Zojën Rruzare Zojën Rruzare 

Kishakatolike kremton sot Zojën Rruzare

Rruzarja është lutje kundruese së cilës të gjithë mund t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë, të ditur e më pak të ditur. Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë.

R.SH. - Vatikan

Me 7 tetor Kisha katolike kremton festën e Zojës Rruzare. Një festë kjo e themeluar nga Papa Shën Piu V, për të përkujtuar fitoren e kombeve të krishtera në vitin 1571 në Lepanto kundër flotës turke. Pra shenjti dhe kujtesa historike e ditës bashkohen në një duke na kujtuar të kremten e Zojës Rruzare dhe betejën e Lepantos.

Siç përmendem, më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korinthit, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha, ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu papën Piu V të caktonte një festë falënderimi e përkujtimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".

Rruzarja lindi në vitin 1200 me Shën Domenikun Guzman. Duke qenë shumë i devotshëm ndaj Nënës së Hyjit, themeluesi i Urdhrit të Predikatarëve (Domenikanëve), për t’i ndihmuar të varfrit ta jetojnë fenë në Krishtin, shën Domeniku mësoi të meditoheshin misteret e Mishërimit të Krishtit duke recituar lutjen e të Falemi Marisë.

Rruzarja është, pra, një uratë për të gjithë, e thjeshtë por dhe e thellë që ndihmon çdo besimtar që lutët. Rruzarja është lutje kundruese së cilës të gjithë mund t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë, të ditur e më pak të ditur. Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë. Prandaj, sot Kisha i larton lutjen Zojës Rruzare të Pompeit dhe i porositi të gjithë ta vlerësojnë, në këtë muaj, kushtuar Zojës së Bekuar, Rruzaren Shenjte e kjo na shtyn të mendojmë mbi vlerat e saj.

 

Rruzarja është kristocentrike. Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës. Megjithatë lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt e zhvillohet rreth misterit të Krishtit. Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik. Me kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishtlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.  Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq. Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë misteret e lumturisë e të dritës së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën.

Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e katër serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë, na dhuroi Korpin e Gjakun e vet në Eukaristi. Duhet vërejtur edhe se Rruzarja, duke na bërë të përshkojmë më shpesh ciklin e mistereve të Mishërimit, të Kryqit e të Lumturisë së Zotit, na ndihmon të perceptojmë unitetin e thellë të misterit të Krishtit, që liturgjia e shpalos gjatë një viti të tërë

Kjo festë e Zojës së Bekuar Rruzare më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X, në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër.

Nga Shenjtëroret e shumta që i kanë lartuar popujt në të katër anët e botës, kujtojmë në trevat shqiptare Kishën e Zojës Rruzare në Shkodër dhe në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, Zoja Rruzare u drejton të gjithë besimtarëve ftesën ta njohin nga afër dhe ta kumtojnë Krishtin, në një shoqëri që po largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore të krishtera.

Ja Lutja e vogël, shkëputur nga urata historike, shkruar nga i Lumi Bartolo Longo, në vitin 1883:

“Virgjër e Rruzares Shenjte, Nënë e Shëlbuesit, grua e tokës sonë e lartuar mbi qiejt e lartë, shërbëtore e përvuajtur e Zotit, shpallur Mbretëreshë e botës, nga thellësia e mjerimeve tona ne ngarendim kah ti e, me besimin e bijve, sytë tanë ngulen mbi fytyrën tënde ëmbëlsi plote.

E kurorëzuar me dymbëdhjetë yje, ti na çon tek misteri i Atit, ti shndrit me dritën e Shpirtit Shenjt, ti na dhuron Foshnjën tënde hyjnore, Jezusin, shpresën tonë, të vetmin shpëtimtar të botës. Me Rruzaren tënde, ti na fton t’ia ngulim sytë fytyrës së Tij. Ti na e hap zemrën e Tij, hon i pafundmë gëzimi e dhimbjeje, drite e lumnie, mister i Birit tënd, që u bë njeri për ne. Tek këmbët tuaja, në gjurmë të Shenjtorëve, ne ndjehemi familje e Zotit.

Nënë e model i Kishës, ti je prijëse dhe ndihmëse e sigurt. Na bëj një zemër të vetme  e një shpirt të vetëm, popull të fortë për udhë drejt atdheut të qiellit. I lëshojmë në dorë tënde mjerimet tona, udhët pa fund të urrejtjes e të gjakut, mijëra varfëritë e lashta e të reja e, sidomos, mëkatin tonë. Në duart tuaja e lëshojmë gjithë vetveten: Nënë e mëshirës, na nxirr nga Zoti hirin e faljes, ndihmona të ndërtojmë një botë sipas zemrës sate.

O Rruzare e bekuar e Marisë, vargua i ëmbël, që na lidh me Hyjin, vargua  dashurie, që na bën vëllezër, ne nuk të lëmë kurrë më. Në duart tona do të jetë arma e paqes dhe e faljes, yll i udhëve tona. E puthja jote, në frymën e fundit, do të na mbështjellë me një valë drite, me vegimin e Nënës së dashur nga Biri hyjnor, etje e gëzim i zemrës sonë, me Atin e Shpirtin Shenjt”.

07 tetor 2020, 09:29