Berati Berati 

Shtegtim virtual në katedralen e lashtë të Zojës së Ngjitur në Qiell

“Shtegtimi drejt shenjtëroreve” nis zbritjen nga veriu i Shqipërisë, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, ku ka një mori kishash kushtuar Zojës e, posaçërisht Fjetjes së Hyjlindëses, që po e kremtojmë në pikë të gushtit. Po nisemi virtualisht për në Berat…

R. SH. - Vatikan

Po nisemi sot për ta takuar Zojen, në një shtegtim jo të zakonshëm. Drejt një vendi jashtëzakonisht piktoresk, e tejet të pasur me ikona. Aty janë mbledhur një pjesë e mirë e kryeveprave të ikonografëve shqiptarë, shumë nga të cilat kushtuar Nënës së Krishtit, që vijoi të nderohet në të gjitha trojet tona, që nga koha kur Shën Pali nisi ungjillëzimin e tyre. Këtu mund të sodisim ikonat e mjeshtrave më të mëdhenj shqiptarë, frymëzuar nga Maria! Duke nisur nga Onufri, emrin e të cilit mban katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, drejt së cilës po shtegtojmë sot, e shndërruar në muze, përshtatur në ambientete kishës që prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, për nder të njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI.

Ndonëse Katedralja, e rindërtuar në vitin 1797, mbetet katedrale dhe është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas-bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë, që u përkasin shekujve XIV- XX: Onufri, Nikolla, i biri, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Gdhendjet në dru të katedrales u realizuan në shekullin e XIX nga mjeshtrat Naum Ngjela, nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka. Ikonostasi “Fjetja e Shën Mëris”(1807) është një nga realizimet më të mira të mjeshtrave shqiptarë të drugdhëndjes të shek. XIX. Ikonostasi është i vendosur në gjithë hapësirën tri nefëshe të interierit të katedrales, me dy radhë ikonash, (12 ikonat e mëdha Mbretërore dhe 27 ikonat e vogla të Festave). Me tri porta, është i gdhëndur në dru arre të praruar, i kompozuar si fasadë arkitektonike.

Në ikonostas ruhet parimi kryesor i simetrisë. Materiali i drurit të butë, të përpunueshëm krijoi mundësinë e ndërthurjes dhe të harmonisë shumëplanëshe të motiveve bimore, zoomorfe dhe njerëzore. Ikonostasi nisi të dukej në Kishën e Krishterë pas Sinodit VII, rreth shekullit të 8-të, ku siç dihet pas rivendosjes së Ikonave në Kishë, u pa se ishte e nevojshme që ky objekt të funksiononte për t’i mbajtur këto Ikona. Shumë të rëndësishme për besimtarët e krishterë ortodoksë janë 4 ikonat qëndrore, 2 në anën e majtë dhe 2 në anën e djathtë (të derës mbretërore). Më të majtë të bien në sy ikonat e “Jezu Krishti Pantokrator” dhe “Johan Pagëzorit”, ndërsa më të djathtë, ikona e “Shën Mërisë”, dhe e “Fjetjes së Shën Mërisë”, emër i katedrales. Këtu mund të ndalemi për ndjetin tonë, sepse në këtë vend shenjt erdhëm  jo vetëm për të soditur, por edhe për t’u lutur, pa çka se tani është muze. Të lutemi, pra, para Zojës e para Kryqit të ikonostasit, në qendër të të cilit shikojmë skenën e Krishtit të kryqëzuar, ndërsa në dy anët e kryqit, dy ikona: atë të Virgjëreshës dhe atë të Johan Theologut. Për t’u ndaluar, pastaj, para Kryeëngjëllit Gabriel, që i sjell Shën Mërisë “Lajmin” e gëzueshëm të lindjes së Shëlbuesit, skena më e rëndësishme e gjithë ikonostasit.

Në ikonostas të tërheqin vëmendjen dhe dy dyert anësore, dera e Veriut dhe ajo e Jugut. Mbi to sodisim dy Kryeëngjëjt, Mikelin dhe Gabrielin – Gabrieli në derën e Veriut dhe Mikeli në derën e Jugut. Simbolizojnë ruajtjen me rreptësi të Shenjtërores së Shenjtëroreve, siç quhet Ajovima, prandaj edhe u pikturuan me shpatë në dorë.

Me shpatë në dorë u pikturuan e u ruajtën edhe ikonat, para të cilave, në atmosferën e të Ngjiturit të Zojës në qiell, lutemi në heshtje, në këtë botë feje e arti  të krishterë e shqiptar.

16 gusht 2020, 08:23