2020.09.14  Volto di Gesù Cristo, particolare della Trinità di Masaccio 2020.09.14 Volto di Gesù Cristo, particolare della Trinità di Masaccio 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit ‘A'

Ungjilli i kёsaj sё diele na paraqet imazhin e vreshtit, si simbol i popullit të zgjedhur prej Hyjit. Ashtu si vreshti, çdo njeri ka nevojë për shumë përkujdesje, për dashuri e durim. E kujdesi për njёri-tjetrin e pёr familjen është njëra nga mënyrat për të punuar në vreshtin e Zotit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit ‘A'

Zoti thërret. Sot, nesër, gjithmonë. Thërret të gjithë pa dallim, pa përjashtim, thërret të ri e të moshuar, të mirë e të këqij….e të gjithëve ua mëson udhët e Tij hyjnore, e, po kështu, nuk lodhët së  treguari udhën e jetës mëkatarëve. Edhe ne, pra, duam t’i ndjekim udhët e Zotit, t’i ndjekim udhëzimet e Tij, por, para së gjithash kemi nevojë për faljen e përdëllimin e Tij Hyjnor. Përkatësia që jemi popull i Zotit duhet të dëshmohet me vepra e jo me fjalë.

Nё Ungjillin e kёsaj sё diele nga Mateu ( Mt 21,28-32) Jezusi na mёson se Hyji nuk mënjanon askënd. Shëmbëlltyra e dy djemve na lejon të kuptojmë qëndrimin që mban Jezusi kundrejt “të përçmuarve”, kjo kategori e re e të varfërve. Jezusi ua drejton shëmbëlltyrën kryepriftërinjve dhe pleqve të popullit, njësoj sikurse u drejton të tjera shëmbëlltyra me të njëjtën përmbajtje edhe farisenjve (Lk 18,9). Me këto shëmbëlltyra, ai thekson dashurinë e veçantë Hyji Atё që ka për mëkatarët, për ata që përçmohen prej të vetëshpallurve “të drejtë”. Ai arrin të thotë se këta “të varfër” janë më afër shpëtimit sesa të vetëkënaqurit, që mendojnë se janë të drejtë e të dashur nga Hyji, sepse zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e Ligjit.

Ungjilli i kёsaj sё diele nga Mateu, me shëmbëlltyrën e dy djemve të dërguar nga i jati për të punuar në vresht, vё në dukje ndryshimi ndërmjet atij që e pranon se është mëkatar, e prandaj bën vullnetin e Atit, dhe mendjemadhësisë së atij, që e mban veten për njeri të drejtë. Me këtë shëmbëlltyrë Jezusi ripohon se i pëlqejnë mëkatarët që pendohen e na mëson se dhurata e shëlbimit duhet marrë me përvujtëri. 

Ungjilli na paraqet imazhin e vreshtit, si simbol i popullit të zgjedhur prej Hyjit. Ashtu si vreshti, çdo njeri ka nevojë për shumë përkujdesje, për dashuri e durim. E kujdesi për njёri-tjetrin, pёr familjen e pёr shoqёrinё tonё është njëra nga mënyrat për të punuar në vreshtin e Zotit. Para Zotit “nuk vlejnë fjalët”, por veprat, nismat e kthimit dhe të fesë. Shëmbëlltyra ungjillore na fton të ndërmarrim një angazhim përherë e më konkret në ushtrimin dhe dëshmimin e fesë sonё nё realitetin e pёrditshёm.  Nuk kanë rëndësi fjalët, por veprat, vlen kthimi në fe.

Shёn Pali nё Letrën drejtuar Filipianëve (Leximi Dytё), na drejton ftesën pёr t’i ndjekur gjurmët e Krishtit që, nga dashuria për ne, u zhvesh prej lavdisë së tij hyjnore, u bë njeri dhe u poshtërua aq, sa të vdiste i kryqëzuar. Folja, që përdoret në këtë rast – ekenôsen – e që fjalë për fjalë do të thotë “zbrazi vetveten’, flet qartë për përvujtërinë më të thellë dhe dashurinë e pafundme të Jezusit, personifikim i Shërbëtorit të përvujtë.

                                               Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Ez 18, 25-28) 
Nëse i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet, ai ia kthen jetën vetvetes. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet 
Kështu thotë Zoti: “Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes. Ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e jo, nuk do të vdesë.” Fjala e Zotit. 

Psalmi 25 (24)
Ref: Le të bie ndër mend, o Zot, dashuria jote.

_____________________________
Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, 
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
_____________________________
Të të bien në mend mëshira e jote, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:
të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate, 
- për hir të mirësisë sate, o Zot.
_____________________________
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
të përvuajturve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
_____________________________

Leximi i dytë (Fil 2, 2-11) 
Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.
Vëllezër, nëse vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri, mbani njëri-tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit 

Ungjilli (Mt 21, 28-32) 
Tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve dhe kryetarëve të popullit: “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ Ai i përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai i përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?” 
I thanë: “I pari!” 
“Përnjëmend po ju them, – vazhdoi Jezusi – tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë, e ju nuk i besuat; tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”  Fjala e Zotit!

26 shtator 2020, 12:55