Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Pjetrit, këshillat e fundit

Përfundojmë sot komentin e Letrës I të shën Pjetrit. Do të shohim se si në batutat e fundit, Apostulli, të cilit Krishti i besoi çelësat e Kishës, e bën të qartë se çdo i krishterë mund t’i fitojë betejat e tij në jetë vetëm me fe të shëndoshë. Ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Ndër këshillat e fundit për besimtarët e rinj të krishterë, Shën Pjetri shkon përtej shën Palit, që pohonte se Krishti e kishte përvuajtur veten deri në kryq. Flet për zbritjen e Krishtit në ferr:

“Krishti një herë vdiq për mëkate (tona),

i Drejti për të padrejtët

që t’ju shpinte te Hyji

- njëmend i vrarë në trup,

por i ngjallur me anë të Shpirtit -

Në të edhe shkoi t’u predikojë

shpirtrave në burg” (1 Pjt 3,18-19)

 Pra, ndërmjet himneve befasuese, këshillave atërore e formulave teologjike, del në pah një tekst, në të cilin ndihet deri në fund shqetësimi për bashkësitë e impenjuara në një luftë vdekatare, që vetëm feja e shëndoshë mund ta mbështesë:

“Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë. Të fortë në fe kundërshtoni duke e ditur se po të njëjtat vuajtje i pësojnë vëllezërit tuaj në fe të shpërndarë nëpër botë” (1 Pjt 5,8-9)

 Ç’ka mbetur nga ai peshkatar e ai mëngjes vere para liqenit, kur Krishti e thirri të bëjë pjesë ndër ndjekësit e vet? Pse tani, shën Pjetri është kaq i shqetësuar për vuajtjet e vëllezërve të tij? Kjo këmbëngulje a nuk dëshmon për një frikë gati nervoze? Atë për vuajtjet e tij? Për vdekjen e tij? Për atë luan, që shpejt do t’i duhet të sfidojë?

 Shën Pjetri kujton gjakun e çmuar të Krishtit dhe e di mirë se është dëshmitar i mundimeve të Tij, por nuk mund të mos i kujtohen edhe sa herë e mohoi e u fsheh. Herën e parë u tregua frikacak, gjatë Mundimeve të Krishtit; të dytën, për hir, kur ishte i burgosur, për shkak të Ungjillit. Por e ndien se hera e tretë do të jetë ndryshe. E ndien se ndërsa ngushëllon vëllezërit në fe, ka nevojë ta shtrëngojë fort gurin e tij të këndit. Jo, nuk është ai shkëmbi mbi të cilin ngrihet Kisha, është Krishti e, pa Të, shën Pjetri e çdo i krishterë pengohet e bie.

 Në errësirën e thellë plot erë të keqe të burgut mamertin, shën Pjetri, duke ua ngulur sytë gurëve të ftohtë, do t’i përfundonte ditët e tij mbi tokë, duke thënë: “Shtrëngohuni pas Tij, gurit të gjallë”.

Në emisionin e ardhshëm do të fillojmë komentin e Letrës II të Shën Pjetrit, e cila, siç mendojnë studiuesit, ndoshta nuk është shkruar prej tij. Duhet të datojë në fund të shekullit I e është shkruar duke përdorur emrin e apostullit dhe diçka nga jeta e tij për t’i dhënë autoritet tekstit. Në këto raste, filologjia flet për pseudoepigrafi. Por ka edhe nga ata që mendojnë se Letra është shkruar nga Pjetri, duke përdorur si sekretar jo më Silvanin apo Silën, si në Letrën e parë, por një tjetër. Cila është e vërteta? Do ta shohim të enjten e ardhshme.

05 nëntor 2020, 08:07