Beato Giovanni Duns Scoto, sacerdote francescano Beato Giovanni Duns Scoto, sacerdote francescano 

Më 8 nëntor kalendari kishtar kujton të Lumin Gjonin Duns Skot

Mësues i madh i teologjisë, i quajtur “mendimtar i së ardhmes” nga filozofi gjerman Martin Heidegger, Duns Skot mund të krahasohet me shën Tomën e Akuinit e më shën Bonaventurën. Qëllimi i tij ishte të realizonte një sintezë të filozofisë e të teologjisë. Me bindje për epërsinë e dashurisë mbi njohjen e lirinë.

R.SH. - Vatikan

I Lumi Gjoni Duns Skot, teolog i famshëm mesjetar, lindi në vitin 1265 në Skoci, prej nga mori edhe llagapin (mbiembrin) Skot, apos Skocez. Rreth vitit 1280 hyri në Urdhrin Françeskan, ndërsa meshtar u shugurua nga ipeshkvi i Linkolnit në vitin 1291. Studioi për shumë vjet në Universitetin e Kembrixhit e në atë të Parisit.

Një shkrim i hershëm mbi varrin e tij përmbledh koordinatat gjeografike të biografisë së tij: “Anglia e pranoi; Franca e arsimoi; Këlni, në Gjermani, ruan reliket e tij; në Skoci ai lindi”. Mësues i madh i teologjisë, i quajtur “mendimtar i së ardhmes” nga filozofi gjerman Martin Heidegger, Duns Skot mund të krahasohet me shën Tomën e Akuinit e më shën Bonaventurën. Qëllimi i tij ishte të realizonte një sintezë të filozofisë e të teologjisë. Me bindje për epërsinë e dashurisë mbi njohjen e lirinë, i Lumi Gjoni Duns Skot e paraqet teologjinë si shkencë praktike, shkencë që i prin njeriut drejt dashurisë.

I mbiquajtur “doktor subtilis” – “dijetar i hollë” për mprehtësinë e tij gjeniale dhe “doktor marianus” – “dijetar marian” për devocionin që pati ndaj Zojës së Bekuar të Papërlyer, zënies pa faj të së cilës i kushtoi një nga veprat e veta më të rëndësishme. Vdiq më 8 nëntor të vitit 1308 në Këln të Gjermanisë. Papa Shën Gjon Pali II e shpalli të Lumtur më 20 mars 1993 duke e quajtur “këngëtar të Fjalës së Mishëruar e mbrojtës të të Zënit të Papërlyer të Marisë. Trupi i tij pushon në kriptën e Kishës së fretërve të vegjël në Këln.

Ëndrra e madhe e njerëzimit të të gjitha kohëve, quhet Liri!

Teologu i njohur i mesjetës Gjon Duns Skot na kujton se "besnikëria ndaj Krishtit mund të paguhet me armiqësi e persekutime". Historia e krishterë ka pasur gjithnjë njerëz besnikë ndaj Kishës e ndaj Papës, pavarësisht nga persekutimet. Një nga këta dëshmitarë ishte teologu i famshëm mesjetar, Gjon Duns Skoti. Ëndrra e madhe e njerëzimit të të gjitha kohëve, quhet Liri! Është vlerë, që kërkohet e emfatizohet, posaçërisht në epokën moderne. Po ç’mund të themi për kufijtë e kësaj ëndrre të bukur, për të cilën luftuan njerëz të panumërt gjatë shekujsh, duke i kushtuar gjithçka, deri në flijimin e vetvetes?

Teologu skocez i shekullit të 13-të, Gjon Duns Skot, pati sqaruar një pikë, që shqetësonte prej kohe mendjen e intelektualëve: liria, pohoi, është cilësi themelore e vullnetit njerëzor, që megjithatë do të mbetej e paplotë, në se do të absolutizohej e nuk do t’ia vinte veshin zërit të Zotit. Historia moderne, ashtu si përvoja jonë e përditshme, na mëson se liria është autentike e ndihmon për ndërtimin e një qytetërimi të mirëfilltë njerëzor, vetëm kur përkon me të vërtetën. Në se shkëputet nga e vërteta, liria bëhet tragjikisht parim i shkatërrimit të harmonisë shpirtërore të njeriut, burim i shpërdorimeve të njerëzve më të fortë e më të dhunshëm e shkak vuajtjesh për të gjithë.

Ndërsa, liria, ashtu si të gjitha vetitë, me të cilat është i pajisur njeriu rritet e përsoset, pohon Duns Skoti, "kur njeriu e pranon Fjalën e Zotit, duke e vlerësuar mundësinë për ta dëgjuar zërin e tij: kur ne ia vëmë veshin Zbulesës hyjnore, kur e dëgjojmë Fjalën e Zotit, për t’ia hapur, pastaj zemrën, atëherë në shpirtin tonë arrin një mesazh, që e mbush me dritë e me shpresë jetën tonë e na bën me të vërtetë të lirë".

Duke reflektuar për një episod nga jeta e Duns Skotit, që pranoi më mirë të merrte udhën e hidhur të mërgimit, sesa të nënshkruante një dokument armiqësor kundër Papës, siç pretendonte mbreti Filipi i Bukur, Papa i nderit Benedikti XVI, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme të 7 korrikut 2010, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, arriti në këtë përfundim: “Të dashur vëllezër e motra, ky fakt na fton të kujtojmë se shpesh herë, në historinë e Kishës, besimtarët u panë me sy të shtrembër e madje edhe u persekutuan për shkak të besnikërisë e të devocionit të tyre ndaj Krishtit, ndaj Kishës e ndaj Papës. Ne të gjithë i shikojmë me admirim këta të krishterë, që na mësojnë ta ruajmë si pasurinë më të çmuar, besimin në Krishtin, bashkimin me pasardhësin e Pjetrit e me Kishën universale”.

Gjon Duns Skot këngëtar i Fjalës së Mishëruar e mbrojtës i Zojës së Papërlyer

Janë të njohura cilësitë intelektuale të Duns Skotit, falë të cilave në kohën e tij meritoi, epitetin “Dijetar i hollë”, e në kohë më të reja, “Këngëtar i Fjalës së Mishëruar e mbrojtës i Zojës së Papërlyer”. Kështu e quajti Papa Gjon Pali II, kur e shpalli të Lum, në vitin 1993. Në rastin e parë, Duns Skoti arriti në një përfundim krejt të padëgjuar: “Krishti, pati thënë, do të ishte bërë njeri edhe sikur njerëzimi të mos kishte mëkatuar”.  Duns Skoti, ndonëse i vetëdijshëm se Krishti na shpërbleu me Mundimet, Vdekjen e Ngjalljen e Tij për shkak të mëkatit të rrjedhshëm, pohon se Mishërimi është vepra më e madhe e më e bukur e gjithë historisë së shëlbimit e se ajo nuk u kushtëzua nga asnjë fakt i caktuar.

Nxënës besnik i shën Françeskut, Duns Skotit i pëlqente të sodiste dhe të predikonte Misterin e Mundimeve shëlbimprurëse të Krishtit, shprehje e dashurisë së pafundme të Hyjit, i Cili i komunikon me bujari tejet të madhe jashtë vetvetes rrezet e mirësisë së Vet dhe të dashurisë së Vet (krh. Tractatus de primo principio, c. 4). Dhe kjo dashuri nuk zbulohet vetëm në Kalvar, por edhe në Eukaristinë e Shenjtë, për të cilën Duns Skoti kishte shumë devotshmëri dhe të cilën ai e shihte si Sakramentin e pranisë reale të Jezusit dhe si Sakrament të njësisë e të bashkimit që na bën ta duam njëri-tjetrin dhe ta duam Hyjin si të Mirën më të Madhe të përbashkët (krh. Reportata Parisiensia, in IV Sent., d. 8, q. 1, nr. 3).

Njëlloj i thellë, argumenti lidhur me mbrojtjen të Zënies së Papërlyer të Marisë, mbi të cilin, 500 vjet më pas, do të mbështetej Piu IX për të formuluar dogmën. Mbi Marinë, shpjegoi Duns Skot, veproi “Shëlbimi mbrojtës”: Nëna ishte kryevepra e Shëlbimit, të realizuar nga Biri e, prandaj, u mbrojt nga mëkati i rrjedhshëm. Kjo intuitë sublimonte, tha Papa, atë që njerëzit e besonin vetvetiu për Virgjërën Mari. E ky fakt e nxit Kishën në një reflektim lidhur me punën e teologëve e me respektin që duhet të kenë për ndjenjat fetare të njerëzve të thjeshtë.

Populli i Zotit u paraprin teologëve e kjo, falë ndjenjave të mbinatyrshme fetare, domethënë falë ndikimit të Shpirt Shenjt, që e frymëzon të rrokë realitetin e fesë me përvujtërinë e zemrës e të mendjes. Në këtë kuptim, Populli i Zotit është ‘magjisteri që paraprin” e që, më pas, duhet thelluar e duhet pranuar intelektualisht nga teologjia. Uroj, tha Papa, që teologët t’ia venë mirë veshin këtij burimi të fesë dhe të ruajnë thjeshtësinë e përvujtërinë e të vegjëlve.

I Lumi Duns Skot na mëson se gjëja më themelore në jetën tonë është të besojmë se Zotin e kemi pranë, se na do në Jezu Krishtin. Duhet kultivuar, prandaj, një dashuri e thellë për Jezusin e për Kishën e tij. Me fjalët e Papës Pali VI  në Manilë, edhe ne sot dëshirojmë të ngrehim zërin, që të na dëgjojë gjithë bota: "Krishti është Ai, që na dëfton Hyjin e padukshëm(..) është themeli i çdo gjëje; Ai është Mësuesi i njerëzimit, është Shëlbuesi (…). Ai është qendra e historisë dhe e botës; është Ai, që na njeh e na do; Ai është shoku e miku i jetës sonë… Unë s’di të mbaroj, kur nis të flas për Të” .

08 nëntor 2020, 14:39