Ungjilli i grurit dhe i egjrës Ungjilli i grurit dhe i egjrës 

Ç’ na mëson Krishti përmes shëmbëlltyrës së grurit e të egjrës?

“Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes shembëlltyrave" Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, e vetmja rrugë që duhet ndjekur, është ajo e leximit të vëmendshëm të teksteve ungjillore, duke u përpjekur për t’i kuptuar sa më mirë.

R. SH. - Vatikan

 “Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes shembëlltyrave? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, e vetmja rrugë që duhet ndjekur, është ajo e leximit të vëmendshëm të teksteve ungjillore, duke u përpjekur për t’i kuptuar sa më mirë, si në aspektin ekzegjetik, ashtu edhe në aspektin e mirëfilltë fetar, domethënë të krishterë, sepse Krishti i foli me shembëlltyra pikërisht Kishës së tij në fasha.

Shembëlltyrat që tregon Krishti, duke tërhequr fort vëmendjen, për shkak të karakterit të tyre anekdotik, kanë për qëllim t’i nxisin dëgjuesit të thellohen në kuptimin e rrëfimit, të reflektojnë, t’i bëjnë vetes pyetjen: “Ç’deshi të thoshte Jezusi me këto fjalë?”. Për këtë arsye shumë shembëlltyra përfundojnë me shprehjen: “Kush ka veshë, të dëgjojë”(Mk 4, 9).

Por duhet pasur mirë parasysh se shembëlltyrat, që tregon Jezusi, nuk perceptohen aq lehtë. Dëgjuesi, sado i vëmendshëm, nuk mund ta kapë aty për aty kuptimin e krahasimit. Shpesh i duhet të vrasë mendjen, pa arritur ta kuptojë thelbin e kumtimit të Zotit. Ja pse dishepujt i kërkojnë vazhdimisht Krishtit t’u shpjegojë ç’deshi të thotë.  Jezusi, në disa raste, u jep shpjegimin e kërkuar. Por këtë nuk e bën gjithnjë. U shpjegon, për shembull, shembëlltyrën e mbjellësit (Mk 4, 14-20) të rrjetës së hedhur në det ( Mk 13, 47-20) e këtë të egjrës, që mbin e lulëzon mes grurit (Mt 13, 24-30.36-43). Është fjala për njeriun, që mbolli farë të mirë në arë. Po natën, tinëz, ia behu armiku e hodhi, mbi kokrrat e grurit, farën e keqe të egjrës. E u nis e shkoi. E kur të mbjellat lidhën kallëz, atëherë egjra e ngriti kokën e doli mbi grurin. Shërbëtorët e lajmëruan të zotin e arës e deshën ta shkulnin, që të mos ia merrte frymën farës së mirë. Po zotëria nuk i la. Priti ardhjen e të korrave. E atëherë shërbëtorët e shkulën egjrën e e dogjën, ndërsa grurin e artë e mblodhën me kujdes e   mbushën hambarët plot”.

Kjo shembëlltyra, e ky shpjegimi i Krishtit: “Ai, që mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë, ata që i përkasin mbretërisë. Armiku, djalli. Korrja është mbarimi i botës, kur Zoti do t’i mbledhë të mirët në mbretërinë e vet, ndërsa ata që bënë keq, do t’i flakë në furrën e ndezur”. Vërejmë menjëherë se në shembëlltyrë çdo fjalë ka kuptim alegorik. Shpjegimi, prandaj është i domosdoshëm, me vlera të përhershme aktuale, sepse në arën e botës vijojnë të mbijnë pranë e pranë fara e mirë e fara e keqe, të rriten pranë e pranë gruri e egjra, e Zoti vijon t’i korrë. Drapëri i Zotit nuk pushon ditë as natë. Lum kush  rritet si kallëzi i grurit në arë”.

 

19 korrik 2020, 08:12