e kanë për dëshmitar jo fjalët e tyre, por vetë të Vërtetën.

Ja, këto dy shprehje e bëjnë Letrën një dokument të çmuar, për të mos u harruar: “bashkëpunëtorët e së Vërtetës e kanë të Vërtetën për dëshmitare!”

11 shkurt 2021, 08:01