Gërmimet arkeologjike në Gjetseman Gërmimet arkeologjike në Gjetseman 

Gjetje të reja arkeologjike pranë Gjetsemanit

Toka Shenjte: pranë Gjetsemanit zbulohet një banjo rituale e kohëve të Jezusit si dhe ndërtesa të tjera të krishtera të epokës së kryqëzatave

R. SH. - Vatikan

I përkasin kohës së Jezusit dhe epokës së kryqëzatave zbulimet e jashtëzakonshme arkeologjike të muajve të fundit, pranë Gjetsemanit. Sot paradite u paraqitën në Jeruzalem, në praninë e Rojtarit të Tokës Shenjte, atë Francesco Patton dhe arkeologëve, që udhëhoqën punimet, ndërmjet të cilëve, Amit Re’em i Autoritetit izraelit për lashtësinë. Jemi pranë kopshtit të vogël, vetëm pak hapa larg Jeruzalemit të vjetër, tek këmbët e Malit të Ullinjve, ku Jezusi u tërhoq në lutje pas Darkës së Mbrame, para se të tradhtohej nga Juda e të arrestohej. Atje ku Zoti provoi puthjen më tradhtare, që njeh njerëzimi, që në zanafillë të vet! Vend që, në rrjedhë shekujsh u bë cak shtegtimesh rreth bazilikës, zanafilla e së cilës duhet kërkuar në epokën bizantine. Kjo kishë u rindërtua nga arkitekti Barluzzi rreth viteve ’20 të shekullit të kaluar, me kontribut ndërkombëtar, ndaj edhe quhet Kisha e të gjitha Kombeve.

Për të lehtësuar kalimin e sigurt të turmës së shtegtarëve nga Kopshti, ku në maj 2009 Benedikti XVI kremtoi Meshën, deri tek Bazilika, poshtë rrugës u hap një tunel i nëndheshëm. Gjatë punimeve për hapjen e tij, ndodhi edhe e papritura e pabesueshme: u zbuluan një mori dhomash, ngjitur me bazilikën e lashtë të Agonisë së Jezusit, që i përkisnin epokës së kryqëzatave. Diçka edhe më e bujshme: nga mesi i tunelit u gjet një banjo rituale hebraike e zgavrruar në shkëmb, e shekullit I pas Krishtit. Deri tani - shpjegon në Vatican News arkeologu, atë Eugenio Alliata, i Studium Biblicum Franciscanum - në Gjetseman nuk ishte gjetur asgjë e ndërtuar në kohën e Jezusit. U identifikua, sepse banjot rituale hebraike janë shumë karakteristike: dallohen menjëherë, ndaj edhe mund të datohen lehtë: kanë një sërë këmbësh shkalle, që përfundojnë në një vaskë pak më të thellë.

Në aramaisht fjala Gjetseman ka kuptimin “vend për të nxjerrë vajin”. “Gjatë shtrydhjes së ullinjve a të rrushit, për të prodhuar vajin e verën - vijon Alliata - hebreu i devoçëm përgatitej, nëse dëshironte që ata të ishin kosher - apo të pastër - ndaj, sipas ligjit, duhet të përgatitej duke bërë banjon rituale në një vaskë të posaçme. Nëse në Jeruzalem janë të zakonshme gjetjet arkeologjike nga kohët e Herodit të madh e të prokurorëve romakë, si Ponci Pilat, në Gjetseman deri më sot nuk qe gjetur asgjë, që i përkiste kohës së Jezusit.

E rëndësishme edhe seria e ambienteve, që i pëkasin epokës arabe të Jeruzalemit, rreth një a dy mijë vjet më parë, të cilat dolën në dritë duke hapur tunelin: “gjetjet i përkasin kohës pas pushtimit islamik të Jeruzalemit, rreth vitit 638 pas Krishtit. Gërmimi - shton atë Alliata – nxori në dritë një kapelë të krishterë me një absid të ruajtur mrekullisht mirë, një altar e një mbishkrim grek, përmes të cilit i kërkohet Zotit  ta pranojë  flijen e besimtarit të tij, ashtu siç bëri me Abrahamin. E kjo, sepse Patriarku biblik konsiderohet si model i besimtarit në Zotin, si njeri, oferta të cilit mirëpritet nga Hyji”.

Ka shumë mundësi që rreth kapelës të ketë qenë edhe bujtina për besimtarët, që shtegtonin në Jeruzalem e që në këtë vend të kenë vijuar të strehohen të krishterët, që vizitonin Qytetin Shenjt edhe pas pushtimit islamik.

21 dhjetor 2020, 14:44