2-La-parabola-del-seminatore---Vangelo-della-domenica-XV-A-Seminatore-Millet-Walters-Museu.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XVI të vitit

Kësaj së diele, e 16-ta e vitit kishtar A, Ungjilli sipas Mateut, në kreun 13, na paraqet shembëlltyrën e mirënjohur të grurit e të egjrës. Jezu Krishti na bën të kuptojmë se gjithnjë në botë do të ketë grurë e egjër në luftë të vazhdueshme. Është beteja e përjetshme ndërmjet së mirës së së keqes. Por Zoti e lë të rritet edhe egjrën e vetëm në fund e jep gjykimin. Prandaj, në këtë botë, ku egjra shpesh përzihet me grurin e madje, ku ai që deri dje ishte nga ana e grurit, sot mund të ndodhet nga ana e egjrës, duhet ta pyesim veten në ç’fushë jemi, që të bëjmë pjesë në fund në ato të korra, që Hyji i vendos në hambarin e vet. Por, ja pjesa ungjillore...

R.SH. - Vatikan

24 Në atë kohë, Jezusi u tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. 25 Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi. 26 Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. 27 Shërbëtorët iu afruan zotit të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra? 28 Ai u përgjigji: ‘Armiku e bëri këtë!’ Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ 29 Jo - u përgjigji ai - se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! 30 Lëni të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrëtarëve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim!’” (Mt 13,24-30)

Të lutemi së bashku me Nënë Terezën, e cila na mëson si ta shkulim egjrën nga shpirti:

O Zot, kur besoj

se zemra ime është tejmbushur

me dashuri dhe e kuptoj,

në një çast ndershmërie,

se dua vetëm veten

në njeriun e dashur,

më liro nga vetja.

O Zot, kur besoj

se kam dhënë gjithçka

mund të jap dhe e kuptoj,

në një çast ndershmërie,

se jam unë ai që marr,

më liro nga vetja.

O Zot, kur jam i bindur

se jam i varfër dhe e kuptoj,

në një çast ndershmërie,

se jam i pasur veç me kreni e me

zili, më liro nga vetja.

E, o Zot, kur mbretërinë e qiellit

e ngatërroj marrisht me mbretëritë

e kësaj bote, bëj që ta gjej

lumturinë e ngushëllimin vetëm tek Ti.

(Nënë Tereza)

18 korrik 2020, 08:32