2019.02.25 La Croce di Gesù 2019.02.25 La Croce di Gesù 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 22-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Në Ungjillin e së dielës, Jezusi u kumton dishepujve se do t’i duhet të vdesë e pastaj, të ngjallet. Pjetri kundërshton, rebelohet. Duket qartë ndryshimi ndërmjet planit të dashurisë së Atit Qiellor, që arrin deri në dhurimin e Birit të vetëm mbi kryq, për të shpëtuar njerëzimin, e shpresave, dëshirave dhe planeve të dishepujve.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 22-të gjatë vitit kishtar ‘A

Leximet biblike të Meshës së kësaj së diele na mësojnë se udha e Zotit është udha e kryqit. Kështu, liturgjia e Fjalës Hyjnore, na paraqet kryqin si përcaktim e zgjedhje të jetës dhe na drejton thirrjen për të ecur gjurmëve të Jezu Krishtit.

 Të ndjekësh Jezusin, si individualisht apo edhe si bashkësi, do të thotë të heqësh dorë nga mënyra e arsyetimit ‘sipas njerëzve’ e të orientohesh sipas mënyrës së arsyetimit ‘ të Zotit’.  Këtë na mëson Jezusi, të cilin pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, e paraqet pikërisht në çastin kur Krishti e shfaq para nxënësve vendimin e tij për t’u nisur drejt Jerusalemit, që do të thotë drejt udhës së kryqit e, me këtë rast, Jezusi ndeshët me kundërshtimin e Pjetrit, i cili orvatet ta bind Mësuesin Hyjnor të heqë dorë nga një vendim i tillë. Mirëpo “Jezusi filloi t’u thotë se duhej të vuante shumë e se do të vritet…”.

Që atëherë, qendra e tërë historisë njerëzore është fytyra e Zotit të kryqëzuar. Ky është shkandulli i krishterimit. Ta pranosh Jezusin si Mesi është diçka e pranueshme. Por që Mesia duhet ta përfundojë jetën e vet me një vdekje të tmerrshme mbi kryq, ja ajo e vërtetë që për njerëzit është e papranueshme. Me Pjetrin apostull edhe ne i përsërisim Jezusit: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri Jezus! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!”. Ti Jezus, mashtrohesh, sepse bota nuk do të shpëtohet për një kryqëzim më tepër, ndër miliona kryqëzime të historisë. Është marrëzi. Përdorë mjete tjera, përdore pushtetin, sakralitetin, mrekullinë, autoritetin....

Po Jezusi pikërisht këtë refuzon. Ai zgjedh shërbimin, varfërinë e shpirtit, përdëllimin, urinë për drejtësi, zemrën e pastër, ndërtimin e paqes, butësinë, kryqin. Kryqi është shenja maksimale që Zoti na ka dërguar, pika e fundit në të cilën gjithçka e çdo gjë takohet e përkon: udhët e qiellit, udhët e zemrës, udhët e tokës, ku çdo gjë është shkruar me germa gjaku e dashurie, të vetmet që nuk gënjejnë e nuk mashtrojnë. Kryqi, thotë Jezusi, duhet marrë, duhet zgjedhur si udhë e jetës së vërtetë.

Nё Ungjillin e kёsaj sё diele Jezusi i thotë Pjetrit një fjalë shumë të rëndë: “Larg prapa meje, shejtan! Ti po më shkandullon!”. Krishti na mëson se dishepujt s’kanë rrugë tjetër, përveç rrugës së Tij; ata duhet ta ndjekin gjithnjë pas Atë, të Kryqëzuarin. Në të tre Ungjijtë kjo ndjekje shpjegohet pikërisht nën shenjën e Kryqit e shikohet si udhë, që çon në humbjen e vetvetes, gjë e nevojshme për njeriun, sepse pa të, nuk mund ta gjejë vetveten. Ashtu si dishepujve, Jezusi na e drejton edhe ne ftesën: “Në se ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë!”.

I krishteri e ndjek Zotin, kur e pranon me dashuri kryqin e vet, gjë që para syve të botës duket si disfatë e humbje e jetës, sepse e di që nuk e mbart i vetëm, por me Jezusin, në sa ecën pas tij në udhën e dhurimit. Duke pranuar vullnetarisht vdekjen, Jezusi mbart kryqin e të gjithë njerëzve e bëhet burim shëlbimi për mbarë njerëzimin.

                                                                     Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Jer 20, 7-9)
Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove. U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin. Sa herë që më duhet ta shpall fjalën, më duhet të lëshoj kushtrimin, të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!”
Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën! Atëherë thashë me vete: “Më s’do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas!” Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, i ndryrë në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s’munda!

Fjala e Zotit.

Psalmi 63 (62)
Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot.
_____________________________
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj.
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
si tokë e shkretë, e thatë, e paujë.
_____________________________
Kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.
_____________________________
Kështu do të të bekoj në jetën time,
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.
_____________________________
Sepse ti je bërë ndihma ime,
prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty,
e djathta jote më mban.
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 12, 1-2)
Kushtoni trupin tuaj fli të gjallë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit – porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos ju përshtatni më parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur.

Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 16, 21-27)
Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të shkribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.
Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!”
Jezusi u kthye e i tha Pjetrit: “Shporru meje, he djall! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.
Ç’ dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet? Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.”
Fjala e Zotit.

29 gusht 2020, 09:52