“Liroji të burgosurit”: raporti i ACS për të krishterët, që mbahen në burg padrejtësisht

Nigeria, Eritrea, Pakistani dhe Kina janë disa nga vendet e marra në shqyrtim në raportin e Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. Kujtohet përvoja e Asia Bibit dhe rrëmbimi i atë Paolo Dall’Oglio-s në Siri

R.SH. - Vatikan

Çdo muaj, më se 300 të krishterë në 50 vende të botës burgosen padrejtësisht për shkak të fesë: kjo është shifra dramatike, pasqyruar në studimin me titull “Liroji të burgosurit. Një raport mbi të krishterët e burgosur padrejtësisht, për shkak të fesë”, përgatitur nga Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” (ACS). Në të përmenden raste të veçanta të krishterësh, burgosur sidomos në katër vende: Nigeri, Eritre, Pakistan dhe Kinë. Analizohen arsyet e burgimit, për shkak të ndërgjegjes, si edhe arrestimet arbitrare, proceset e padrejta, kushtet çnjerëzore të burgut, torturat dhe presionet, që u bëhen për të ndryshuar fenë.

Afrika dhe Azia, skenarë të vështirë

         Për shembull, në Nigeri, “fenomeni më i rëndë është sekuestrimi i të krishterëve. Çdo vit, më se 220 besimtarë rrëmbehen dhe burgosen padrejtësisht nga grupe milicësh xhihadistë. Rrëmbimet për të kërkuar shpërblime në para, shpesh, përfundojnë me vrasjen e meshtarëve protestantë e katolikë”. E njëjta gjë mund të thuhet për Egjiptin, ku “vajza të krishtera kopte rrëmbehen dhe detyrohen të martohen me sekuestruesit e tyre jo-të krishterë”, ndërsa “në Eritre vlerësohet se janë arrestuar padrejtësisht më se një mijë besimtarë të krishterë”. Në Azi, skenari është po aq serioz: në Pakistan, “çdo vit, kthehen me forcë nga krishterimi e hinduizmi në islamizëm më se një mijë vajza dhe gra”, ndërsa në Korenë e Veriut ka “rreth 50 mijë të krishterë në kampet e punës së detyruar, pra, gati 50 për qind e numrit të përgjithshëm të të burgosurve”. Ndërkaq, në Myamar, vlerësohet se, që nga viti 2018, ushtria ka marrë në pyetje dhe arrestuar 100 pastorë, si edhe ka rekrutuar me forcë shumë studentë të krishterë.

Gjendja është keqësuar gjatë pandemisë

         Në Raport vihet në dukje se gjendja e të krishterëve është keqësuar edhe më shumë gjatë pandemisë. Fondacioni papnor shpjegon se janë tre faktorët, që ndikojnë në shtimin e vështirësive për të krishterët: “së pari, mbyllja e pjesshme, ose e plotë e gjykatave dhe e veprimtarive të tjera ligjore; së dyti, kremtimet fetare janë zhvendosur online për shkak të virusit, duke u lënë fushë të lirë qeverive autoritare t’i shtypin ata, që dyshohen për veprimtari të paligjshme; së treti, pandemia u ka dhënë persekutuesve mundësi për të goditur, ndërsa vëmendja është përqendruar në emergjencën e koronavirusit”. Ndër të tjera, vë në dukje Raporti, urrejtja fetare nënvlerësohet nga shumë vende, që nuk e konsiderojnë atë dhunim të të drejtave të njeriut. Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” përmend çështjen e Asia Bibit, gruas pakistaneze të akuzuar për blasfemi e të burgosur për 9 vite me radhë. Pikërisht ajo, tashmë e lirë, nënshkruan parathënien e raportit. E kujtohet edhe atë Paolo Dall’Oglio, rrëmbyer në Siri, më 29 korrik 2013, së bashku me katër meshtarë të tjerë të krishterë, ndër të cilët dy ipeshkvij. “Njerëz të fesë, të cilët nuk dihet ku i mbajnë e as nëse janë gjallë a vdekur”.

27 nëntor 2020, 12:11