Shën Zefirini, papë Shën Zefirini, papë 

Me 26 gusht kalendari kishtar kujton shën Zefirinin, papë e martir

Kohë martirizimi ajo në të cilën Zefirini Papё i priu Kishës. E në këtë kohë, jemi në vitin 199, nën terrorin e Septim Severit, i cili praktikonte politeizmin e, sidomos, kultin e ‘hyjit diell’, e shkëndija për fillimin e persekutimit të të krishterëve qe mospjesëmarrja e tyre në festimet pagane. Pastaj Zeferinin Papёs iu desh të përballojë edhe herezinë modaleiste, që kishte koncepte të gabuara për lidhjet ndërmjet Atit e Birit, si dhe skizmën e parë të krishterë, atë të Hipolitit antipapë.

 R.SH. - Vatikan

Shën Zefirini i lindur në Romë, në fillim u njoh me emrin Gjeferino. Papnia e tij nisi në vitin 199, nën terrorin e Septim Severit, i cili praktikonte politeizmin e, sidomos, kultin e ‘hyjit diell’. Shkëndija për fillimin e persekutimit të të krishterëve qe mospjesëmarrja e tyre e plotë në festimet organizuar me rastin e dhjetëvjetorit të sundimit të perandorit, sepse krejtësisht pagane. Kohë martirizimi pra, ajo në të cilën Zefirini i priu Kishës. E në këtë kohë iu desh të përballojë edhe herezinë modaleiste, që kishte koncepte të gabuara për lidhjet ndërmjet Atit e Birit, si dhe skizmën e parë të krishterë, atë të Hipolitit antipapë.

Shën Hipoliti, teolog e shkrimtar me kulturë greke, u bë zëdhënës i teologjisë së logos. Qe kundërshtar i Zefirinit e i Shën Kalistit, që do të bëhej papë, ndonëse më pas hoqi dorë nga skizma dhe i mbaroi ditët si shenjt, duke derdhur gjakun për Krishtin në Sardenjë.

Pavarësisht nga këto pengesa e vështirësi, Zefirini ia doli mbanesh ta riorganizonte hjerarkinë kishtare, duke emëruar, për herë të parë, vikarin e tij, Kalistin, me detyra më shumë praktike, sesa teologjike. Organizoi varrezat e krishtera, që u zhvendosën nga rruga romake Salaria, në rrugën Apia, ku ndodheshin prej kohe varrezat e Pretestatit e të Domitilës. Një nga këto varreza u quajt ‘kripta e papëve’ ku Zefirini, që i priu Kishës për 20 vjet me radhë, u varros i pari, në një ditë të ftohtë të vitit 217.

26 gusht 2020, 09:58