Trafiku i qenive njerëzore mbetet problem i pazgjidhur Trafiku i qenive njerëzore mbetet problem i pazgjidhur 

Dita OKB-së për zhdukjen e trafikut: historia e një vajze të vogël nga Benini

Të mitura të shitura e të shfrytëzuara, si skllave: ndodh në të katër anët e botës e është vetëm një nga fytyrat e skllavërisë së sotme. Sot bashkësia ndërkombëtare flet për luftën kundër këtij fenomeni të mbrapshtë, që Papa e quan shpesh “plagë”. Në Benin Salezianët punojnë për t’i kthyer përsëri në jetë ata, që arrijnë të dalin nga trafiku i qenieve njerëzore.

R. SH. - Vatikan

Më 23 gusht është Dita ndërkombëtare e përkujtimit të trafikut të skllevërve e të zhdukjes së skllavërisë, në kujtim të revoltës, që shpërtheu natën ndërmjet 22 e 23 gushtit 1791 në ishullin San Domingo - sot Haiti, e Republika Dominikane - udhëhequr nga gjenerali Toussaint Louverture, ish-skllav, hero i revolucionit haitian, që përfundoi në vitin 1804. Revolta  shënoi kthesën e madhe në betejën për zhdukjen e trafikut transatlantik të skllevërve, që mbarteshin me miliona në Amerikë ndërmjet shekujve XV e XIX: rrëmbeheshin nga trojet e tyre, detyroheshin të shtegtonin në kushte çnjerëzore e pastaj shiteshin e shfrytëzoheshin, duke pësuar të gjitha llojet e dhunës e të shfrytëzimit. Po skllavërimi vijon….

Kundër trafikut, Papa kërkon edukim e vigjilencë

“Shuplakë, që godet dinjitetin e vëllezërve e të motrave më të ligshta”- e quajti Papa trafikun e njerëzve, në një nga fjalimet e fundit me këtë temë, më 30 korrikun e kaluar, në një mesazh drejtuar Konferencës ipeshkvnore argjentinase. “Plagë e njerëzimit”, “tregtim i njeriut”, kundër të cilit duhet punuar akoma shumë, për të zhdukur krimet, që lidhen me të: punën e detyruar, prostitucionin, trafikun e organeve. Krime, që nuk pyesin fare as për pandeminë, e që duhen luftuar në të gjitha nivelet, siç denoncon edhe Caritas Internationalis.

Tema preket vazhdimisht në magjisterin e Papës, që e quan trafikun e njerëzve “veprimtari e mbrapshtë, turp për shoqëritë tona, të vetëquajtura të qytetëruara”. Denoncon, kështu, epokën bashkëkohore e cila “e shndërron njeriun në mall”, duke e zhveshur nga dinjiteti që e dallon, sepse i krijuar sipas shëmbëllimit të Zotit. Lufta kundër trafikut ishte një nga angazhimet kryesore të Papës Françesku që kur qe kryeipeshkëv i Buenos Ajres ku, çdo vit, më 23 gusht - Dita ndërkombëtare për zhdukjen e trafikut të njerëzve - kremtonte një meshë për viktimat, në njërin nga sheshet e qytetit. Për ta thënë përsëri, më pas, nga Vatikani, fjalën e vet kundër kësaj tregtie të ndyrë e të padenjë për njeriun!

Skllavëria vijon

Skllavëria vijon akoma sot, me numra të pamenduara skllevërish, që jetojnë në kushte shfrytëzimi të plotë. E pas tyre fshihen veprimtaritë kriminale, që mbledhin shuma marramendëse nga kjo tregti e padenjë. Deri në 150 milionë dollarë. Më se gjysma e viktimave jeton në Azi. Njerëz të të gjitha moshave, nga më të miturit, deri te pleqtë.

Historia e një vajze të mitur

Ngjarja ndodhi në Benin ku, në luftë kundër kësaj plage, japin një kontribut të çmuar motrat saleziane. Ndërmjet tyre, motra Maria Antonieta, që na tregon historinë e një vajze të vogël, të shitur:

“Një vajzë, që e gjeta në rrugë të madhe. Ishte vetëm 5 vjeçe.  E mora dhe e solla tek ne. E kishte shitur i ati! Me të cilin, pas një historie të gjatë  vuajtjeje, u pajtua. Studioi e u bë infermiere, e pastaj, kur u rrit, u martua e krijoi familjen e  vet, arriti ta falë të atin,  që e pati shitur, së bashku me të vëllain. E kjo nuk është e vetmja histori… Ka shumë e shumë të tjera, njëra më e dhimbshme se tjetra. E kur vajzat e shitura arrijnë të formojnë familje, më thonë: ‘Unë nuk e shes kurrë vajzën time’ . E thonë këtë, sepse e kanë provuar ç’do të thotë të shitesh!’”.

23 gusht 2020, 12:28