Jeruzalemi Jeruzalemi 

Tre milionë euro – për Patriarkatin Latin të Jeruzalemit

Një ndihmë e jashtëzakonshme, pas thirrjeve të vazhdueshme të Papës e të Kishës universale për ndihma në favor të Tokës Shenjte, që të mos mbetet kurrë pa të krishterë: Urdhëri i Varrit Shenjt i dhuron Patriarkatit Latin të Jeruzalemit një shumë prej tre milionë eurosh, për të përballuar nevojat e emergjencës shëndetësore.

R. SH. - Vatikan

Guvernatori i përgjithshëm i Udhërit të Varrit të Shenjtë, ambasadori  Leonardo Visconti di Modrone, komenton: “Gjatë ditëve të lockdown u takuam me mëkëmbësit që, ndonëse u duhet t’u bëjnë ballë nevojave të shkaktuara nga emergjenca shëndetësore në vendet e tyre, nuk ngurruan t’ua shprehin konkretisht afërsinë vëllezërve e motrave të Tokës Shenjte, goditur rëndë nga sëmundja e, si pasojë, nga mungesa e shtegtarëve. Drejtuesit e Urdhërit shprehin kënaqësinë e thellë që edhe këtë herë, e në këto kushte kaq të trishta, anëtarët u treguan të gatshëm të kontribuojnë  për jetën e përditshme të dioqezës së Jeruzalemit, pa marrë parasysh se nuk u mungojnë vështirësitë edhe në vendet e tyre.

Ndihma po përdoret për të përballuar jetesën e përditshme

Kontributi i dërguar në Tokën Shenjte ishte ndihmesë e madhe ndaj Kishës në vend, për t’u bërë ballë vështirësive të panumërta. Dorës bujare, që përmbledh qindra duar, të Urdhërit të Varrit Shenjt të Jezu Krishtit, iu përgjigjen qindra duar, që shtriheshin për ndihmë nga Jeruzalemi, drejt botës së krishterë! Ato duar, që nuk mbetën bosh, duke falënderuar bamirësit, shkruajnë:

“Faleminderit për ndihmën e dërguar nga Urdhëri për qëllime humanitare. Me të u ndihmuan 2.400 familje, në më se 30 famulli. U pajisen me ushqime, prodhime për higjienën e për fëmijët, me mjekime e para për pagesa të tjera, të domosdoshme për jetën e përditshme. Duke nisur nga qiratë e banesave…. U ndihmuan, pastaj, për të paguar shpenzimet e fillimit të vitit shkollor për fëmijët e tyre edhe 1.180 familje në Palestinë e 1.238 në Jordani”.

Është fjala për ndihma konkrete, të prekshme, jo për premtime!

18 shtator 2020, 15:08