Vatican News

Hollerich: vëmendja konkrete e ipeshkvijve evropianë për Libanin

Në emër të gjithë ipeshkvijve të Bashkimit Evropian, kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe kryetar i COMECE, Komisioni i Episkopateve të BE-së, shpreh solidaritet me popullsinë e Beirutit, pas shpërthimeve të tmerrshme dhe vdekjeprurëse në portin e kryeqytetit të Libanit. Ai siguron lutje për viktimat dhe bën një thirrje të fuqishme për ndihmë.

R.SH. - Vatikan

“Në emër të të gjithë ipeshkvijve të Bashkimit Evropian, shpreh dhimbje për dramën dhe trishtimin e popullsisë së Beirutit, pas shpërthimeve të tmerrshme dhe vdekjeprurëse, në portin e kryeqytetit të Libanit”. Kështu deklaron kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe kryetar i COMECE, Komisionit të Episkopateve të BE-së, në një komunikatë, me të cilën shpreh ngushëllimet “për familjet e viktimave dhe për të gjithë ata, që kanë humbur të dashurit e tyre: miq, fqinjë, kolegë”. Ipeshkvijtë evropianë i lartojnë Zotit “lutje për shpirtrat e të ndjerëve dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve”. Duke përmendur fjalët e Papës Françesku, ipeshkvijtë evropianë luten për Libanin “që, përmes përkushtimit të gjithë grupeve të tij shoqërore, politike dhe fetare, ta përballojë këtë çast jashtëzakonisht tragjik dhe të dhimbshëm”. Por të dëgjojmë vetë kardinalin Hollerich, në mikrofonin e Radio Vatikanit-Vatican News:

         Libani është fqinji ynë. Ka shumë të krishterë, shumë myslimanë, që duan të jetojnë në paqe në këtë vend, një vend, dikur, shumë i begatë, ndërsa tani shumë i varfër: njerëzit vuajnë jashtëzakonisht... Nuk duhet të harrojmë se Libani ka mirëpritur shumë refugjatë e, edhe në Kishën e Evropës ka shumë libanezë e në çdo vend evropian. Për shembull, Kisha Katolike e Qipros është Kisha Maronite: janë njerëz të ardhur nga Libani. Pra, në një farë kuptimi, libanezët janë pjesë e Evropës e ne nuk duhet ta harrojmë Libanin në lutje e me ndihmë konkrete.

         Cili është impenjimi i Kishave të Evropës, që, natyrisht, ka filluar para kësaj tragjedie?

         Sigurisht, në COMECE punojmë për paqen e, edhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Libanit; por ndihma konkrete është ajo e Kishës kombëtare, që jep kontributin e saj. E shumë Kisha në Evropë janë shumë bujare dhe ndihmojnë si gjithnjë, jo vetëm Libanin. Pastaj, Libani është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, që ka interes për një vend të qëndrueshëm, si nga pikpamja politike, ashtu edhe nga ajo ekonomike. Prandaj, mendoj se politikanët duhet të reagojnë, pasi është në interesin e popujve evropianë që Libani të ndihmohet. Por, ne si të krishterë, mund të bëjmë më shumë: nuk duhet të veprojmë vetëm në interesin tonë, por duhet të nxitemi nga solidariteti e dashuria.

07 gusht 2020, 10:31