Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXXIII të vitit liturgjik

Shëmbëlltyra e talentave, në qendër të pjesës së sotme ungjillore, marrë nga kreu 25 i Ungjillit sipas Mateut, në të dielën e 33-të gjatë vitit kishtar A. Nëse jemi veçanërisht të aftë në diçka, do të thotë se ai është talenti ynë, që na e ka dhuruar Zoti. Në kohët biblike, talentat ishin monedha, por metaforikisht, shëmbëlltyra, me të cilën Jezu Krishti vijon të shpjegojë si është Mbretëria e Zotit e si vepron Hyji në historinë e njerëzimit, na thotë se duhet të dimë t’i shfrytëzojmë talentet, që na dhuron Zoti e jo t’i fshehim. Ky është kuptimi i saj. Le ta ndjekim…

R.SH. - Vatikan

14 Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë:

“Do të vijë sikurse ai njeriu që, kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij e u nis për udhëtim. 16 Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë. 17 Po ashtu, edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë. 18 Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet. 19 Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. 20 E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i qiti para edhe pesë të tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë tjerë që i fitova’. 21 Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’ 22 U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy tjerë që i fitova!’ 23 Iu përgjigj zotëria: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’ 24 Kur u afrua ai, që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, 25 u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!’ 26 Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, 27 prandaj të është dashur ta shtish paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. 28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij, që ka dhjetë talenta! 29 Sepse, atij që ka do t’i jepet më e do të ketë me shumicë, e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! 30 E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh!’”

Të lutemi së bashku:

Ati yt, o Jezus, nuk është ndonjë Zot dyshues

ose, edhe më keq, zotëri i rëndë shfrytëzues.

Na beson thesaret, dhuratat e hirin e Tij

e na i jep pa kursim, pa masë:

edhe një talent i vetëm, është një shumë e madhe!

Pra, ka besim në ne, pavarësisht nga ne,

aq sa na vendos në duar

diçka vërtet të çmuar.

E ç’duhet të bëjmë me të? Si duhet të sillemi?

Një dhuratë e tillë do të thotë

edhe përgjegjësi tejet e madhe.

Por, nuk është frika, përgjigjia e duhur:

kur e fshehim pasurinë nën tokë

ua fshehim atyre, për të cilët është menduar.

Ti, o Krisht, atëherë, na kujton

se qëndrimi më i mirë

nuk është kërkimi i sigurisë

dhe i qetësisë me çdo kusht,

por përgjigjia plot besim

e plot bujari ndaj Zotit,

është pranimi i rrezikut,

i lodhjes, i punës

për të përballuar çdo vështirësi

për të shfrytëzuar pikërisht ato talente

që na janë dhuruar falas.

Kur i mbajmë për vete,

edhe sikur një të jetë,

nuk do të thotë se kënaqemi me pak,

por se jemi gati të humbasim gjithçka,

duke e dënuar veten me trishtimin pa fund.

14 nëntor 2020, 09:08