2019.10.30 Tutti Santi - ognissanti 2019.10.30 Tutti Santi - ognissanti 

Shenjtorët e javës 27 shtator - 4 tetor

E diel më 27 shtator Kisha katolike e ritit latin kremton të dielën e 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë e, po sot më 27 shtator, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Vinçenc de Paoli, meshtar e themelues i Kongregatës së Misionit e të Bijave të Bamirësisë e pajtor i të gjitha shoqatave të bamirësisë.

R.SH. - Vatikan

Sot e diel më 27 shtator Kisha katolike e ritit latin kremton të dielën e 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë e, po sot më 27 shtator, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Vinçenc de Paoli, meshtar e themelues i Kongregatës së Misionit e të Bijave të Bamirësisë e pajtor i të gjitha shoqatave të bamirësisë. 

Nё Ungjillin e kёsaj sё diele nga Mateu ( Mt 21,28-32) Jezusi na mёson se Hyji nuk mënjanon askënd. Shëmbëlltyra e dy djemve na lejon të kuptojmë qëndrimin që mban Jezusi kundrejt “të përçmuarve”, kjo kategori e re e të varfërve. Jezusi ua drejton shëmbëlltyrën kryepriftërinjve dhe pleqve të popullit, njësoj sikurse u drejton të tjera shëmbëlltyra me të njëjtën përmbajtje edhe farisenjve (Lk 18,9). Me këto shëmbëlltyra, ai thekson dashurinë e vecantë që ka për mëkatarët, për ata që përçmohen prej të vetëshpallurve “të drejtë”. Ai arrin të thotë se këta “të varfër” janë më afër shpëtimit sesa të vetëkënaqurit, që mendojnë se janë të drejtë e të dashur nga Hyji, sepse zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e Ligjit.

Tё hënën mё 28 shtator, kalendari kishtar pёrkujton liturgjike Shën Vençeslaun, dukë i Bohemisë, martir e Shën Lorencin Ruiz me shokë, martirë. Liturgjia e ditёs na kujton se përballë lajmeve që dëgjon për Jezusin, edhe Herodi mbetet me gojë hapur nga çudia. Për njerëzit e kohës, Krishti ishte profet i së kaluarës, i ngjallur përsëri. Në se edhe ne mendojmë kështu, gënjehemi keqas e rrezikohemi të mos e kuptojmë të renë që na sjell Jezusi, e cila nuk i përket një kohe të caktuar, por të gjitha kohërave, deri në ditën e fundit të botës.

Të martën mё 29 shtator Kisha katolike na fton të bashkojmë zërat në korin e engjëjve në festën e Kryeengjëjve Mikelit, që do të thotë ‘Kush është si Zoti’; Gabrielit që do të thotë ‘forca e Hyjit’ e Rafaelit që do të thotë ‘ilaçi i Zotit’. Këta kryeengjëj na tregojnë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut.
 
Të mërkurën mё 30 shtator, kalendari kishtar pёrkujton Shën Jeroniminmeshtar e doktor i Kishës, që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet Fjalën Hyjnore. Gjithnjë të mërkurën kalendari kishtar përkujton edhe Shën Françeskun Borgjia, jezuit.
 
Të enjten më 1 tetor, kalendari kishtar pёrkujton Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve. Liturgjia e ditës, profeti na kujton se Zoti bën mrekulli, që ne mund të na duken të pamundura. Ungjilli na siguron se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur e se praninë e tij e shikojmë vazhdimisht ndër fëmijët e në të gjithë njerëzit e pambrojtur.
 
Të premten më 2 tetorbie festa e Engjëjve të Rojës, tё cilёt na kujtonjnё se Zoti dërgon Engjëjt e Tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë tokёsore. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj.
 
Të shtunën më 3 tetor, kalendari kishtar pёrkujton Shën Kandidën martire. Liturgjiae  ditёs na nxit të meditojmë për detyrën tonë si të krishterë në ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit nё jetёn e pёrditshme. Është thirrje themelore, që Jezusi na e përsërit çdo çast, duke na kujtuar se kjo thirrje duhet të na nxisë t’i duam të tjerët e jo ta ndjejmë veten më të mirë se ata.
 
Të dielën e ardhshme më 4 tetor, Kisha katolike do tё kremtojё  të Dielën e 27-të gjatë vitit kishtar e, gjithnjë më 4 tetor, kalendari kishtar përkujton edhe festën e Shën Françeskut të Asizit, themeluesit të Urdhrit Françeskan. Festa e Shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet e njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

27 shtator 2020, 12:27