2019.12.24 Mons Rrok Gjonlleshaj - arcivescovo di Bar - Tivar Montenegro 2019.12.24 Mons Rrok Gjonlleshaj - arcivescovo di Bar - Tivar Montenegro 

Imzot Rrok Gjonlleshaj: në lindjen e Krishtit fillon shpëtimi ynë

Imzot Rrok Gjonlleshaj: si barinjtë e Betlehemit, të nxitoni me gjithë qenien tuaj për të adhuruar Zotin dhe Shpëtimtarin e porsalindur. Le të shkojmë së bashku si një familje e forcon fenë në Krishtin Shpëtimtar, të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkimit dhe të miqësisë me Zotin, për të ndërtuar marrëdhënie paqeje, respekti e miqësie me njerëzit me të cilët jetojmë e punojmë.

R.SH. - Vatikan

"Festa e Krishtlindjes është ngjarja që na fton të mrekullohemi përsëri para Misterit ë Zotit me ne - Emanuelit. Hyji që për ne u bë njeri, Ai hyri në historinë njerëzore të ngarkuar nga mëkati, mosbesimi, e keqja dhe armiqësia, për të na ofruar dhuratën e dritës e të dashurisë së Tij që na shpëton, pra, në lindjen e Krishtit filloi shpëtimi ynë", kështu pohon mes tjerash kryeipeshkvi Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj, në mesazhin e urimit të Krishtlindjes 2020, ta dëgjojmë...

Imzot Rrok Gjonlleshaj mesazhi e urimi Krishtlindjes 2020

Imzot Rrok Gjonlleshaj: Mesazhi Krishtlindjes 2020

Krishtlindja 2020.

Të dashur meshtarë, rregulltarë/re, besimtarë, vëllezër dhe motra,

Jam i vetëdijshëm se secili prej nesh është duke i parashikuar e përjetuar këto Krishtlindje në një mënyrë krejtësisht të ndryshme dhe të paimagjinueshme më parë. Ankthi rreth së ardhmes që u shfaq mbi mbarë botën, frika dhe humbjet personale, tragjeditë familjare dhe vështirësitë në punë, ndjenja e pafuqisë dhe e pashpresës, pikëllimi për humbjen e të dashurve, shqetësimi për ekzistencë, janë vetëm disa nga ndjenjat e rënda që e kanë kapluar njerëzimin dhe ia kanë zënë vendin gëzimit të zakonshëm të festave të Krishtlindjes 2020.

Pandemia që grisi të gjitha rrjetat e qetësisë në sigurinë e rremë të botës moderne të larguar nga Zoti, nuk ka lënë asnjë jetë dhe asnjë komb të paprekur, dhe ka vënë në provë vetë besimin e pasuesve të Krishtit. Nëse gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasë mundësi të rritemi e të forcohemi në fe - të kalojmë nëpër sprova dhe mundime - festa e Krishtlindjes është dita kur duhet të mrekullohemi përsëri me Misterin e Zotit që është me ne, Emanuelit, që për ne u bë njeri dhe hyri në historinë njerëzore të ngarkuar nga mëkati, mosbesimi, e keqja dhe armiqësia.

Bash në një botë të tillë, Krishti lind si një fëmijë i pafuqishëm, për t’ na dhënë dritë dhe shpresë, gëzime dhe bekime shumë të nevojshme, për t’ na dhënë mundësinë që të bëhemi fëmijë të Zotit (krh. Gjn 1:12). Po, të gjithëve, pavarësisht nga mosha dhe gjinia, të papërsosur dhe të munduar nga kufizimet tona, me lindjen e Krishtit, më të cilin filloi shpëtimi ynë, na u dha dhurata tejet e çmuar e fesë, dhurata e jetës së re. Këtë Krishtlindje, këtë dhuratë të shpresës, fesë, dashurisë dhe mirësisë së Zotit ndaj njerëzve, përkundër gjithë errësirës dhe frikës, duhet ta zbulojmë dhe ta njohim.

Gjatë këtij viti kishim mundësi të shohim më qartë gjithë brishtësinë e ekzistencës sonë dhe kotësinë e vendosjes së shpresës në sigurinë materiale. E gjithë kjo, në kuptimin fetar, mund t’ na ndihmojë të pastrojmë shikimin tonë për botën, qëndrimet dhe botëkuptimet tona jetësore dhe të lejojmë që Zoti të veprojë më shumë në jetën tonë.

Në liturgjinë e Krishtlindjes gjatë këtyre ditëve dëgjojmë për dritën e Krishtit që ndriçon çdo njeri. Kjo është drita hyjnore për të cilën vërtet kemi nevojë, që ta njohim praninë e Zotit edhe në këtë kohë. Zoti ynë na jep edhe tani mundësinë për ta drejtuar jetën tonë drejt tij, në mënyrë që të rindizet te ne flaka e shpresës, e cila është dhuratë e veçantë e Zotit, dhuratë që buron nga jeta e përbashkët më të.

Pa e ndërtuar një marrëdhënie të thellë me Zotin, do ta kemi të vështirë të ruajmë durimin, butësinë dhe forcën në këtë, si edhe në situata tjera sfiduese. Në fund të enciklikës së tij të re Fratelli tutti, Papa Françesku na shkruan: “si të krishterë, nuk mund ta fshehim se, nëse muzika e Ungjillit pushon së vibruari në gjymtyrët tona, do të humbasim gëzimin që buron nga dhembshuria, butësinë që buron nga besimi, aftësinë për t’u pajtuar, e cila burimin e vet e gjen në vetëdije se jemi të falurit dhe të dërguarit. Nëse muzika e Ungjillit pushon së luajturi në shtëpitë tona, në sheshet tona, në vendet tona të punës (...) do të mbytim melodinë që na sfidoi të angazhohemi për dinjitetin e çdo burri dhe gruaje "(FT 277).

Në jetën e të krishterëve, si shpresa, po ashtu edhe gëzimi, burimin e kanë në Ungjillin e Jezu Krishtit. Dhe kjo është arsyeja pse nuk duhet të jemi shumë të trishtuar që këtë vit, në festimin tonë të Krishtlindjes dhe festave, po privohemi nga mënyrat e zakonshme të festimit. Veçanërisht ju porosis t’i vendosni në zemrën tuaj e t’i kujtoni me lutje aq shumë njerëz që këtë vit humbën jetën, familjet e tyre, si dhe të gjithë ata që janë akoma të ndarë nga të dashurit e tyre. Ju nxis t’i mbani mend sakrificat vetëmohuese të punonjësve të mjekësisë, të cilët, për muaj të tërë të ndarë nga familjet e tyre, në rreziqe, bënë dhe po bëjnë përpjekje mbinjerëzore për të shpëtuar jetë.

Të dashur vëllezër dhe motra, ju ftoj që si barinjtë e Betlehemit, të nxitoni me gjithë qenien tuaj për të adhuruar Zotin dhe Shpëtimtarin e porsalindur. Le të shkojmë së bashku: si një familje e tërë që rinovon dhe forcon fenë në Krishtin Shpëtimtar, si bashkësi famullitare, të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkimit dhe të miqësisë në këtë kohë, si miq që kërkojnë Zotin, që duan të ndërtojnë marrëdhënie paqeje, respekti dhe miqësie me njerëzit me të cilët jetojmë dhe punojmë.

Në misterin e madh dhe të gëzueshëm të Krishtlindjes do të gjejmë gjithë forcën, gëzimin dhe paqen e nevojshme për të sjellë dritën e shpresës në jetën tonë, në jetën e të afërmve dhe të fqinjëve tanë. Gëzuar dhe Krishtlindje të bekuara për të gjithë ju!

Imzot Rrok Gjonlleshaj

Argjipeshkëv i Tivarit

24 dhjetor 2020, 13:05