Shenjtërorja e Shëna Ndout në Laç Shenjtërorja e Shëna Ndout në Laç 

Historia e një shtegtimi në Laç, që përfundoi me mrekulli

Në rubrikën “Shtegtim ndër shenjtërore”, një histori fare e shkurtër, në nderim të Fratit, që rindërtoi Shenjtëroren e Laçit.

R. SH. - Vatikan

Nga shekulli XIII, kur u ngrit shenjtërorja e parë e Shëna Ndout në Laç e deri në vitin 1967, kur u rrënua, kaluan shekuj, jo vite. E u duk se do të kalonin përsëri shekuj, e jo vite, në pritje që të ngrihej përsëri në këmbë streha shqiptare e Shenjtit të Padovës, që këtu thirret i Laçit. E kështu deri në vitin 1991, kur ndodhi një mrekulli e dyfishtë,  e pashkruar.

Pikërisht në këtë vit, ndërmjet shtegtarëve, që nuk kishin pushuar kurrë së ngjituri, te kodra e rrëpirët të Laçit, u duk një frat i huaj, italian. Quhej Ernesto Caroli. Emër i njohur në mbarë botën, sepse themelues i Korit të famshëm Zecchino d’Oro të Antonianës së Bolonjës - po krejt i panjohur në Shqipëri. Kur makina, me të cilën udhëtonte, u ndal rrëzë kodrës, ai u ul. I mati me sy dredhat e rrugës, që ngjitej drejt majës e kaloi gishtat nëpër kokrrat e rruzares, që e mbante në brez, lidhur për konopin e bardhë françeskan. “Ngjitemi - i tha italisht atë Robert Ashtës, asokohe rektor i rrënojave të Shenjtërores, që e shoqëronte. Frati shqiptar u çudit pa masë, ngaqë e dinte se Atë Caroli ecte me shumë vështirësi edhe në korridoret e kuvendit. E i tha: - Thue mund të ngjitesh… “Ngjitem, ngjitem - ia preu fjalën bashkëvëllau, që kishte ardhur pikërisht për të parë rrënojat e për të ringritur mbi Shenjtëroren e vjetër, të renë. E nisi të ecë mbas një karvani të gjatë, në ngjitje. Pa u ndaluar për asnjë çast. Derisa arritën në maje të kodrës, në shtëpinë shqiptare të Shëna Ndout. “Po çka ishte gjithë kjo mrekulli, që të dha forcë me u ngjitë deri këtu? - e pyeti i çuditur frati shqiptar, fratin italian. “Pikërisht mrekulli - ia ktheu tjetri. Ti u kujtove se po lutesha rrëzë kodrës. Domethënë, po bisedoja me Shëna Ndoun. Po nuk e di çka i thashë. I thashë, pra, gjysëm me shaka: “Më ndihmo të ngjitem në maje të kodrës sate me këmbët e mia, përndryshe nuk ta ndërtoj shenjtëroren….”. E detyrova, kështu, të ma bënte këtë mrekulli  - tha i lum frati italian, që mezi po u besonte këmbëve të veta. E, natyrisht, e mbajti fjalën. Ia ndërtoi Shëna Ndout strehën, nën hije të së cilës vazhdojnë të arrijnë mijëra shtegtarë….. Ngarkuar me lutje, me ndjete, me falënderime për hiret e nxjerra me ndërmjetësinë e Shenjtit Mrekullbasë! E në kërkim të hireve të reja, këtu, ku është gurra e hireve, që nxiren nga Zoti, nëpër ndërmjetësim të Shenjtit…

28 gusht 2020, 08:28