San Luigi Gonzaga, sec. XVIII San Luigi Gonzaga, sec. XVIII 

Me 21 qershor kalendari kishtar kujton Shën Luigj Gonzagën, rregulltar

Ndërroi jetë më 21 qershor të vitit 1591. Mbetet model i të riut katolik e u shpall Pajtori i rinisë katolike. Kisha na paraqet shenjtin si shembull mahnitës thjeshtësie e pastërtie ungjillore dhe i fton të rinjtë t’i luten t’i ndihmojë për të lidhur miqësi të ngushtë me Jezusin.

R. SH. - Vatikan

Më 21 qershor, Kisha katolike përkujton njërin nga shenjtorët më të njohur, Shën Luigj Gonzagën. meshtar e rregulltar. Luigji lindi në kështjellën Kastilione të Stivieres, ndërmjet Breshias e Mantovës, në Itali, më 19 mars 1568 nga markezi don Ferrante Gonzaga dhe kontesha Marta Tana di Santena, dy të rinj të sapomartuar, të kthyer pak kohë më parë nga oborri mbretëror i Madridit, ku qenë në shërbim të mbretit Filip e të mbretërshës Elizabeta.

Nga fisnik që ishte, u bë rregulltar jezuit

Kur mbushi dymbëdhjetë vjeç mori kungimin e parë nga Shën Karl Borromeo e, më vonë, vendosi të hynte në Shoqërinë e Jezusit, te Jezuitët, por për këtë iu desh të luftonte dy vjet me të atin. Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllait, Rudolfit, dhe më 5 nëntor 1585 hyri në noviciat ndër jezuitë, në Romë. Kur këtu shpërtheu epidemia e kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sistit.

Një ditë, ndërsa shkonte në spital, pa në rrugë të madhe një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi mbi shpinë dhe e çoi në duar të mjekëve. U shërbeu pa u kursyer të prekurve nga murtaja, që kishte goditur Romën më 1590 dhe që preku edhe atë vetë, duke i shkaktuar vdekjen më 1591, kur ishte vetëm 23 vjeç.

Rrethanat historike e ato familjare.

Shën Luigj Gonzaga duhet parë lidhur me rrethanat historike e ato familjare. Rrethanat historike janë ato të shekullit XVI; familjare - ato të një familjeje fisnike e të pushtetshme, e cila mund t’i hapte pinjollit të saj të gjitha rrugët, që të çonin drejt pasurisë e lavdisë. E duhet menduar edhe se ai ishte djali i parë. Prej këndej theksojmë se në personalitetin e tij spikat pikërisht fakti se ua ktheu shpinën gjithë këtyre mundësive, për hir të një vlere, e cila për të ishte më e madhja. Iu kundërvu, por pa zemërim, pushtetit, koprracisë, pasurisë, kënaqësive, të cilat ia shtronte nën këmbë me shumicë, familja, ku kishte pasur fatin të lindej.

Shën Luigj Gonzaga në veprën e dom Ndré Mjedjes

Për besimtarët katolikë shqiptarë, njohja nga afër e Shenjtit të Rinisë, shën Luigjit Gonzaga është bërë nga vepra origjinale e priftit e shkrimtarit të madh shqiptar, dom Ndre Mjedjës: “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”. 

Në XXI kapituj të veprës tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Piu XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re. 

Në kreun e parë - siç e quan dom Ndré Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Êmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me êjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís êjëllore; qi ká xé mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltérna e kisha gjithkû permêndet féja e Krishtit, prei qândres së Kështênimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndérshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’êmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne.

21 qershor 2020, 10:02