Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Gjonit, Logos

Vijojmë komentin e Letrës I të Gjonit, duke theksuar edhe një herë se dishepulli, që Jezu Krishti e donte veçanërisht, është ai, që së bashku me shën Palin apostull, na bënë të kuptojmë se Zoti s’është tjetër, veçse dashuri e pastër, që shndrit botën. Ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës” të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Zoti na e ka dëshmuar tashmë se Ai është Dashuria me D të madhe, prandaj, kur themi “duajeni njëri-tjetrin” nuk kemi parasysh ndonjë ligj moral, por mënyrën e vetme për të banuar në Hyjin. Në Letrën I të Gjonit, dashuria është feja e krishterë, sepse do vetëm atë, që është krijuar prej Zotit. Format e kësaj dashurie ndjekin njëra-tjerën: feja, dashuria hyjnore, gjenerata e Zotit, urdhërimi i dashurisë vëllazërore. Ujëvarë fjalësh, që na mbështjell me Dashurinë e Hyjit.

Kur përfundon leximin e kësaj Letre, është e vështirë të kthehesh në jetën e përditshme me fe të pasigurt e plot dyshime. Ideja e Zotit, që na do e që, duke banuar në ne, na përtërin e na gjallëron, duket e vetmja udhë për ta kuptuar krishterimin.

Nuk ka dashuri pa fe e nuk ka fe, që nuk na çon drejt dashurisë. Fjala e zbuluar nga shën Gjoni është “të mbetemi”. Feja i jep mundësinë Zotit të banojë brenda nesh, të mbetet brenda nesh për të na përsosur:

“Në këtë përmbahet përkrymëria e dashurisë ndaj nesh: kemi sigurinë e plotë për Ditën e Gjyqit, sepse, sikurse është Ai, jemi edhe ne në këtë botë” (1 Gjn 4,17)

Pra, dashuria e përsosur i përket atij, që do i pari. Kjo lloj dashurie nuk pret e nuk vë kushte. Të duash i pari do të thotë të duash përgjithmonë!

“Ne duam, sepse Ai na deshi më parë. Nëse ndokush thotë: ‘E dua Hyjin’, e këndej e urren vëllanë e vet, është rrenacak. Sepse kush nuk e do vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë. Prej tij e kemi edhe këtë urdhër: Kush e do Hyjin, duhet ta dojë edhe vëllanë e vet” (1 Gjn 4,19-21).

Kush nuk e do vëllanë është mashtrues, sepse nuk jeton në dashuri, që është Zoti, e nuk është në gjendje të dojë i pari. Mashtruesi, gënjeshtari, nuk e njeh dritën, jeton në errësirë, sepse nuk banon në Dashurinë, nuk mbetesh në Të!

Kjo është pika e parë më interesante e Letrës. Si arrihet në gënjeshtrën e madhe të fesë pa dashuri? Shën Gjoni shpjegon se kjo bëhet përmes së ashtuquajturës “dashuri për botën”, që ai e quan “lakmi” e që nuk të lejon alternativë tjetër. Ose të shndërron bota, ose rilindesh nga Zoti.

“Mos e doni botën, as sendet që i përkasin botës. Nëse ndokush e do botën, në të nuk është dashuria e Atit. Sepse çdo gjë që është e botës: - lakmia e mishit dhe e gjakut, lakmia e syve dhe krenaria e jetës - nuk është prej Atit, por vjen prej botës” (1 Gjn 2,15-16).

          Kur hyn në errësirë, e mohon Atin Qiellor. Drita është kaq e fortë sa duhet mohuar për t’u injoruar e kështu, shën Gjoni arrin në fjalë, që fatkeqësisht, u kanë dhënë dorë inkuizitorëve, okultistëve dhe milenaristëve:

“Kush është rrenës në qoftë se nuk është ai që pohon se Jezusi nuk është Mesia? Antikrishti është ai, që mohon Atin e Birin. Secili që mohon Birin nuk e ka as Atin. Kush pranon Birin, ka edhe Atin” (1 Gjn 2,22-23)

Për ç’arsye po e shkuan këtë Letër shën Gjoni? Duket se ishte para një kërcënimi, që vinte në rrezik bashkësinë dhe Ungjillin. Dëgjohej zëri i atyre të krishterëve, që kishin filluar të mohonin. Por çfarë?

“Çdo shpirt që dëshmon se Jezu Krishti ka ardhur në trup, është prej Hyjit. Kurse çdo shpirt që nuk e dëshmon Jezusin të tillë, nuk është prej Hyjit” (1 Gjn 4,2-3).

Fjala u bë njeri. Ky është thelbi i teologjisë së shën Gjonit. Është mënyra e tij e veçantë për t’iu përgjigjur pyetjes: kush është Jezusi? Shën Gjoni është i pari dhe i vetmi, që përdor termin “Fjala”, në greqisht “Logos”. Për ta kuptuar rëndësinë e kësaj, duhet t’i kthehemi kuptimit të “Logos” në greqisht, që ka një fuqi shprehëse të jashtëzakonshme. Duhet të kthehemi disa shekuj mbrapa e të pyesim filozofin grek, Heraklitin, i cili, pasi studioi botën, pohoi se ka një ligj që e qeveris dhe e quajti “logos”. Për Heraklitin, “logos” është ligji i epërm, që qeveris botën, që shpreh ekuilibrin ndërmjet të kundërtave, duke e mbajtur kozmosin në harmoni. Kësaj fjale mund t’i atribuohen kuptime të ndryshme: arsye, inteligjencë, ligj, mendim, logjikë, rregull themelore e gjithçkaje…

Kjo fjalë nuk bën pjesë vetëm në historinë e mendimit grek, por hyn edhe në traditën hebraike, e cila do të parapëlqejë të flasë për “sophia”, dijen a urtinë e Zotit. Shën Gjoni merr pikërisht këtë fjalë dhe e bën arkitrarin e teologjisë së tij. Ai “Logos”, që vë në rregull çdo gjë bëhet vetë diçka, madje, Dikush, Krishti. Jo të gjithë ishin dakord me këtë e prandaj, disa të krishterë kundërshtuan, por për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.

14 janar 2021, 09:37