Shn Toma në Santa Maria Novella Shn Toma në Santa Maria Novella 

Shën Toma: gjendet afresku më i lashtë në mur

Kremtime të veçanta në Firence, me rastin e kujtimit liturgjik të Shën Tomës së Aquinit. Doli në dritë, nën një shtresë suvaje, 500 vjet pasi u pikturua, një afresk, ku mund të soditet portreti më i lashtë i Doktorit të Kishës, një nga protagonistët e kremtimeve të Jubileut domenikan.

R. SH. - Vatikan

Është porteti më i lashtë i Shën Tomës, që u zbulua  kohët e fundit nën një shtresë suvaje, në muret e Kishës Santa Maria Novella, në Firence. Vepra, një afresk i vitit 1323, që mendohet të jetë realizuar nga Mjeshtri i Shën Çeçiles, ishte në qendër të kremtimeve në përkujtimin e Doktorit Ëngjëllor, pranë Bazilikës.

Jubileu domenikan

Kujtojmë se sivjet kremtohet Jubileu domenikan, që do të hapet zyrtarisht më 25 mars  e që do të përkujtojë dy ngjarje të rëndësishme: 800 vjetorin e lindjes për qiell të Shën Dedës Guzman, në Bolonjë, më 6 gusht 1221, dhe 800-vjetorin e arritjes së 12 vëllezërve domenikanë në Kishën e vogël fiorentine të “Santa Maria ad Vineas”, apo “Shën Maria e Vreshtave”, vend ku, më 1279,  u ngrit Bazilika.

Doktorati i Shën Tomës

Afresku tejet i bukur, i pikturuar kur Shën Deda lartohej në nderimet e altarit, e paraqet  Shenjtin në çastin kur nis shërbesën e tij, me leksionin  e titulluar Rigans montes, kushtuar Dijes hyjnore, mbajtur në Universitetin e Parisit. Punimet për restaurimin ia kthyen pikturës murale shkëlqimin kromatik, humbur në rrjedhë të historisë. E, gjithnjë sipas historisë, në vitin 1565, pas Koncilit të Trentit, Cosimo I de’ Medici ngarkoi Giorgio Vasarin ta përtërinte Bazilikën Santa Maria Novella sipas kanuneve tridentine. Piktori, autor i veprës me famë botërore “Vite”- “Jetë artistësh”, shkruar në vitin 1555, në të cilën përmblidhen me mjeshtri të rrallë jetët e piktorëve më të famshëm të rilindjes italiane, e revolucionarizoi dekorimin: shumica e pikturave u  zhdukën. Mbetën pak, shumë pak në muret, edhe ato, të mbuluara me suva. Nga shtresa e suvasë, pas një altari të epokës manieriste, doli, pikërisht tani kur do të kremtohet Jubileu Domenikan, portreti i Shën Tomës, si të donte të merrte pjesë personalisht në festë. Ishte një zbulim jashtëzakonisht prekës.

28 janar 2021, 14:28