Shën Pjetri, së bashku me shën Andrean dhe me shën Jakobin Shën Pjetri, së bashku me shën Andrean dhe me shën Jakobin

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra II e Pjetrit, autorësia

“Kundër mësuesve të rremë të djeshëm e të sotëm”. Kështu mund të përkufizohet Letra II e shën Pjetrit, të cilën do të fillojmë ta shqyrtojmë sot. Studies të ndryshëm mendojnë se ajo nuk është shkruar nga shën Pjetri, por nga njerëz të bashkësisë së tij, që, natyrisht, ia kishin parasysh mësimet, por e përdorën emrin e apostullit për t’i dhënë autoritet tekstit. Pra, është fjala për pseudoepigrafi. Të tjerë mendojnë se letra është shkruar nga shën Pjetri, por duke përdorur si sekretar jo më Silvanin apo Silën, si në Letrën e parë, por një tjetër. Cila është e vërteta? Ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në Letrën II të Shën Pjetrit përdoret një fjalor shumë i ndryshëm në krahasim me Letrën e parë, megjithëse kjo mund të jetë rrjedhojë e temave të trajtuara. Nga njëra anë, në Letrën e dytë ka rreth 56 fjalë, që nuk përmenden në asnjë pjesë tjetër të Besëlidhjes së Re, nga ana tjetër, vërehet një paralelizëm i dukshëm me një shkrim tjetër, me Letrën e Judës! Dy tekstet ecin krah për krah.

Temat, konceptet, fjalori, jo vetëm që përkojnë, por janë të ndryshëm nga çdo libër tjetër i Besëlidhjes së Re. Mjafton t’i hedhim një sy për ta kuptuar këtë: Letra u referohet gjerësisht protagonistëve të Besëlidhjes së Vjetër, madje, përdor edhe disa tekste apokrife judaike, si Libri i mistershëm i Enokut. Jemi para dy teksteve me frymëzim judaik e me përmbajtje të krishterë, që e bëjnë problematike autorësinë e Letrës.

Duket se ajo është shkruar pas asaj të Judës, duke marrë pjesë nga tekstet judaike e duke u shtuar materiale, që kanë të bëjnë me shën Pjetrin apostull. Deri në shekullin IV, autorësia e Letrës II të shën Pjetrit u diskutua fuqimisht. Por, megjithëse me vonesë, më në fund, Shën Pjetri u njoh si autor i saj. Vërtet, Letra përmban pjesë autobiografike të apostullit krejt të qarta, që s’lënë dyshime. Ja si fillon:

“Simon Pjetri, shërbëtori dhe apostulli i Jezu Krishtit, atyre që, me anë të drejtësisë së Hyjit tonë dhe Jezu Krishtit Shëlbues, e fituan të njëjtën fe të çmueshme sikurse edhe ne” (2 Pjt 1,1).

Përmendja e vdekjes së apostullit, që pritej nga një çast në tjetrin, të bën jashtëzakonisht përshtypje:

“Mendoj, pra, se është e drejtë, deri sa të jetoj në këtë trup t’ju nxis me anë të qortimit të rrini zgjuar, sepse e di se nuk do të vonoj të ndahem nga trupi im, sikurse më vuri në dijeni edhe vetë Zoti ynë Jezu Krishti” (2 Pjt 1,13-14).

E edhe më kumbuese dhe e gjallë është kjo dëshmi e famshme, gjithnjë në kapitullin e parë:

“Sepse nuk ju shpallëm Fuqinë dhe Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij. Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga Lavdia e madhërueshme, i tha: ‘Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa’” (2 Pjt 1,16-18)

Kujtimi i Shndërrimit të Zotit na sjell ndërmend historinë e shën Pjetrit e të Jezu Krishtit e, edhe këtu, nuk mungon përmendja e Letrës së parë, shkruar tashmë:

“Të dashurit e mi! Ja, po ju shkruaj letrën e dytë. Në të dyja mundohem ta zgjoj kuptimin tuaj të shëndoshë me anë të porosisë” (2 Pjt 3,1)

E nëse shtojmë edhe përmendjen e Letrave të shën Palit apostull e të funksionit të tyre të çmuar, nuk mund të kuptohet pse ka dyshime për autorësinë e Letrës. Është pa dyshim, pena e shën Pjetrit:

“Duresën e Zotit tonë çmojeni si rast shëlbimi, sikurse edhe Pali, vëllai ynë i dashur, ju shkroi me dije që iu dhurua. Kështu ai thotë në të gjitha Letrat, ku flet për këto gjëra. Në to ka nga diçka që merret vesh vështirë, çka të padijshmit dhe të paqëndrueshmit e shtrembërojnë, si bëjnë edhe me pjesët tjera të Shkrimit shenjt - në dënim të vetvetes” (2 Pjt 3,15-16).

Sado e shterpët të duket çështja e autorësisë së Letrës II të shën Pjetrit, ajo na kujton historinë e brishtë të Biblës dhe të interpretimit të saj. Histori mundi e rezistence kundër ngutjes së atyre, që e përbuzin dhe kundër zemërimit të atyre, që nuk e kuptojnë. Kundër gjykimit të atyre që e shohin si të padepërtueshme e jo aq tërheqëse, që e konsiderojnë të ndërlikuar e kështu, gjejnë strehë në doracakët teologjikë e në surrogatet e fesë.

Por, në një botë të kolonizuar nga imazhe me dy a më shumë kuptime, Bibla është këngë dashurie për Fjalën e Zotit. Fjalë e menduar, e thënë, e komunikuar, e përçuar brez pas brezi e, së fundi, Fjalë e shkruar që të jetohet.

12 nëntor 2020, 08:37