Vatican News

Misionet e Don Boskos vijojnë punën në Indi, pavarësisht nga koronavirusi

“Në Indi, pas hapjes, janë shtuar infektimet. Nëpër fshatra, miliona njerëz kanë mbetur pa punë e pa ushqim”: kështu shkruhet në revistën mujore “Toka të largëta”, botuar nga salezianët.

R.SH. - Vatikan

India është vendi më i prekur nga Covid-19, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brazilit dhe Rusisë. Që nga fillimi i prillit, numri i rasteve të reja në ditë është rritur vazhdimisht, por kohët e fundit gjendja është keqësuar ndjeshëm, për shkak të rihapjes së ndërmarrjeve e dyqaneve, vendosur nga qeveria. Kjo fotografi dramatike paraqitet në numrin e korrikut të revistës mujore “Toka të largëta”, botuar nga Misionet e Don Boskos.

Në të gjithë botën u transmetuan, përmes mjeteve të komunikimit, pamjet e eksodit të dhjetëra mijëra punëtorëve, të cilët, në këmbë, linin qytetet e mëdha për t’u kthyer në fshatrat e origjinës. Miliona indianë kanë mbetur pa punë, pa rrogë, pa ushqim. Për këtë arsye, salezianët e rajonit të Hyderabad-it u aktivizuan menjëherë në ndihmë të më nevojtarëve, duke filluar shpërndarjen e pakove ushqimore dhe të dezinfektuesve. Ato iu dhanë 400 familjeve të fëmijëve, që janë adoptuar në distancë, ose kanë marrë bursa studimi nga bamirësit e Misioneve të Don Boskos. E salezianët, thirrja e të cilëve është pikërisht shkollimi i fëmijëve, nuk harruan të vënë në pako edhe fletore me figura për t’u ngjyrosur, lapsa, disa lojra, ndonjë top e disa litarë për të kërcyer më të vegjlit.

15 korrik 2020, 11:25