2019.08.31  Cardinale Carlo Maria Martini 2019.08.31 Cardinale Carlo Maria Martini 

Kardinal Martini nё përvjetorin e vdekjes: njeri i mendjes e i dialogut

Kardinal Carlo Maria Martini nё përvjetorin e vdekjes: kryeipeshkёv i Milanos, intelektual, jezuit, teolog, biblist, e kujtojnë të gjithë si një njeri të paqes, si një njeri shpirtëror, si njeri të Fjalës së Zotit. Ai qe pik themelore referimi për laikë e katolikë, besimtarë e jo besimtarë.

R.SH. - Vatikan

Mbushen sot tetë vjet nga vdekja e kardinalit Carlo Maria Martini, kryeipeshkёv i Milanos, jezuit, teolog, biblist, që ndërroi më 31 gusht 2012, në Gallarate, afёr Milanos, ku pati kaluar vitet e fundit të jetës.

Carlo Maria Martini ishte vetëm 17 vjeç kur hyri në Shoqërinë e Jezusit, te Jezuitёt, 25 vjeç kur u shugurua meshtar. Kardinali Martini ka qenë rektor i Institutit Biblik nё Romё e, më pas, Rektor i Universitetit Papnor Gregoriana, para se në vitin 1980 të emërohej kryeipeshkëv i Milanos, detyrë që e kreu deri në vitin 2002.  Ndërmjet veprimtarive të tij më të njohura, kujtojmë nismën e “Shkollës së Fjalës së Zotit” në dioqezë, për t’i lidhur më ngushtë laikët me Shkrimin Shenjt, përmes metodës së Lectio divina, si dhe “Katedrën e jo besimtarëve”, seri takimesh në ndihmë të njerëzve, që kërkojnë të vërtetën.

Kardinali Martini qe dëshmitar i një jete dhuruar Zotit nё forma të ndryshme: si intelektual, si biblist i madh, si rektor universiteti dhe si bari i Kishës. Shumë e kujtojnë kardinal Martinin për vullnetin dhe dëshirën e tij për të krijuar marrëdhënie të mira me botën moderne. E ky është një nga aspektet, që e dallojnë shërbimin e tij në Milano, i pranuar nga të gjithë. E gjithë bota, e jo vetëm ajo milaneze, i është mirënjohëse për këtë. Kardinal Martini ka qenë edhe ndër të parët, që filloi dialogun me ateistët dhe me jo besimtarët, sepse propozimi i Jezu Krishtit u drejtohet gjithnjë e rishtas, të gjithëve, pa dallim e pa pёrjashtim. Kardinali Martioni rifilloi, kështu, një traditë të madhe me ndjeshmërinë e tij të veçantë.

Papa Françesku: kardinal Martini, njeri i mendjes e i paqes

“Kur kërkojmë vullnetin e Zotit, hasim gjithnjë këndvështrime të ndryshme e duhet të gjejmë hapësira për ta dëgjuar Shpirtin Shenjt Zot e për t’i lejuar të veprojë në thellësi, siç po provojmë në Sinodin për Familjen”. Kështu shkruan Papa Françesku në parathënien e librit “Katedrat e jo besimtarëve”, vëllimi i parë i veprës së plotë të kardinalit Carlo Maria Martini, botuar mё 2015 nga shtëpinë botuese Bompiani. Ati i Shenjtë Françesku nënvizon se kardinali Martini i mirënjohur për kulturën e tij të gjerë filozofike e teologjike, si edhe për dialogun me besimtarët e jo besimtarët, “e ka hedhur vështrimin përtej kufijve të konsoliduar, duke favorizuar një Kishë misionare ‘në dalje’ e jo të mbyllur në vetvete, duke nxjerrë në dritë mesazhin universal të Ungjillit, bartës të dritës e të fyrmëzimit për çdo njeri”.

“Dëshiroj të vë në dukje tri aspekte, që mendoj se janë veçanërisht të rëndësishme në figurën e kardinalit – shkruan më tej Papa Françesku. I pari ka të bëjë me kujdesin e tij për të promovuar në bashkësinë kishtare stilin e sinodalitetit, për të cilin u fol në Koncilin II të Vatikanit. Së dyti – nënvizon Papa Bergoljo – me stilin e tij baritor dhe shpirtëror të dialogut, kardinali Martini u përpoq të afronte jo vetëm anëtarët e bashkësisë kishtare. Bëri ç’është e mundur për t’u takuar edhe me ata, që nuk e numëronin veten në bashkësinë e besimtarëve”. Aspekti i tretë, që karkaterizon ish-kryeipeshkvin e Milanos, tipar që sipas Papës “mbështet e është bazë për dy të parët”, është “familjariteti i tij me Fjalën e Zotit. E kjo aftësi bashkohej me talentin baritor për t’ua kumtuar këtë Fjalë të gjithëve, besimtarëve dhe laikëve, intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë”.

Për Atin e Shenjtë Bergoglio, vepra e plotë kardinalit Carlo Maria Martini është ftesë për të reflektuar së bashku si po e ndërtojmë të ardhmen e planetit; është nxitje për të kërkuar rrugë të përbashkëta shprese. Mendimi i kardinalit, i cili – kujtojmë – ndërroi jetë në vitin 2012, mund të jetë ndihmë e madhe për botën e sotme, ku veprojnë forca shpërbërëse, që synojnë t’i bëjnë njerëzit gjithnjë e më pak humanë. Vepra e kardinalit, përfundon Papa Françesku, mund të frymëzojë një jetë më kuptimplote e një bashkëjetesë më vëllazërore.

Atë Lombardi: kardinal Martini ishte ungjillëzues i madh

Kujtimi i ish-drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe Radio Vatikanit, atë Federico Lombardi për figurën e kardinalit Martini: “Kur flasim pёr Kardinali Martini flasim për një ipeshkëv që, me fjalën e tij, me shkrimet e shumta, me nismat inovatore baritore, diti t’ua dëshmojë e t’ua kumtojë frytshëm fenë njerëzve të kohës sonë, duke fituar nderimin e respektin e afërmve e të largëtëve e duke frymëzuar në ushtrimin e shërbimit, shumë sivëllezër në ipeshkvni, në të katër anët e botës.

Personaliteti i jezuitit Martini u formua përmes studimit të Shkrimit Shenjt. Fjala e Zotit ishte pikënisja dhe themeli i përpjekjeve të kardinalit Carlo Maria Martini në çdo aspekt të realitetit e të ndërhyrjeve të tij; Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës, burim i përshpirtërisë dhe i pedagogjisë së tij shpirtërore; i lidhjeve të vazhdueshme, të drejtpërdrejta e konkrete ndërmjet leximit të Fjalës së Zotit e jetës konkrete, i gjykimit të tij shpirtëror dhe vendimit të marrë gjithnjë në dritën e Ungjillit.

Ishte intuitë guximtare e Gjon Palit II vënia e pasurisë kulturore e shpirtërore të atij, që kishte qenë deri në atë kohë studiues, rektor i Biblikut e pastaj Gregorianës, në shërbim të qeverisjes baritore të njërës nga dioqezat më të mëdha të botës, asaj tё Milano-s. Stili i qeverisjes së tij qe karakteristik. Në librin e vogël të tij “Ipeshkvi”, Martini shkruan: “Ipeshkvi nuk duhet as ta mendojë se do të mund t’i drejtojë me efikasitet njerëzit, që i janë besuar, me shkresa e dekrete të shumta, me ndalime e gjykime negative. Në vend të tyre, duhet të ngulë këmbë mbi formimin shpirtëror, mbi shijen e hirin e Shkrimit Shenjt, duhet të paraqesë arsyet pozitive të veprimeve tona sipas Ungjillit. Do të fitojë, kështu, shumë më tepër, se do të fitonte me porosi të rrepta për të zbatuar urdhërimet e Tënzot”. Jemi para një trashëgimie të çmuar, për të cilën duhet reflektuar seriozisht, kur kërkojmë udhët e 'ungjillëzimit të ri”.

Kardinali Martini në dëshminë e jezuitit shqiptar at Zef Bisha

Kardinalin e njohur Carlo Maria Martini e kujtojnë të gjithë si një njeri të paqes, si një njeri shpirtëror, si njeri të Fjalës së Zotit. Ai qe pik themelore referimi për laikë e katolikë, besimtarë e jo besimtarë. Njeri i thjeshtë, i përvujtë, i thellë, i përzemërt e i vendosur dhe rrënjosur në Fjalën e Hyjit e në respektin e dashurinë ndaj njeriut, nga kardinal Martini, mbetët figura e tij e jashtëzakonshme, mbesin fjalët e tij dhe shkrimet e tij.  Ai mësoi të dialogojmë me të gjithë për t’i afruar zemrat e njerëzve me Zotin e me njëri-tjetrin. Kultura, dëshmia e karizma, qe një mësim i madh i fesë në Hyjin e Jetës edhe gjatë sëmundjes së gjatë viteve të fundit të jetës tokësore.

Sot po ju propozojmë figurën e kardinalit jezuit Carlo Maria Martini në dëshminë e jezuitit shqiptar at Zef Bisha, i cili është shqiptari i fundit, që me 15 gusht 2012 u takua me kardinalin Martini, vetëm dy javë para vdekjes së tij. Ja dëshmia e at Zef Bishes për sivëllain jezuit kardinal Martinin dhёnё redaksisë shqipe tё Radio Vatikanit mё 3 shtator 2012 ...

Figura e kardinalit jezuit Carlo Maria Martini në dëshminë e jezuitit shqiptar atë Zef Bisha

 

31 gusht 2020, 10:27