Zoja e Fatimes Zoja e Fatimes 

Ca çaste prehjeje, nën strehën e Zojës së Fatimës

Emisioni i pestë i rubrikës “Në shtegtim, drejt shenjtëroreve”, parë si shtegtim virtual, titullohet: “Nise shtegtimin në drejtim të Fatimës, nëse do të provosh një prehje të paprovuar kurrë, në krahët e Zojës së Bekuar!”.

R. SH. - Vatikan

“Mos ki frikë! Nuk dua të të trazoj! Vij nga qielli!”. Ishte 13 maji i vitit 1917 kur në Cova d’Iria të Fatimës, Zoja iu duk tre barinjve të vegjël, që kullosnin grigjët. E iu drejtua me këto fjalë. Niste, kështu, një histori feje  nga më të jashtëzakonshmet, që vijon të jetohet nga mijëra njerëz, të cilët rendin ta takojnë përsëri Zojen e të zbrazin, në lutje, tek këmbët e saj  ankthet e zemrës. Në  një shenjtërore, që lartohet në mes të atyre kullotave të gjelbra, ku Zoja iu duk së pari tre barinjve të vegjël,  të cilët i zgjodhi si dëshmitarë të mëshirës e të dashurisë së Zotit,

Histori e gjatë, kjo, me persekutime, por edhe me sekretet famshme të Fatimës, mbi  të ardhmen e njerëzimit. Disa nga të cilat, të vërtetuara në rrjedhë kohe!

Histori e gatuar me fe, shpresë e pendesë

Dukja e Zojës, që tashmë njihet në mbarë botën si “e Fatimës”, e bëri qendrën e vogël të Portugalisë, vendin më të vizituar e Shenjtëroren, që u lartua aty ku u duk Zoja, një nga më të famshmet në botë.

Dukjet e Fatimës u njohën zyrtarisht në vitin 1930, kur Kisha autorizoi kultin e Zojës.

Dy fjalë për Fatimën…

Kush niset për shtegtim drejt shtëpisë së Zojës, do të arrijë në një qytezë të Portugalisë me 12 mijë banorë, 180 kilometra larg Portos e 123 larg Lisbonës, dy qytetet më të rëndësishme të kombit portugez.

Kush shtegton drejt Fatimës, arrin në një vend lutjeje, pendese, devocioni. Vend paqeje e prehjeje shpirtërore.

… e për barinjtë e vegjël

Gjithçka nisi nga Rruzarja, që thoshin tre barinjtë e vegjël para se të hanin një kafshatë buke, ndërsa kullosnin grigjën. Luçia, Françesku e Gjiaçinta  rriteshin kështu, me pak bukë, por me shumë hir e devocion. Cilësi të njerëzve me zemër të pastër,  atyre, që provojnë hirin e pendesës. Pikërisht këtyre tre fëmijëve Zoja u besoi “të fshehta”, që tronditën botën. E u kërkoi të ndërtonin një kapelë në nderim të saj. E quajti veten “Zoja e Rruzares”, e i porositi barinjtë e vegjël ta thonë rruzaren çdo ditë… Porosi, të cilën vijon t’ua përsërisë atyre, që shtegtojnë drejt Saj, për të lënë në atë vend lutjesh, fshehtësitë e shpirtit e për të marrë, të lehtësuar, rrugën e kthimit në jetën e përditshme, në shoqëri të Zojës së Fatimës, që vijon t’u përsërisë mesazhin e saj  për lutje e pendesë.

Të shtegtosh drejt Fatimës, do të thotë të marrësh një rrugë shpirtërore, që të çon drejt devocionit, pendesës, kthimit në krahët e Krishtit.

Fatima e Papët

Fatima ka qenë gjithnjë cak i shtegtimit të Papëve e vend i shenjtë, jashtëzakonisht i nderuar nga mbarë Kisha. Prej këndej, drejt saj vijojnë të dynden shtegtarët, këto ditë në pritje që të marrë fund pandemia e të mund të vijojnë lirisht vizitat aq të dëshiruara në shtëpinë e Zojës së sekreteve të jetëve. Sot, më shumë se kurrë, për të shkarkuar në prehër të Saj lotët që pikuan këto ditë mbi dheun e freskët të sa e sa varreve, për t’i kërkuar hirin e njerëzimit të ri, që rikthehet në krahët e Krishtit e për ta dëgjuar edhe ne zërin e saj, që na thotë: “Mos ki frikë! Nuk dua të të trazoj! Vij nga qielli!”.

02 gusht 2020, 11:57