Kapela e Shëna Ndout, në Bazilikën kushtuar Shenjtit të Mrekullive Kapela e Shëna Ndout, në Bazilikën kushtuar Shenjtit të Mrekullive 

Shëna Ndou i Padovës: sonte “Nata e Mrekullive” kushtuar të rinjve

Me rastin e fillimit të kremtimeve përkujtimore të 800-vjetorit të thirrjes françeskane të Fernandos të Lisbonës, që u bë Fra Antoni, sonte “Nata e Mrekullive”

R. V. - Vatikan

Me rastin e fillimit të kremtimeve përkujtimore të 800-vjetorit të thirrjes françeskane të Fernandos të Lisbonës që, më 16 janar 1220 vendosi të bëhet Pater Antoni, Ati i Shenjtë Françesku shkroi një letër drejtuar Eprorit të përgjithshëm  të Etërve të Vegjël Konventualë, Fra Carlos Trovarelli, në të cilën përshkruan gjithë rrugën e jetës së Shëna Ndout. Në këtë letër, Françesku e propozon Shëna Ndoun si shembull, që meriton të ndiqet nga të gjithë e, në mënyrë të  posaçme, nga breznitë e reja. Pikërisht duke u nisur nga disa fragmente të kësaj letre, lindi ideja që, në këtë vit - vit i pandemisë - të oganizohet një edicion i posaçëm i “Natës së Mrekullive”, e cila prej disa vitesh i jep gjallëri mbrëmjes kushtuar të rinjve të  Qershorit Antonian.

Edicion, sivjet shumë i kufizuar për shkak të masave kundër Covid-19, që i ndalojnë grumbullimet.

“Natyrisht - lexohet në një notë - në këtë Trembëdhjetë ditëshe 2020 nuk do të ketë  shumë të rinj, që i ftojnë të rinjtë e tjerë të hyjnë në Bazilikë e të marrin pjesë, së bashku, në mbrëmjen e lutjes, por gjithsesi fretërit menduan të organizojnë një çast bashkimi e lutjeje, që mund të jetohet edhe individualisht.

“Nata e Mrekullive” do të kremtohet sonte, e mërkurë, 10 qershor, në Bazilikën e hapur nga ora 21.00 deri në orën 24.00, sipas një itinerari, që vë mirë në dukje thirrjen françeskane të Shëna Ndout.

Fretërit do t’u shpjegojnë shtegtarëve, që do të dëshirojnë të marrin pjesë, një udhë të thjeshtë e tejet të thellë - vë në dukje nota. Me ndalime të shkurtëra, për të mos krijuar grumbullime. Por edhe një itinerar smart, me meditime on line, që mund të shkarkohen drejtpërdrejt nga celulari i cili, vetëm për këtë herë, mund të rrijë i hapur edhe në Kishë – për takimin me Shenjtin e Mrekullive!

10 qershor 2020, 10:57