Vatican News
 Covid-19 në Madagaskar Covid-19 në Madagaskar  (AFP or licensors)

Covid 19: vuajtjet e Madagaskarit. Vdesin dy misionarë

Kohët e fundit Organizata Botërore e Shëndetësisë është shumë e alarmuar për situatën në Afrikë. Të dhënat zyrtare mbi pandeminë e coronavirusit, që arrijnë nga Kontinenti, duken shumë më të ulta seç janë në të vërtetë. Po situata është e rëndë, posaçërisht në Madagaskar, ku humbën jetën edhe dy misionarë.

R. SH. - Vatikan

Pandemia e Covid 19 mund të shpërthejë nga çasti në çast në mbarë Kontinentin afrikan. Kushtet higjienike të papërshtatshme, mungesa e strukturave shëndetësore, varfëria e papërshkrueshme, që rëndon me gjithë peshën e vet mbi disa shtete, mund t’i thellojnë pasojat a pandemisë, duke arritur shumë muaj më vonë, sesa në pjesën tjetër të botës. Në një kohë kur virusi tmerron edhe vendet më të përgatitura për t’i bërë ballë!  Pandemia po ndjehet shumë edhe në Madagaskar. Sipas don Luciano Marinit,  drejtues i Kongregatës “Vepra e Don Orione” në ishull, dyshohet se të dhënat lidhur me pandeminë janë nënvleftësuar, edhe shumë. I gjithë vendi është në lockdown që prej katër muajsh. Kremtimi i Meshëve me popull është ndërprerë dhe e gjithë shoqëria jeton në kushte aspak shoqërore.

Kisha, pranë popullsisë, deri në flijimin e jetës

Në këtë emergjencë shëndetësore, Kisha është shumë pranë të varfërve, atyre që, për shkak të ndërprerjes së çdo veprimtarie, nuk kanë më as ç’të hanë. Gjatë angazhimit të përditshëm për t’i ndihmuar, dy misionarë humbën këto ditë jetën, pas ngjitjes së sëmundjes. Janë atë Albano Passarotto, rregulltar vinçencian, 80 vjeç, prej 56 vjetësh në Madagaskar, dhe don Luigi Piotto, i Veprës Don Orione, 65 vjeç, prej 28 vjetësh misionar në ishullin afrikan. Flijim  jetësh, për jetën!

 

25 korrik 2020, 14:15