2020.08.19 San Bernardodi Chiaravalle 2020.08.19 San Bernardodi Chiaravalle 

Më 20 gusht kalendari kishtar kujton shën Bernardin e Kiaravales

Ky mistik i madh, që dëshironte të jetonte i zhytur në “luginën e ndritshme” të kundrimit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer Kishës në nevojat e kohës e për të mbrojtur fenë e krishterë.

R.SH. - Vatikan

Shën Bernardi, abat e dijetar i Kishës, themelues i Urdhrit Cestercens, jetoi ndërmjet shekullit XI e XII, është një nga protagonistët e përvojës së monakizmit perëndimor, që shpëtoi kulturën e lashtë, duke krijuar mundësitë e lindjes së një kulture të re. Pa kulturën e punës të murgjërve mesjetarë  as që mund të bëhej fjalë për zhvillimin e Evropës. Shtegton në mbarë Evropën në shërbim të Papës për të çuar paqen ndërmjet kombeve. Por gjithë kjo veprimtari e ethshme, nis nga heshtja e thellë e lutjes, sepse për të gjëja më e rëndësishme është të kërkojë Zotin.

Shën Bernardin e Kiaravales, Papa Piu VIII e quajti “doktor gojëmjaltë”, sepse ishte tepër i aftë të komentonte tekstet biblike, duke shpjeguar kuptimin që fshihej ndër to. Ky mistik i madh, që dëshironte të jetonte i zhytur në “luginën e ndritshme” të kundrimit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer Kishës në nevojat e kohës e për të mbrojtur fenë e krishterë. U quajt edhe ‘Doktor marian’, jo sepse shkroi shumë për Zojën e Bekuar, por sepse diti ta vlerësojë rolin e saj themelor në Kishë, duke e paraqitur si model i përkryer i jetës murgare e i çdo forme tjetër të jetës së krishterë.

Shën Bernardi i Kiaravales njihet edhe si ‘Ati i fundit” i Kishës, sepse në shekullin XII, edhe një herë, e përtëriu dhe e bëri të pranishme teologjinë e madhe të Etërve kishtar. Nuk i njohim hollësirat e fëmijërisë së tij. Dimë vetëm se lindi në vitin 1090 në Francë, në një familje të madhe e mjaft të kamur.

Në rini e tërhoqën të ashtuquajturat ‘arte liberale’, posaçërisht gramatika, retorika e dialektika, të cilat i studioi si nxënës i shkollës së Kanonikëve të Kishës së Shën Vorlë, në Shâtijo-mbi-Sienë, ku dalë-nga-dalë mori vendim të hynte në jetën rregulltare. Ishte njëzet vjeçar, kur trokiti në portën e Sito, një fondacion i ri murgar, plot gjallëri, në krahasim me manastiret më të vjetra të asaj kohe, e njëkohësisht, më i rreptë në praktikimin e këshillave ungjillore.

Në këto vite, para 1300-ës, Bernardi pati një letërkëmbim të shpeshtë me shumë njerëz, të shquar e të thjeshtë. Letrave të shumta të kësaj periudhe, u duhen shtuar Sermonet apo Predikimet e shumta si dhe Sentencat e Traktatet. Gjithnjë në këtë kohë lindi miqësia e tij e ngushtë me Gulielmin, Abat i Sen-Tierrí e me Gulielmin e Shampò, personalitete nga më të rëndësishmit në shekullin XII. Nga viti 1130 e në vijim, nisi të merrej me problemet e rënda të Selisë së Shenjtë e të Kishës. Për këtë arsye iu desh të dilte gjithnjë më shpesh nga manastiri e, nganjëherë, edhe nga Franca.

Themeloi edhe disa manastire femërore e qe protagonist i një letërkëmbimi me Pjetrin e Nderuar, Abat i Klyni, për të cilin fola të mërkurën e kaluar. Në këtë kohë Bernardi luftoi edhe kundër herezisë së katarëve. Shkroi edhe veprat e tij më të famshme, si ‘Sermonet për Këngën e Këngëve”.

Në vitet e fundit të jetës – kujtojmë se vdiq në vitin 1153 - Bernardit iu desh t’i kufizonte udhëtimet, gjë që i krijoi mundësitë të rishikonte përfundimisht kompleksin e Letrave, Sermoneve e Traktateve. Meriton të përmendet edhe një libër i veçantë, të cilin e përfundoi më 1145, kur ish-nxënësi i tij, Bernardo Pinjateli, u zgjodh Papë, me emrin Eugjeni III. Titullohet “De Consideratione” e përmbledh këshilla që duhen ndjekur për t’u bërë Papë i mirë. Libri mbetet aktual për papët e të gjitha kohëve.

Po e përfundoj këtë jetëshkrim të Shën Bernardit me një lutje drejtuar Marisë, shkëputur prej njërës nga homelitë e tij më të bukura: “Në rreziqe, në angështi, në pasiguri, mendo gjithnjë për Marinë, lutu Marisë. Emrin e saj ta kesh gjithnjë në buzë, gjithnjë në zemër. E me që kërkon ndihmë nga lutja e saj, mos e harro kurrë shembullin e jetës së Marisë. Në se e ndjek, nuk do të dredhosh rrugë; në se i lutesh, nuk mund të dëshpërohesh; në se mendon për të, nuk mund të gabosh. Në se ajo të mban, nuk mund të rrëzohesh; në se të mbron, nuk duhet të kesh frikë nga asgjë; në se të prin, nuk do të lodhesh; në se të përkrah, do të arrish pa tjetër tek caku!” (Hom, II super “Missus est”, 17: PL 183, 70-71).

Shën Bernardi pohon se “ajo, Virgjёra Mari ia hapë pafundësinë e mëshirës së Zotit atij që do, kur do e si do; kështu që nuk ka mëkatar, sado i mbrapshtë të jetë, që të humbasë, në se gëzon mbrojtjen e Marisë”. (Shën Bernardi i Kiaravales, De Laudibus Virginis Matris)

Në vijim, Shenjti na kujton se, kur gjunjëzohet para Zojës së Bekuar, mëkatari nuk duhet të ketë frikë, as turp, për shkak të mëkateve të veta. Përkundrazi, sepse: “... si mund t’ia mohosh ndihmën njeriut të mjerë, ti, Mari, që je Mbretëreshë e mëshirës? E kush mund të jenë nënshtetasit e tu, përveç mjeranëve? Ti je mbretëreshë e mëshirës e unë, mëkatari më i madh; prej këndej, edhe më i madhi i nënshtetasve të tu”. (Shën Bernardi i Kiaravales, De Laudibus Virginis Matris.

Nga jeta e Shën Bernardit të Kiaravales
 
“Mirupafshim, vëllaçko” - thotë Bernardi. - Po ta lë ty gjithë ç’kemi trashëguar”.
“Pooo, sigurisht, ju po merrni për vete qiellin e mua po më lini tokën: nuk më duket ndarje e drejtë e gjësë kjo!”.
Nivardi, vëllau më i vogël i familjes, është tepër i trishtuar. Rri te pragu i asaj shtëpie, ku mbeti vetëm me babanë plak, duke shikuar vëllaun e madh, Bernardin që zhduket, së bashku dhe shtatë sivëllezër të tjerë. Nisen për abacinë e Sitosë, ku kanë vendosur t’ia kushtojnë gjithë jetën Zotit.
Gjatë udhës, me ta bashkohen edhe shokë e kushërinj të tjerë: në fund, kur paraqiten tek porta e abacisë benediktine, janë bërë rreth tridhjetë vetë.
Jemi në vitin 1112 e Bernardi nuk e zgjedh rastësisht abacinë e Sitosë. Në këtë kohë benediktinët janë ndarë në dy familje: në Sito, murgjërit vijojnë të jetojnë në varfëri, ashtu si dëshironte Shenjti i madh themelues. Ndërsa në abacinë e Klynisë, benediktinët kanë nisur të jetojnë me salltanet të madh: arti e liturgjia e kremtojnë madhështinë hyjnore me shkëlqim mbretëror. Por nuk është ky ideali murgar që kërkon Bernardi.
Pasi kalon disa vjet në Sitò, Bernardi mendon se ka ardhur koha për ta rishikuar rregullën benediktine, që u ka bërë ballë gjashtë shekujve. Prandaj shkon në një vend të quajtur Kiaravale, për të themeluar aty një abaci të re çisterçense (që do të thotë, sipas përshpirtërisë së Sitosë) e për të vënë në jetë një përshpirtëri të re. Në abacinë e Kiaravales, Bernardi, që sapo i ka mbushur 25 vjet, së bashku me shokët e tij, bëjnë një jetë tepër të thjeshtë, që i përngjan jetës së Jezusit. Në qelinë e tij Bernardi e rishikon rregullën e Shën Benediktit, por pa i prekur parimet themelore: punë, thjeshtësi, lutje, përkorë e varfëri. Më pas Bernardi me shokët e tij, vendosin të mbajnë zhguna të bardhë: lind kështu urdhëri Çisterçens. E me sukses të plotë. Ndonëse rregulla që propozon Bernardi është e rreptë, tërheq menjëherë shumë djem e vajza. Pak kohë më vonë edhe Nivardi me gjithë të jatin, bashkohen me Bernardin. E ndërsa murgjërit e Klynì shikojnë si zbrazen kuvendet e tyre, abacitë çisterçense lulëzojnë në mbarë Evropën.
Kur vdes Bernardi, numërohen treqind e pesëdhjetë abaci çisterçense. Jeta murgare, e menduar nga Shën Benedikti, rifiton freskinë e zanafillës. E të mendosh se në fillim ishin vetëm 30 djelmosha, të mbledhur rrugës. ..
Ndërsa sot në botë numrohen jo tridhjetë, por njëqind e shtatëdhjetë e nëntë manastire çisterçense

20 gusht 2020, 09:08