Kundër trafikimit njerëzor Kundër trafikimit njerëzor

Kundër trafikimit njerëzor, masa urgjente në mbrojtje të më të ligshtëve

Me rastin e Ditës Botërore të 30 korrikut, kundër njërit prej fenomeneve më dramatike në të gjitha shoqëritë, Karitasi Ndërkombëtar u bën thirrje qeverive të marrin masa në mbështetje të viktimave të trafikimit njerëzor, që janë shtuar gjatë pandemisë së koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Qeveritë të shtojnë përpjekjet për të identifikuar viktimat e trafikimit dhe të shfrytëzimit, veçanërisht tani që, për shkak të pandemisë Covid-19, numri po rritet tej mase. Kjo është thirrja e Karitasit Ndërkombëtar, në prag të Ditës Botërore kundër Trafikimit, që kremtohet nesër, më 30 korrik. Me këtë thirrje bashkohet edhe Coatnet, një rrjet prej 46 organizatash të krishtera të impenjuara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. “Në këtë kohë të përhapjes së Covid-19 - pohon sekretari i përgjithshëm i Caritas Internationalis, Aloysius John - denoncojmë një realitet shqetësues për njerëzit, që kanë mbi krye rrezikun më të madh për t’u bërë viktima të trafikimit”. Vëmendja për pandeminë, vijon ai, nuk duhet t’i lërë mënjanë personat, që, për shkak të gjendjes së tyre ekonomike, mund të bien pre e rrjeteve kriminale. Ata duhen mbështetur materialisht, ligjërisht e psikologjikisht e duhen ndihmuar edhe për të kapërcyer vështirësitë e shtuara nga pandemia.

Masat më urgjente, sipas Karitasit

          Karitasi dhe Coatnet kërkojnë masa urgjente për të mbështetur ata, që shërbejnë nëpër shtëpi, punonjësit e bujqësisë e të ndërtimit, emigrantët pa dokumente. U bëjnë thirrje qeverive të sigurojnë për ta shërbime bazë, si edhe mundësi për të gjetur drejtësi përmes ligjit. “U kërkojmë institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile – thekson Aloysius John – të mbrojnë fëmijët nga abuzimet dhe shfrytëzimi, që realizohet përmes internetit dhe mediave të reja e, u kërkojmë gjithë njerëzve vullnetmirë të jenë vigjilentë e të denoncojnë raste të tilla”. Vetëm në Indi, për shembull, janë sinjalizuar 92 mijë raste abuzimesh me të mitur, brenda 11 ditëve. Sipas Organizatës Botërore të Punës, sot, në gjithë globin, ka më se 40 milion viktima të trafikimit dhe të shfrytëzimit njerëzor.

Dita Botërore e 30 korrikut

          Dita Botërore kundër Trafikimit të Njerëzve u caktua më 30 korrik nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2013, me Rezolutën A/RES/68/192. Qëllimi i nismës është të sensibilizojë bashkësinë ndërkombëtare për gjendjen e viktimave dhe të promovojë mbrojtjen e të drejtave të tyre.

29 korrik 2020, 10:18