2-Vangelo-della-XXIV-domenica-A---perdonare.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXIV të vitit liturgjik

Nëse im vëlla bën faj kundër meje, sa herë duhet ta fal? Kjo është pyetja, që i drejtojmë Krishtit sot, ndërsa lexojmë Ungjillin sipas Mateut, në kreun e 18-të. Në Shembëlltyrën e shërbëtorit, që s’pati mëshirë, kësaj së diele XXIV të vitit kishtar A, Jezusi përvijon kriteret me të cilat do të gjykohemi nga Ati Qiellor. Ja ç'shkruhet në Ungjill...

R.SH. - Vatikan

21 Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” 22 Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë! 23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, ia sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’i kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Edhe zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin. 28 Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi e e shtiu në burg deri të kthente detyrimin. 31 Kur shërbëtorët e tjerë - shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin. 35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj”.

Të lutemi së bashku:

Pyetja e Pjetrit të nxit të japësh

një përgjigje me mend, o Jezus:

një recetë, që përkon

me ç’thoshin edhe të urtë të tjerë të kohës.

A ka rëndësi t’i vihet një kufi

mundësisë për falje, një limit

që s’duhet kapërcyer në asnjë rast?

 

Në fund të fundit, kjo është logjika njerëzore,

që e dëgjojmë shpesh

në bisedat e përditshme:

të falim posi jo, por deri në një pikë të caktuar,

të falim posi jo, por pa harruar,

të falim posi jo, por pa shprehur

dobësi të tepërt, pa e ulur kokën.

 

Ti mund t’i kishe rritur kërkesat,

duke u treguar më i rreptë se të tjerët.

Por, përkundrazi, na bën të kuptojmë

mëshirën pa fund të Atit tënd Qiellor,

i cili na i shlyen borxhet që i kemi.

E na nxit edhe t’u dhurojmë të gjithë vëllezërve

të njëjtën falje, që marrim prej Zotit.

 

Kështu, Ti o Jezus, s’na lë të bëjmë llogari,

e duket qesharak çdo pretendim i yni,

na hap udhën e zgjidhjeve të panjohura,

që diktohen nga dashuria,

shprehur me gjithë zemër dhe papritmas,

dashuri, së cilës duhet t’i japim përgjigje,

pa tjetër.

12 shtator 2020, 08:52