Shën Injaci në lutje Shën Injaci në lutje 

Shën Injaci - Zotit: Merrmi, o Zot, lirinë, kujtesën, mendjen….

Një nga lutjet më të njohura të Shën Injacit, drejtuar Zotit.

Po kujtojmë njërën nga lutjet më tronditëse, që Shën Injaci ia drejton Zotit:

“Merre, o Zot, e pranoje gjithë lirinë time, kujtesën time, mendjen, zemrën e gjithë vullnetin tim!”.

Shpesh në jetë  kujdesemi për të realizuar vetëm atë, që duam vetë! Pak e aspak, atë, që do Zoti.

Prej këndej, lutja e Shenjtit themelues të jezuitëve, drjetuar Zotit, që t’ia marrë gjithçka ia dha e gjithçka ka më të çmuar. Ti m’i dhe këto sende - i kujton - e unë t’i kthej përsëri: janë tuajat, bëj me to sipas vullnetit tënd. Merri. E më jep dashurinë tënde e hirin tënd. Vetëm këto! Më mjaftojnë!

Pyetje, që duhet t’ia bëjmë të gjithë vetes: “Çka jam gati t’ia dhuroj Zotit? Lirinë time? Fjalë tejet e fortë. E si të mbetem pa liri? Liria është dhuratë e shenjtë. Nuk dua ta humbas! As të ma e rrëmbejë kush. Të humbasësh lirinë është gjëma më madhe, që mund të na bjerë mbi kokë. Lirinë për të menduar, për të dashur, për të marrë vendime. Kush na heq lirinë, na heq vetë jetën!

E pastaj kujtesën! Gjithçka e ruaj si të shenjtë në zemër, gjithçka jetova. Çka mendova. Historinë personale…

Mendjen! Të humbas mendjen, të mos kuptoj çka bëhet rreth meje. Domethënë, të humbas aftësinë për të jetuar! T’i dhurosh kujt mendjen, do të thotë të jetosh pa kuptuar fare ç’ndodh rreth teje!

Vullnetin, pastaj. T’i thuash lamtumirë vullnetit tënd. Për të mos dashur tjetër, veç atë,  që do Zoti!

E, së fundi, zemrën! Gjest i bukur! Që na fton t’i kapërcejmë kënetat e jetës, të dalim në det të hapur, në detin pafundmë të hirit të Zotit. Që jeta jonë të japë fryte për zemra  tjera!

Ta lëshojmë gjithë jetën në dorë të Zotit nuk duket gjë e lehtë, posaçërisht kur vuajmë! Po pikërisht atëhere na duhet vullneti i Zotit, për të na marrë për dore e për të na çuar atje, ku dëshiron Ai. Ku fitojmë dhantinë e lirisë,  të kujtesës, mendjes, zemrës e vullnetit, sipas Zotit”. Vetëm këto! Na mjaftojnë!

31 korrik 2020, 14:17